KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Στήλες

Το Κοσσυφοπέδιο εξακολουθεί να αποτελεί πεδίο δοκιμών για διεθνή πειράματα

Gjykata Speciale është vetëm një prej eksperimenteve që ka bërë dhe bën bashkësia ndërkombëtare me Kosovën. Por ajo i tejkalon të gjitha eksperimentet e tjera, sepse është shndërruar në një trup të paprekshëm, ndaj të cilit Kosova dhe BE-ja kanë obligime, por ajo nuk i jep përgjegjësi askujt. Ndërsa arsyet e themelimit të saj do të mund të përdoreshin për themelimin e gjykatave të ngjashme për vendet e tjera po ashtu. Sepse nuk është Kosova vendi i vetëm ku kërcënohen dëshmitarët, ku nuk ka guxim për të ndjekur krimet e luftës në nivel të lartë. Madje duke pasur parasysh se sa gjykata me karakter ndërkombëtar (ICTY, gjykatat e UNMIK.ut, EULEX) kanë pasur kompetenca për të ndjekur rastet në Kosovë, më së paku ka pasur Kosova nevojë për një Gjykatë Speciale. Krijimi i kësaj gjykate ka qenë dhe mbetet një prej gabimeve më të mëdha që ka bërë Kosova në historinë e saj, por gabim që nuk zhbëhet

Nuk është çështje e emocioneve, as e mosrespektimit të drejtësisë, as mungesës së ndjenjës për viktimat të pohosh se gjithçka rreth “dhomave të specializuara të Kosovës” (një formulim absurd i një Gjykate Speciale) është një padrejtësi ndaj Kosovës, popullit të saj dhe luftës për çlirim. Prej zanafillës së saj e deri te verdikti i së mërkurës së shkuar forcohet kjo përshtypje. Carla del Ponte, një prokurore me shumë dështime, për të cilën shumë ish-kolegë konfirmuan se është marrë më shumë me politikë sesa me rastet gjyqësore, kishte shkruar një libër kontrovers ku mes tjerash kishte folur për indikacionet se pjesëtarë të UÇK-së, mes krimeve të tjera, kishin bërë edhe “nxjerrje dhe shitje të organeve”. Edhe pse ajo nuk kishte dëshmi për këtë, autoriteti i saj bëri që akuzat e tilla të merren seriozisht. Pastaj një mik i saj, Dick Marty, bëri raportin ku përmendi të njëjtat gjëra. Mediat, duke pasur përpara faktin se këto gjëra po i shkruante një kryeprokurore ndërkombëtare dhe një deputet zviceran i Këshillit të Evropës publikuan këtë. Dhe kështu citimi i citimit të citimeve i dha një kredibilitet një dyshimi për krimet më çnjerëzore që mund të ndodhin, nxjerrjen e organeve për t’i shitur. Këtu përfundon puna e armiqve të Kosovës. Ata me miratimin e Rezolutës në Këshillin e Evropës bën punën e tyre. Ani pse raporti në mënyrë të qartë diskrediton edhe UÇK-në edhe NATO-n edhe gjithë praninë ndërkombëtare në Kosovë, që shihet në tekstin e saj, miqtë e Kosovës u shqetësuan shumë, tej mase. Dhe nisën presionin ndaj Kosovës që të pranojë hetime ndërkombëtare, e pastaj edhe krijim të Gjykatës, për të sqaruar deri në fund këto pohime dhe për ta hequr një njollë kaq të zezë që rëndon tash mbi Kosovën. Ata në mënyrë naive injoruan faktet që tregonin qartë për tendencat e del Pontes dhe Dick Martyt.

Del Ponte tregimin për organet e kishte dëgjuar nga gazetarët. Por as vetë gazetarët nuk u kishin besuar këtyre tregimeve, ndryshe vetë do të kishin shkruar, dhe do të bëheshin pa dyshim heronj. Del Ponte si kryeprokurore kishte bërë hetime, por nuk kishte gjetur prova. E pastaj ato që nuk i kishte provuar me hetime i kishte shkruar në libër. Bashkautor i librit ishte një gazetar Chuk Sudetiq, për të cilin thonë se Del Ponte e kishte punësuar në Gjykatën e Hagës, por askush nuk e dinte se çfarë bënte ai. Motivet e del Pontes për të lëshuar një re të tillë të zezë mbi UÇK-në mund të kenë qenë humbja e rasteve që ajo i kishte nisur kundër disa krerëve të UÇK-së.

Se Dick Marty ishte tendencioz shihet në tërë raportin. Ai me raport tenton të rrëzojë narrativin se UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare e Serbia agresive. Madje UÇK-në në raport e quante si “aleate të NATO-s në terren”, gjë që nuk është e vërtetë. Disa shtete të NATO-s kanë bashkëpunuar me UÇK-në, por për këtë në NATO asnjëherë nuk ka pasur pajtim. Ndërsa tendenca më e qartë e Dick Martyt shihet paraqitja kolektive, ose së paku e shumicës së UÇK-së si kriminale, ndërsa individualizon ata që kanë pasur qëllim fisnik.

“Përderisa pa dyshim ka pasur ushtarë të guximshëm që ishin të vullnetshëm të shkojnë në frontin e luftës përballë armiqësive të mëdha, dhe nëse ishte e domosdoshme të vdisnin për çështjen e atdheut shqiptar të Kosovës, këta luftëtarë nuk ishin domosdo të shumicës”. Këtu Marty zbulohet, por këtë e injoruan të tjerët.

