KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Μαρκ Τίρτα – εθνολόγος του αλβανικού πολιτισμού

Njoftimi për vdekjen e akademikut emeritus, Mark Tirta, është dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. E ka vlerësuar si një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare

Njoftimi për vdekjen e akademikut emeritus, Mark Tirta, është dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. E ka vlerësuar si një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare

Akademik Mark Tirta cilësohet si një prej emrave më të mëdhenj shkencor të studimit të kulturës shqiptare. Asaj materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Ai vdiq të enjten. Ishte 88 vjeç. Është vlerësuar si etnog i kulturës shqiptare, që pos studimeve përgatiti edhe shumë kuadro shkencore. Veprat e tij studimore shihen si burim kuptimplotë i traditës shqiptare, interpretimit dhe shtjellimeve mbi antologjinë e këtyre anëve

Kultura shqiptare ka humbur një prej studiuesve më të mirë, në mbi 6 dekada veprimtari shkencore në etnologji e antropologji, akademik Mark Tirta. Ai cilësohet si një prej emrave më të mëdhenj shkencor të studimit të kulturës shqiptare. Asaj materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Ai vdiq të enjten. Ishte 88 vjeç. Është vlerësuar si etnog i kulturës shqiptare, që pos studimeve, përgatiti edhe shumë kuadro shkencore. Veprat e tij studimore shihen si burim kuptimplotë i traditës shqiptare, interpretimit dhe shtjellimeve mbi antologjinë e këtyre anëve.

Njoftimi për vdekjen e akademikut emeritus, Mark Tirta, është dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. E ka vlerësuar si një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë dhe një nga zërat më të spikatur të studimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjell te brezat e ardhshëm pasurinë e jashtëzakonshme të traditave, besimeve, miteve, zakoneve dhe mënyrave të jetës së popullit shqiptar”, shkruhet në njoftim. Sipas biografisë së Tirtës të publikuar nga Akademia, ai u lind më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.

“Prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore, ai mori statusin Akademik Emeritus”, shkruhet në biografi.

Akademik Mark Tirta, sipas Akademisë, ishte një prej studiuesve që e njohu kulturën shqiptare jo vetëm përmes burimeve të shkruara, por edhe përmes kërkimit të drejtpërdrejtë në terren. Ai mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.

“Puna e tij kërkimore ishte e shumanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe”, shkruhet në biografi. Ai la pas një trashëgimi të gjerë studimore. Ka botuar mbi 300 punime shkencore e kulturore, ka marrë pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 40 punime të tij janë botuar në gjuhë të huaja.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Mitologjia ndër shqiptarë” (2004), “Etnologjia e shqiptarëve” (2006), “Etnologjia e përgjithshme” (2008), “Migrime të shqiptarëve” (1999), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode...” (2007) dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” (2013).

“Në historinë e studimeve shqiptare, akademik Mark Tirta do të kujtohet si një prej dijetarëve që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare. Ai e pa etnologjinë jo vetëm si një fushë të mbledhjes dhe përshkrimit të fakteve, por si një mënyrë për të kuptuar historinë, kujtesën, identitetin dhe vazhdimësinë kulturore të shqiptarëve. Përmes punës së tij, shumë dëshmi të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare u dokumentuan dhe u bënë pjesë e kujtesës së shkruar shkencore”, shkruhet në njoftimin e Akademisë. Sipas këtij institucioni, Akademia e Shkencave e Shqipërisë humbi një nga figurat e saj të shquara, ndërsa shkenca shqiptare humbi një studiues që i kushtoi gjithë jetën njohjes së rrënjëve kulturore të shqiptarëve.

Antropologu Arsim Canollim, njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinë, se ka përshkruar Tirtën si etnolog të kulturës shqiptare. Ka thënë se Mark Tirta zë një vend të veçantë në historinë e etnologjisë shqiptare.

“Ai ishte studiues që konsolidoi kërkimin sistematik mbi mitologjinë, kulturën popullore, migrimet brenda trojeve shqiptare, organizimin shoqëror, të drejtën dokesore e me radhë. Ka qenë punëtor i madh i asaj që ne themi ‘terreni’, apo i njohjes së realitetit jetësor, ashtu siç bëhet e shfaqet në përditshmëri. Puna e tij mbi migrimet brenda trojeve dhe mitologjinë popullore është mjaft e thukët dhe e bazuar në evidenca të mbledhura në terren”, ka thënë ai. sipas Canollit, po ashtu, Mark Tirta ishte edukator, sepse punoi shumë për studentët, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ku dha mësim në Departamentin e Etnologjisë dhe Antropologjisë në fillesat e tij.

“Pa dyshim se ka shkruar një lloj etnologjie, sidomos gjatë periudhës së diktaturës, që është kushtëzuar nga regjimi dhe që sot duhet të shihet në mënyrë kritike. Por, duke u mbajtur fort pas ‘mbijetojave’, apo tipareve të shtresave të lashta të kulturës që kishin mbijetuar, ai ia arriti të mbijetojë edhe vetë brenda sistemit diktatorial në Shqipëri”, ka thënë ai.

Antropologu Nebi Bardhoshi ka kujtuar akademik Tirtën nëpërmjet një teksti të gjatë. Sipas tij, pedagogjik, akademik Tirta kishte një eksperiencë po aq të gjatë dhe në shumë institucione në Shqipëri dhe Kosovë. Sipas tij, në Departamentin e Sociologji-Filozofisë, ai ishte hartuesi dhe drejtuesi i lëndës së Etnologjisë së Përgjithshme dhe Etnologjisë Shqiptare.

“Përveç këtyre programeve, profesor Tirta hartoi programin e Masterit në Etnologji, pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, i cili bazohej në katër shtylla kryesore: metodë e metodologji, etnologji shqiptare, teori të etnologjisë dhe etnologji të Mesdheut dhe Ballkanit. E gjithë kjo dëshmonte për qartësinë se si do duhej ndërtuar e artikuluar dija etnologjike dhe antropologjike në Shqipëri”, ka shkruar ai. E ka përshkruar si njeri të thjeshtë, të përkushtuar e mbi të gjitha, se kishte pasion punën që bënte.

“E rithem pa drojë, se pakkush ishte aq i përfshirë në dashurinë dhe përkushtimin për punën që bënte. Njëherazi e shikonte si një mision, si një përgjegjësi, e cila përmbushej vetëm nëse i kushtoheshin më të vërtetë. Këtë theksim, nuk e bëj thjesht se është një ditë ku njeriu që ka ndërruar jetë, por si një shenjë mirënjohje. Një mirënjohje të thellë për gjithë punën dhe trashëgiminë që la në fushën e antropologjisë, por mbi të gjitha mirënjohje personale që ishte gjithnjë krahë, gjithnjë e pamëndyshje e pakushtëzuar”, ka shkruar ndër të tjera Bardhoshi.