KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Το «Kino Armata» αναζητά σταθερότητα, το κουτί δωρεών δεν είναι αρκετό

"Στρατιωτικός Κινηματογράφος"

Aktivitetet kulturore në kinemanë “Armata” ofrohen falas, me synimin që mungesa e mundësive financiare të mos bëhet pengesë për qasjen në kulturë. Por, ky model e shton presionin financiar mbi institucionin

Në korridorin e kinemasë qëndron një kuti në të cilën shkruhet: “Ndihmojeni ‘Armatën’ të qëndrojë hapur! Ju lutemi dhuroni”. Por për “Kino Armatën” ajo është shndërruar në një dëshmi të një problemi më të madh: përpjekjes së një hapësire publike kulturore për të siguruar vazhdimësinë në një kohë kur financimi institucional nuk i garanton stabilitet

Është bërë një lloj rituali që në shumë prej ngjarjeve që vetorganizon apo mirëpret “Kino Armata”, punonjësit e saj, përveç prezantimit të ngjarjes përkatëse, fjalimit të tyre t’ia bashkëngjisin edhe thirrjen për përkrahje për kinemanë e rihapur në prill të vitit 2018, pas mbylljes paraprake të saj për 19 vjet. Në korridorin e kinemasë qëndron një kuti në të cilën shkruhet: “Ndihmojeni ‘Armatën’ të qëndrojë hapur! Ju lutemi dhuroni”.

Është një kuti që në pamje të parë mund të duket si pjesë e një fushate të zakonshme për mbledhje fondesh. Por për “Kino Armatën” ajo është shndërruar në një dëshmi të një problemi më të madh: përpjekjes së një hapësire publike kulturore për të siguruar vazhdimësinë në një kohë kur financimi institucional nuk i garanton stabilitet.

Drejtoresha e “Kino Armatës”, Rozafa Maliqi, ka thënë se publiku ka treguar gatishmëri për të ndihmuar. Por donacionet e qytetarëve, sado të rëndësishme, nuk mund të jenë baza mbi të cilën ndërtohet një institucion që synon të ketë program të rregullt.

“Momentalisht, ose në fakt prej vitit të kaluar, e kemi filluar njëfarë fushate edhe për donacione, por edhe për ta njoftuar pak publikun me situatën e ‘Armatës’. Gjithë këtu flasim jo vetëm për ‘Armatën’, por për hapësirat kulturore në përgjithësi, për organizatat kulturore dhe për situatën në të cilën gjenden. Ne e konsiderojmë të rëndësishme që të komunikojmë sfidat me të cilat përballemi”, ka thënë Maliqi.

Një vit më parë, “Kino Armata” kishte marrë përkrahje nga Ministria e Kulturës. Në dokumentin e MKRS-së “Thirrja për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025”, fondacioni “Kino Armata” figuron si përfitues me shumën prej 15 mijë eurosh.

Për vitin 2026, situata është më e pasigurt. Në Komunën e Prishtinës, “Kino Armata” ka aplikuar për përkrahje, por emri i fondacionit nuk figuron në listat përfituese të Drejtorisë së Kulturës. Nga MKRS-ja ende pritet përgjigjja për aplikimin e sivjetmë.

“Është sfidë që, për shembull, në Drejtorinë e Kulturës kemi aplikuar, por nuk kemi marrë përkrahje sivjet. Jo vetëm ne, por plot organizata të tjera. Prej Ministrisë kemi marrë vitin e kaluar. Kemi aplikuar prapë sivjet dhe presim tash përgjigje”, ka thënë Maliqi.

Kjo pasiguri financiare vjen në kohën kur “Kino Armata”, siç ka bërë me dije Rozafa Maliqi – e cila e drejton kinemanë prej 1 nëntorit të vitit 2024 – synon të vazhdojë me program të rregullt dhe me qasje falas për publikun.

“Sa i përket vazhdimësisë edhe ambicies që ‘Armata’ të jetë një institucion stabil edhe të mundet të ofrojë program të rregullt, kjo momentalisht nuk mund të sigurohet përmes këtyre donacioneve të vogla”, ka thënë ajo.

Sipas Maliqit, zgjidhja afatgjatë nuk mund të jetë mbështetja e rastësishme, qoftë nga publiku, qoftë përmes fondeve emergjente. Ajo e lidh këtë me nevojën për rregullimin e statusit të kinemave publike.

“Ne shpresojmë që, kur të rregullohet infrastruktura ligjore për kinematë publike, aty do të parashihet edhe një lloj përkrahjeje financiare për çdo hapësirë. Por momentalisht është kështu situata, që ne po presim të bëhet një zgjidhje që nuk është veç për ‘Armatën’, është për skenën kulturore në përgjithësi”, ka deklaruar Maliqi.

Kjo hapësirë, sipas drejtueses së saj, vazhdon ta ketë të pazgjidhur edhe statusin ligjor. Ka thënë se si kinema publike, në pronësi të shtetit, “Kino Armata” lidhet me Ligjin për Kinematografinë, i cili parasheh themelimin e një njësie brenda Qendrës Kinematografike të Kosovës për menaxhimin e rrjetit të kinemave publike.

