Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.D., - shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe E.D., për shkak të dyshimit për shitblerje të rreth 5.5 kg narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas kërkesës së parashtruar, ekziston dyshimi i bazuar se më 02 shtator, gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit F.D., në Ferizaj, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale: katër kavanoza qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 4,929 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë 4.6 gram, një peshore digjitale, foli transparente për paketim, qese të zbrazëta transparente, një pistoletë me gaz me një karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, veturë e llojit “Passat” me targa të Shqipërisë dhe çelësi i saj, si dhe telefona, kartela SIM dhe sende të tjera materiale.
Ndërsa, tek i pandehurit E.D. gjatë kontrollit të bodrumit të një banese në rrugën “Beteja e Koshares” në Ferizaj është gjetur dhe konfiskuar sasi prej 566 gram substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe është konfiskuar edhe një kavanoz me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 21.7 gram, sasi të tjera të së njëjtës substancë me peshë 0.49 gram dhe 0.2 gram, dy telefona celularë, kartelë bankare dhe para të gatshme.
Të pandehurit F.D., dhe E.D., që nga data 02 Shtator 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartëcekura.