KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Στήλες

Μια επανάληψη του βιβλίου «Τα πόδια του φιδιού»

Aktgjykimi, nevoja për ta lexuar historinë dhe për mbrojtjen e UÇK-së nga miti

1.

Dhe ndodhi. 

Në rrjete sociale doli, ritualisht si në çdo krizë politike, një deklaratë imja, herë e cituar, herë e nxjerrë jashtë kontekstit nga intervista televizive, e herë e interpretuar lirshëm deri në shtrembërim të plotë: UÇK nuk ka ekzistuar, ose UÇK nuk ishte Ushtri, nuk ishte çlirimtare dhe nuk ishte e Kosovës. S’do mend, pasoi një rrjedhje të sharash dhe kërcënimesh, që tashmë është bërë ritual komunikimi në rrjete sociale, pati apo jo krizë politike.

Deklarimi i cituar apo interpretuar është nga një kapitull i librit tim “Këmbët e Gjarprit”. Në libër është paralajmëruar si provokim i qëllimshëm. Provokimi ka të bëjë me mënyrën se si krijohen mitet, historia dhe bëhet reduktimi i tyre. 

Në libër shkruaj kështu: 

“Ajo që quhej UÇK ka qenë një grumbull njësitesh guerile të shkapërderdhura dhe që për shkak të rrethanave të vështira të terrenit, kanë vepruar në formë bukur autonome. Për shkak të natyrës partizane (në kuptimin autentik të fjalës, pra të njësitit të armatosur që i përket një partie), njësitet guerile në masë të madhe janë varur nga financimi dhe, rrjedhimisht, urdhrat politikë që kanë ardhur nga Lëvizja Popullore e Kosovës. Që të dy faktorët do ta karakterizojnë në masë të madhe lëvizjen guerile të quajtur UÇK, pra autonominë në veprim të secilit njësit (a Zonë operative) veç e veç dhe varësinë financiare dhe politike nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). 

(...)

Me të përfunduar lufta, dëshmojnë njerëzit nga njësite të ndryshme (njëra prej dëshmive është në librin mbresëlënës për Batalionin e Atlantikut të Uk Lushit, botime “KOHA”), pjesëtarët e UÇK-së nuk dinin se kah t’ia mbanin, derisa u takuan me ushtarët britanikë të KFOR-it, të cilët kërkuan t’ua dorëzonin armët.
Momenti i rrëfimit të Uk Lushit, të momentit kur ushtarët britanikë i njoftojnë pjesëtarët e UÇK-së se lufta mbaroi dhe se duhej dorëzuar armët është njëri prej më simbolikeve për konstatimin e dytë, se UÇK-ja nuk ka qenë çlirimtare.
Çlirimin e Kosovës e kanë bërë forcat e NATO-s. Ushtria serbe është tërhequr nga Kosova në saje të bombardimit të NATO-s dhe hyrjes së këmbësorisë së KFOR-it, e jo për shkak të veprimeve të UÇK-së.

(...)

Dhe tash, konstatimi provokativ se UÇK-ja nuk ka qenë e Kosovës.

Meqë LPK-ja, “mbikëqyrësi civil dhe financuesi” i UÇK-së, ishte një organizatë me traditë klandestiniteti, prej kohësh kur kishte edhe “marksiste-leniniste” në akronimin e saj, në strukturën komanduese të UÇK-së u lejuan vetëm “kuadrot” e LPK-së, pra ata që kishin besimin e organizatës klandestine. Çfarëdo përpjekje për ta strukturuar UÇK-në nga oficerët profesionistë (shqiptarët e Kosovës që kishin braktisur APJ-në dhe që ishin inkuadruar në profesione të tjera apo kishin luftuar në Kroaci e Bosnjë) shihej me mosbesim.

Një pjesë e mirë e historisë jo të lavdishme të luftës në Kosovë, që ka ende reperkusione në jetën politike të vendit, ishte gara (për të mos e quajtur konflikt) mes UÇK-së dhe FARK-ut (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), organizatë ushtarake e financuar nga Qeveria në ekzil e Republikës së Kosovës dhe e komanduar nga Ministria e Mbrojtjes e kësaj Qeverie. UÇK-ja e përfundoi luftën duke qenë e komanduar dhe e financuar (ndonëse në disa raste kontribut financiar ka dhënë edhe Qeveria Bukoshi) nga LPK-ja dhe Fondi i saj Vendlindja Thërret.

Shikuar nga ky kënd, UÇK-ja na del si strukturë e armatosur e LPK-së. Natyrisht, LPK-ja mund të thotë, pa kurrfarë diskutimi, se është organizatë e Kosovës, për Kosovën. Dhe është e vërtetë që është organizatë e Kosovës e për Kosovën, madje nuk është kurrfarë argumenti kundër kësaj të vërtete as fakti se një pjesë bukur të madhe të aktivitetit të vet e ka zhvilluar në mërgim.