“Tash, ‘Armata’ momentalisht e ka njëfarë statusi të pazgjidhur ligjor, për të cilin jemi duke u angazhuar bashkërisht me shumë organizata e individë të tjerë që të zgjidhet edhe me Ministrinë e Kulturës, gjithashtu. Për shkak se, si kinema publike, që është pronë e shtetit, kjo tash hyn sipas Ligjit për Kinematografinë, ku parashihet të themelohet një njësi brenda QKK-së, që do të menaxhonte me rrjetin e kinemave publike”, ka thënë Maliqi.

Për “Kino Armatën”, sfida financiare është pjesë e një krize më të gjerë të mënyrës së financimit të kulturës.

“Fondet janë gjithnjë e më shumë duke u larguar dhe është njëfarë periudhe tranzicioni, ku vazhdimësia e gjithçkaje pak a shumë është duke u vënë në pikëpyetje. Qysh me vazhdu, me gjete strategji të reja të financimit. Do të duhej të kishte biseda rreth kësaj edhe në nivel lokal, edhe në nivel qendror”, ka thënë Maliqi.

“Kino Armata” ka pasur edhe mbështetje përmes një fondi emergjent nga “European Endowment for Democracy”, me bazë në Bruksel. Por edhe kjo, sipas Maliqit, është zgjidhje që vetëm e shtyn përpara problemin.

“E kemi pasur njëfarë fondi emergjent që na ka ndihmuar shumë në një fazë të rëndësishme prej European Endowment for Democracy, që është me bazë në Bruksel. Jemi duke tentuar prapë të gjejmë kështu diçka, që na ndihmon të shtyjmë edhe një fazë, por po shton kohën njëfarë improvizimi dhe po e bën të vështirë të ketë njëfarë stabiliteti, ose të mendojmë se sa gjatë do të mund të durojmë, sepse në fund të ditës krejt i kanë obligimet tona njëjtë: kemi nevojë t’i plotësojmë ato nevoja bazike”, ka thënë ajo.

Kutia e vendosur në korridor nuk ka mbetur vetëm simbolike. Sipas Maliqit, përkrahja e qytetarëve ka qenë goxha e madhe.

“Po, goxha shumë kemi marrë përkrahje këtë periudhë. Prapë, nuk mundemi të llogaritim në këtë fazë prej xhepit të njerëzve që të sigurojmë njëfarë vazhdimësie shumë të madhe, po përkrahja ka qenë jo vetëm financiare, por edhe vetë fakti që, sidomos kemi periudhë kur jemi munduar shumë të ofrojmë program, kanë ardhur njerëzit, kanë marrë pjesë, si publik, por edhe në plot raste na është ofruar çfarëdo ndihme”, ka thënë ajo.

Aktivitetet kulturore në kinemanë “Armata” ofrohen falas, me synimin që mungesa e mundësive financiare të mos bëhet pengesë për qasjen në kulturë. Por, ky model e shton presionin financiar mbi institucionin. Drejtuesja e institucionit nuk ka mohuar se ai nuk rrezikohet nga kjo gjendje.

“Po, ajo është duke u bërë më e vështirë e më e vështirë për t’u kuptuar çka është misioni dhe pse e bëjmë këtë punë, qysh e bëjmë dhe pse, pra kjo ideja prapa ofrimit të programit falas. Normalisht, dikush mundet të thotë: ‘Pse s’po e bëni me hyrje?’, dhe po, ajo menjëherë kalon në një ide tjetër”, ka thënë Maliqi.

Kjo është arsyeja pse “Kino Armata” nuk dëshiron ta braktisë modelin e programit falas, edhe nëse ai e bën më të vështirë sigurimin e të ardhurave.

“Kështu që, për shkak që edhe insistojmë të vazhdojmë me këtë model, na e bën më të vështirë, po prapë është e rëndësishme të insistojmë që çka ofrojmë të jetë falas. Dhe njëkohësisht edhe situata në të cilën gjendemi e bën edhe më të vështirë edhe të punojmë që të tërheqim më shumë publikun, se ajo është një punë më vete, qysh e komunikojmë aktivitetin që ndodh këtu përtej se të postojmë në rrjete sociale”, është shprehur Maliqi më tej për KOHËN.

E rihapur në prill të vitit 2018, pas 19 vjetësh mbyllje, “Kino Armata” është kthyer gjatë këtyre viteve në një prej hapësirave të rëndësishme të programit kulturor në Prishtinë. Por kutia me mbishkrimin “Ju lutemi mbani Armatën të hapur! Ju lutemi dhuroni” tash është më shumë se një kërkesë për ndihmë.

Ajo është shndërruar në një lloj imazhi të skenës kulturore në vend dhe si pyetje për institucionet. Se nëse hapësirat publike kulturore konsiderohen interes publik, kush e bart përgjegjësinë për t’i mbajtur ato të hapura?.