KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Ερμονέλα Γιάχο: Μια ψυχή που δεν έχει υποφέρει δεν έχει τίποτα να δώσει στο κοινό

Ermonela Jaho: Artisti ka mision të shpalosë shpirtëroren me të gjitha ngjyrat”

Ermonela Jaho: Artisti ka mision të shpalosë shpirtëroren me të gjitha ngjyrat”

“Sonte nuk jam veç ajo artistja, por do të tregoj pak për njeriun, anën humane, peripecitë”, ka qenë paralajmërimi i sopranos së njohur shqiptare që në hapje të shpalosjes së rrëfimit të saj. E ai nuk është veç një histori suksesi, por ka kapitujt e sfidave e të paragjykimeve. Sipas saj, një shpirt që nuk ka vuajtur pak e nuk ka njohur vështirësitë, s’ka çfarë t’i japë publikut. “Jemi disa artistë që kemi dalë nga Shqipëria e Kosova që duhet ta tregojmë rrëfimin tonë. S’më vjen turp të them se s’kisha rroba dhe më tallnin: ‘Ja kjo shqiptarja’”, ka thënë ajo në ngjarjen “Ta zbardhi ftyrën” në Prishtinë

Nëpërmjet një përllogaritjeje të thjeshtë, i bie që Ermonela Jaho, në rreth tri dekada karrierë, para publikut, ta ketë interpretuar Violettën për 969 orë. Janë 323 shfaqje ku ka luajtur këtë personazh të “La Traviatas” së Giuseppe Verdit, ku nga fillimi deri në fund të shfaqjes ishte për rreth tri orë në skenë. Së fundmi, në qershorin e sivjetmë, në Romë. E bashkë me provat, orët shkojnë në mijëra. Violetta është prej personazheve më të vështira e njëkohësisht më të preferuara të solisteve operistike. Jaho – e cila ka interpretuar në skenat më prestigjioze që njeh bota, identifikohet shumë me këtë rol. Madje edhe vetë i gjen të përbashkëtat, përfshirë gjendjen emocionale të një vajze që paragjykohet fort nga shoqëria. E të rritesh në hapësirën shqiptare, paragjykimet janë diçka e “natyrshme”. S’u shmangesh dot.

Jaho natyrshëm e bart aurën e një dame të skenave të mëdha. E reflekton atë derisa ulet në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare për një bashkëbisedim me moderatoren Alketa Gashi-Fazliu, në kuadër të ngjarjes “Ta zbardhi ftyrën”, organizuar nga “KultPlus”. S’është prej atyre artistëve që shet mend. Ka një thjeshtësi që e bën të madhe. Bash atë thjeshtësinë e njerëzve që s’u ngelet gjë merak për ta mbërritur në profesion, pasi s’ka gjë më tej. Do të shpërfaqë njeriun.

“Sonte nuk jam veç ajo artistja, por do të tregoj pak për njeriun, anën humane, peripecitë”, thotë ajo krejt në fillim, në një copë skene të një qyteti që s’di çka është një sallë solide koncertale. E çmon Kosovën për dashurinë që i ka dhënë. Jo shumë shpesh, por prej vitit 2011 e më pas, ka pasur disa interpretime në shtetin më të ri në Evropë. Është sopranoja që kritika prestigjioze e vlerëson si artiste që këndon me “zërin e shpirtit”. Edhe në bashkëbisedim ka treguar se qëllimin e pranisë e ka diçka të thellë.

“Qoftë edhe një person, një artiste të re, sikur ta frymëzoj, do të thotë se e kam bërë detyrën time si artiste dhe si shqiptare”, ka thënë Jaho, e cila ka luajtur personazhe prej Royal Opera House në Londër e deri te secili teatër prestigjioz në mbarë globin.

Ka rrëfyer se si fëmijë e adoleshente kishte një ëndërr të jashtëzakonshme, me muzikën si pasionin bazë. Bashkë me të vëllain, kur qe veç 14 vjeçe, do të shihte për herë të parë operë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Rastisi në “La Traviata”. Dhe aty pësoi një tronditje që ia përcaktoi kahen jetësore.

“Ishte një soprano turke... Dhe kur mbaroi opera isha kaq e impresionuar, pasi ishte si dashuri në shikim të parë... Nuk e artikuloj dot. Kur mbaroi, i thashë vëllait: ‘Do të bëhem këngëtare operistike dhe nuk vdes pa e bërë këtë rol’”, ka rrëfyer ajo. Asokohe s’e dinte se si do t’ia dilte.

“Vendi sa më i vogël të jetë, aq më shumë frymëzim ka, sepse bëhemi shpirtra të torturuar, pasi torturojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ajo. E, sipas saj, artisti dhimbjen e bën kryevepër. Do të përfundonte Liceun Artistik “Jordan Misja” në kohën kur i duhej të zgjohej në 05:00 të mëngjesit për të zënë radhën për të ushtruar me piano. Pasi nisi studimet në Tiranë, qe sopranoja e aktorja Katia Ricciarelli që e përzgjodhi në mesin e një pesëshe të rinjsh për të ndjekur një akademi tremujore në Itali. Por, pa përfunduar ajo kohë, shkaku i disa telasheve personale, solistja italiane i braktisi. Dhe Jaho qe në udhëkryq.

“Më duhet ose të kthehesha ose të vazhdoja. Isha pa lek në xhep. Që të studiosh do edhe anën financiare, gjë që prindërit e mi nuk mundeshin”, ka rrëfyer ajo. Që t’ia dilte, punoi si kujdestare fëmijësh, si mirëmbajtëse e shtëpive e kujdestare e të moshuarve.

“Im atë thoshte: ‘ëndrrat koha i vë në provë’”, ka treguar për këshillën e të atit, që kishte përfunduar studimet për filozofi. Sipas saj, një shpirt që nuk ka vuajtur pak e nuk ka njohur vështirësitë s’ka çfarë t’i japë publikut.

“Jemi disa artistë që kemi dalë nga Shqipëria e Kosova që duhet ta tregojmë rrëfimin tonë. S’më vjen turp të them se s’kisha rroba dhe më tallnin: ‘Ja kjo shqiptarja’. S’më vjen turp të them se jam kujdesur për të moshuarit, gjë që nuk munda ta bëja për prindërit e mi, s’munda dot. Janë sakrifica që në fillim i bëja pasi nuk dija. Por ishte ai zjarri që s’më hiqej nga mendja për të arritur”, ka rrëfyer Jaho, e cila është shqiptarja më me nam në botën operistike, me role si Cio-Cio-San, Suor Angelica, Adriana Lecouvreur, Anna Bolena, Thaïs, Luisa Miller e të tjera.

E shoqëruar në piano nga profesoresha universitare Lule Elezi, sopranoja Jaho ka interpretuar “Këngë djepi” nga Tish Daija, më pas arien “Io son l'umile ancella” të operës “Adriana Lecouvreur” dhe dy arie të tjera

Një moment i veçantë në jetën e saj, pak pasi kishte marrë lajmin për vdekjen e së ëmës, qe telefonata për të interpretuar në Royal Opera House në Londër. Po qëndronte në New York dhe iu tha se solistja që do të interpretonte Violettën nuk ndihej mirë. U nis drejt Londrës.

“Thashë me vete se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, pasi janë të gjitha mediat botërore aty. Mamin s’ma sjell asgjë në botë dhe po iki. Kam udhëtuar gjithë natën nga New Yorku në Londër. Sapo shkova në hotel, më treguan se do të këndoj. Shkova e mpirë”, ka rrëfyer ajo. Pa prova të mirëfillta, por me ndjesinë se ëndrra e kahershme i thoshte se duhej ta dëshmonte talentin e punën, Jaho qe ylli që i dëshmoi botës se versioni i saj i Violettës është prej më elitarëve.

“Zakonisht thonë sa me fat ke qenë. Por isha edhe gati. Duhet të jesh gati për momentin e duhur. Në fund doli një sukses i madh”, ka thënë ajo. Në këtë rast ka treguar se Violetta e ka ndjekur prej fillimit të ëndrrës.