Por, ndonëse është e Kosovës dhe për Kosovën, LPK-ja nuk ishte e tërë Kosovës dhe për tërë Kosovën. Siç e pamë në episodin me FARK-un, nuk do të pranonin asnjë përkrahje me njerëz e me strukturim nëse nuk viheshin nën komandën e LPK-së.

Në atë kontekst, të vendosjes së vetëm një primati të luftës, të primatit të LPK-së, u vra, në Tiranë, Ahmet Krasniqi, një ish-oficer i APJ-së, i cili me gradën kolonel të kësaj ushtrie të braktisur ishte emëruar si ministër i Mbrojtjes i Qeverisë Bukoshi”.

2.

Këto pjesë nga shpjegimi i librit u përdorën nga mbrojtja e katër ish-prijësve të UÇK-së, të dënuar më 16 shtator në shkallën e parë nga Dhomat e Specializuara. Mbrojtja e H. Thaçit, J. Krasniqit, K. Veselit dhe R. Selimit shpenzoi një pjesë të konsiderueshme të kohës duke shpjeguar pse UÇK-ja nuk ishte ushtri në kuptimin konvencional të fjalës dhe pse njësitet e saj vepronin me një shkallë të madhe autonomie. Ajo argumentoi gjithashtu se, ndonëse kishte fërkime mes forcës guerile dhe faktorëve të tjerë politikë në Kosovë, të mbrojturit e saj kishin bërë përpjekje për t’i tejkaluar ato. Në fund, mbrojtja shpjegoi se si UÇK-ja kishte bashkëpunuar fillimisht me NATO-n, fuqia ushtarake e së cilës e detyroi Serbinë të tërhiqej nga Kosova, dhe më pas me UNMIK-un, autoritetin ndërkombëtar që mori administrimin e vendit.

Pra, sipas mbrojtjes së të akuzuarve, UÇK-ja nuk ishte një ushtri konvencionale me komandë dhe kontroll efektiv mbi çdo njësi; ajo nuk mund të paraqitej si forca që e kishte çliruar vendin dhe, përkundër synimit të saj, nuk përfaqësonte tërësinë politike të Kosovës.

Prokuroria dhe, në fund, trupi gjykues u nisën nga shumë prej të njëjtave fakte organizative, por u dhanë atyre peshë tjetër juridike. Aktgjykimi e përshkruan UÇK-në si trup politik e ushtarak, të dalë nga krahu ushtarak i LPK-së, me synimin e pavarësisë së Kosovës. Por, sipas trupit gjykues, UÇK-ja nuk ishte thjesht një përmbledhje njësish të palidhura guerile dhe as një ushtri e rregullt shtetërore në kuptimin tradicional. Ajo ishte një organizatë politiko-ushtarake në zhvillim, me Shtab të Përgjithshëm, zona operative, njësi, polici ushtarake, shërbim të inteligjencës dhe një zinxhir autoriteti përmes të cilit vendimet dhe politikat mund të përcilleshin deri te strukturat vartëse, krahas një shkalle autonomie në terren.

Në këtë përshkrim, UÇK-ja nuk del as si një grumbull krejtësisht i palidhur njësish guerile, as si një ushtri e rregullt shtetërore. Ajo del si organizatë politiko-ushtarake në zhvillim, e aftë për të përcjellë politika dhe urdhra, por jo domosdoshmërisht për të ushtruar komandë dhe kontroll efektiv mbi çdo veprim të çdo njësie. Pikërisht brenda kësaj hapësire ndërmjet strukturës qendrore dhe autonomisë në terren u zhvillua beteja juridike mes Prokurorisë dhe mbrojtjes.

3.

Nëse UÇK-ja nuk ishte ajo që çliroi Kosovën, ku ishte atëherë vlera e UÇK-së, pse duhet ta mbrojmë?

Ja një citat nga libri:

Dalja në skenë e UÇK-së nuk u perceptua te populli i Kosovës si dalje e një krahu të armatosur të drejtuar kundër LDK-së. Për shumicën bazike të Kosovës, dalja e UÇK-së përmbante të ngërthyera në vete disa porosi, dhe që të gjitha të drejtuara Serbisë së Millosheviqit.

Një, se ishte konsumuar rruga e cila mbështetej vetëm në rezistencën paqësore. Dy, se tashmë kishte dalë në skenë një brez njerëzish të gatshëm të flijohej për liri me pushkë në dorë. Tre, se e tërë kjo ndodhte si një zhvillim drejtimi të boshtit kurrizor- shenjë kolektive se nuk do të durohet më përulja ndaj regjimit serb.

Ky raison d’etre është ai që krijoi një simpati të gjerë për UÇK-në, një simpati që tejkaloi me lehtësi, pa ndonjë analizë serioze përshkrimin inicial të dr. Rugovës se UÇK-ja ishte formuar nga UDB-ja serbe.
Për një popull që po ndëshkohej kolektivisht për një dhjetëvjetësh të tërë, dalja e një rinie të armatosur, qoftë edhe me fjalor revolucionar të ditëve të kaluara të marksizëm-leninizmit, ishte një freski.

Dhe freski e mirëseardhur.

(...)

Paraqitja e UÇK-së qe e nevojshme  edhe për të krijuar një dinamikë negociatore që do ta motivonte bashkësinë ndërkombëtare (Amerikën dhe vendet e fuqishme evropiane) për të ndërhyrë në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Amerika dhe vendet e fuqishme evropiane qenë të painteresuara për të ndryshuar ndonjë gjë në qasjen e tyre ndaj Kosovës deri në paraqitjen e UÇK-së.

Kur një herë u bë e dukshme se kishte gatishmëri prej shqiptarëve në Kosovë, që edhe në kushtet krejtësisht të disfavorshme për luftë të armatosur, dhunës t’i jepet përgjigje me dhunë, atëherë ndryshoi edhe qasja e Amerikës dhe e vendeve të Evropës. Natyrisht, vlerësimi i tyre ishte, me të drejtë, se çfarëdo guerile kosovare mund të shkaktonte vetëm një reagim të madh të Serbisë me pasoja katastrofale për popullatën civile - një lloj ringjalljeje e pamjeve nga Bosnja që nuk donin t’i shihnin në lajmet e mbrëmjes.

Po të fusnim pak terminologji kimike në këtë rrëfim historik e politik për UÇK-në, roli i kësaj organizate do të mund të cilësohej si i një katalizatori. 

Ashtu sikurse katalizatorët shpejtojnë procesin reaktiv të dy elementeve kimike për të arritur te transformimi (apo transicioni te gjendja tjetër kimike), po në atë formë qe e nevojshme prania e UÇK-së që përzierja kimike e okupimit serb me rezistencën e Kosovës të arrijnë momentin transformativ, transicional, duke ftuar që këtë proces ta përshpejtojë dhe drejtojë ndërhyrja ushtarake e NATO-s.
Do të jetë për një kohë të gjatë e debatueshme se a do të kishte reagim të atillë “kimik” të NATO-s po të mos ishte paraqitur fenomeni katalizator i UÇK-së, dhe me siguri mund të ndodhë të ketë interpretime të kundërta. 

Interpretimi im është në favor të UÇK-së. Unë besoj se po të mos ishte paraqitur UÇK-ja, me të gjitha mangësitë e veta, nuk do të kishte përshkallëzim të atillë ushtarak dhe diplomatik që do të çonte te ndërhyrja e NATO-s.

Dhe kjo është vlerë e jashtëzakonshme e UÇK-së.

4.

Kjo është historia, gjegjësisht një interpretim i historisë që nuk reduktohet në mitin se UÇK-ja e çliroi Kosovën dhe që, njëkohësisht, nuk i mitizon personalitetet udhëheqëse të saj. Një reduktim i këtillë historik ia humb vlerën e jashtëzakonshme që ka pasur UÇK-ja: atë të një force që, në kulmin e vet, arriti të kishte rreth 13 mijë luftëtarë dhe që, përkundër mungesës së personelit, armatimit e organizimit, iu kundërvu aparatit shtetëror ushtarak e policor të Serbisë, i angazhuar në një fushatë të dhunës sistematike dhe të dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga Kosova.

Një luftë mund të jetë e drejtë pa qenë i drejtë çdo veprim i kryer në emër të saj. Dhe përgjegjësia eventuale e individëve nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së, të luftës apo të Kosovës.

UÇK-ja nuk ka nevojë për mitin se e çliroi Kosovën. Ka nevojë për të vërtetën: se ishte një pakicë e armatosur e një shoqërie të tërë në rezistencë; se u përpoq t’ia kthejë asaj ndjenjën e dinjitetit; se e ndryshoi dinamikën ndërkombëtare; dhe se ndihmoi të krijoheshin kushtet për ndërhyrjen vendimtare të NATO-s. Kjo e vërtetë është mjaftueshëm e madhe.

Sot, kur në sheshe dhe në rrjetet sociale zhvillohen fushata për mbrojtjen e UÇK-së, mbase hapi i parë është që UÇK-ja të mbrohet nga miti. Dhe nga sharjet e fyerjet që bëhen në emër të tij.