“Mendoj se ka qenë jo e rastësishme, pasi Violetta është një shpirt i një gruaje të torturuar. Pse kam gjetur veten...? Kisha forca që t’i mbijetoj gjykimeve e paragjykimeve kur nuk të njohin. Ne jemi një vend i vogël. Ne i themi njerëzve se çfarë bëri ai e ajo. E torturojmë atë shpirt. Lum ai që shkon përtej. Mendoj se Violetta më ka lidhur pakëz me këtë gjë”, ka thënë Jaho.

Violetta, si personazh, përballet me paragjykime të shumta, pasi është një vajzë e grua që shoqërohet me njerëz të pasur në Paris. Dashuria e saj me një burrë që kujdeset realisht për të përfundon pasi Violetta heq dorë shkaku i së ardhmes së familjes së tij. Më pas përbuzet edhe nga ai. I duhet që të gjejë shumë forcë që të mbijetojë edhe shkaku i gjendjes fizike.

Jaho ka treguar se ka një ritual ku çdo mëngjes kërcen me litar rreth 300 herë. Dikur këtë e bënte rreth 500 herë. Ka një lidhje të madhe me rolet dhe do që të jetë fizikisht e fortë në mënyrë që t’i përçojë krejt ndjesitë. Dhe ka një ujdi me veten: vetëdijen se mund të ngjajë se s’do të luajë më.

“Sa herë hyj në skenë dhe mbaron opera, e puth skenën, pasi mund të jetë hera e fundit që jam në atë skenë. Duhet pranuar edhe fundi. Kush pranon fundin që mund të ndodhë në çdo moment, jeton më në paqe”, ka thënë ajo. E ka bindur veten se duhet lëshuar rrugë gjeneratave të reja. S’është e shpeshtë në botën operistike që një njeri që ka shkelur pesë dekada jetë të jetë aktive në nivelin siç është Jaho. Drama e rinisë së saj është e madhe.

“Historia jonë është e fortë nga ana emocionale dhe kaq e trishtë, me tragjedi. Akoma jemi skeptikë dhe akoma gjykojmë e paragjykojmë njëri-tjetrin, sepse nuk e pranojmë dot se ti u bëre e pse nuk u bëra unë. Në momentin që ne do të respektojmë njëri-tjetrin, do të kënaqemi. Duhet punuar për të arritur si tjetri, por jo ta torturojmë tjetrin me fjalë që bëhen helm për shpirtin”, ka thënë Jaho.

“The Economist” e ka përshkruar atë si “engjëll i zjarrtë… sopranoja më e vlerësuar në botë”, ndërsa “Financial Times” ka shkruar: “ajo e derdh gjithë zemrën dhe shpirtin në këndimin e saj”. “As mos u përpiq t’i rezistosh!” është prej përshkrimeve të tjera nga ky medium prestigjioz. Komentet për të janë të panumërta, ashtu sikurse edhe çmimet më prestigjioze që njeh bota operistike.

Pas bashkëbisedimit, para se t’ia mësyjë skenës, këngëtarja e re Anna Krasniqi ka interpretuar për të pranishmit. Më pas Jaho, e shoqëruar në piano nga profesoresha universitare Lule Elezi, ka interpretuar “Këngë djepi” nga Tish Daija, më pas arien “Io son l'umile ancella” të operës “Adriana Lecouvreur” dhe dy arie të tjera. Në sallën e mbushur përplot në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, Jaho ka bashkuar mosha e profesione të ndryshme për të dëgjuar rrëfimin e saj, sa sfidues aq të suksesshëm.

“Artisti ka mision të shpalosë shpirtëroren me të gjitha ngjyrat”, ka këshilluar ajo. Përderisa roli identifikues i saj, Violetta, gjen vdekjen në fund të operës, Jaho i ka treguar botës emocionet e një drame të tillë. Aso emocionesh që për kritikën botërore shihen si “fenomen i pandalshëm”.