Po të mos ishte përmendur trafikimi i organeve nuk do të kishte raport të Këshillit të Evropës. Po të mos kishte Raport të Këshillit të Evropës për trafikim të organeve nuk do të bëhej e madhe kjo temë. Po të mos bëhej e madhe kjo temë nuk do të bëhej presion për krijimin e Gjykatës Speciale. Dhe po të thuhej pas hetimeve të para trevjeçare të Task-Forcës nga prokurori Williamson se nuk ka trafikim organesh nuk do të kishte financim aq të madh për këtë Prokurori dhe këtë Gjykatë. Prandaj Williamson doli me raport se ai nuk ka gjetur dëshmi, po beson se ka indikacione se ka pasur edhe trafikim organesh.

Edhe Dick Marty edhe del Ponte kanë folur publikisht kundër pavarësisë së Kosovës. 

Të gjithë ranë në grackë. Asnjë aktakuzë nuk përmend trafikimin e organeve, pra arsyen kryesore për krimin e kësaj Gjykate. Dhe në fund pa marrë parasysh se cili do të jetë epilogu nuk do të konstatohet asnjëherë se nuk ka pasur trafikim organesh, sepse përmes procedurave gjyqësore konstatohet se çfarë ka ndodhur dhe jo çfarë nuk ka ndodhur. Edhe kur konstatohet se nuk ka dëshmi se diçka ka ndodhur mbetet hipoteza se ka mundur të ketë ndodhur. Prandaj ka qenë e qartë se qëllimi i tërë kësaj ndërmarrjeje, prej Del Pontes, përmes Dick Martyt e tutje është që të kriminalizohet lufta e UÇK-së dhe të krijohet një balancë, në të cilin bashkësia ndërkombëtare në rajon do të fajësonte të gjitha palët për konflikte dhe krime. Kështu tash po i afrohemi momentit kur gjeneratat e reja do të mendojnë se në Ballkan ka pasur konflikte mes popujve të ndryshëm dhe krime të tmerrshme nga të gjitha palët. Ky është një narrativ që relativizon agresionin e Serbisë ndaj shteteve fqinje dhe krimet sistematikisht të planifikuara mirë, ekzekutuar mirë dhe për të cilat në mënyrë sistematike është bërë përpjekje për t’i mbuluar gjurmët. Dhe këto krime shtetërore të Serbisë nuk mund të krahasohen me asgjë tjetër, edhe pse që nga dita e shpalljes së verdiktit nga Gjykata Speciale, nisën barazimet dhe krahasimet e tilla.

Gjykata Speciale është vetëm një prej eksperimenteve që ka bërë dhe bën bashkësia ndërkombëtare me Kosovën. Por ajo i tejkalon të gjitha eksperimentet e tjera, sepse është shndërruar në një trup të paprekshëm, ndaj të cilit Kosova dhe BE-ja kanë obligime, por ajo nuk i jep përgjegjësi askujt. Ndërsa arsyet e themelimit të saj do të mund të përdoreshin për themelimin e gjykatave të ngjashme për vendet e tjera po ashtu. Sepse nuk është Kosova vendi i vetëm ku kërcënohen dëshmitarët, ku nuk ka guxim për të ndjekur krimet e luftës në nivel të lartë. Madje duke pasur parasysh se sa gjykata me karakter ndërkombëtar (ICTY, Gjykatat e UNMIK-ut, EULEX)  kanë pasur kompetenca për të ndjekur rastet në Kosovë, më së paku ka pasur Kosova nevojë për një Gjykatë Speciale. Krijimi i kësaj Gjykate ka qenë dhe mbetet një prej gabimeve më të mëdha që ka bërë Kosova në historinë e saj, por gabim që nuk zhbëhet.

Gjykata dhe Prokuroria Speciale kanë shumë anomali dhe gjëra që nuk do të shkonin në një gjykatë normale, as ndërkombëtare e as nacionale.    

Quhet “e Kosovës”, por të vetmit kosovarë në të janë të akuzuarit. Nuk kanë asnjë simbol të shtetit të Kosovës, por gjykon në emër të popullit të saj. Ndërsa mungesa e transparencës mohon edhe të drejtën themelore për mbikëqyrje publike të punës së saj. Është formuar si pasojë e një libri kontrovers të shkruar nga persona me motive personale dhe paragjykuese, që ka pasuar me një Raport dhe Rezolutë teksti i të cilave nuk do të përmbushte kushtet as për botim në gazetë, sepse flet për “indikacione” dhe “supozime”. Dhe quhet “kosovare”, por ata që punojnë në të kanë rroga ndërkombëtare, në mënyrë disproporcionale më të larta jo vetëm sesa në Kosovë, por edhe në vendet e BE-së që kryesisht e financojnë. Mbi të gjitha, kjo Gjykatë gjykon vetëm shqiptarët, asnjë akuzë nuk ka pasur ndaj të tjerëve, e bën të vetmen njëetnike. Ndërsa arsyet e themelimit të saj do të mund të përdoreshin për themelimin e gjykatave të ngjashme për vendet e tjera po ashtu. Ajo, me apo pa dashje, krijon një disbalancë të madhe në krijimin e përshtypjes për të kaluarën duke i barazuar agresorin dhe ata që mbrojtën trojet e tyre. Prandaj Kosova në asnjë rrethanë nuk është dashur të pranonte krijimin e saj, sepse nga fillimi ishte e mundshme të parashikohej se në cilin drejtim do të shkonte. Sa për premtimet që kanë marrë nga “miqtë ndërkombëtarë”  politikanët e Kosovës kur formuan Gjykatën Speciale vlen ajo thënia shqipe “prej kur doli shkresa humbi besa”. Nuk ka asnjë premtim apo garanci që ka ndonjë vlerë. Catherin Ashton që e para urdhëroi krijimin e Task Forcës së parë për të hetuar këtë rast është në pension. Federika Mogherini po përballet vet me akuza për korrupsion. Ambasadorët e atëhershëm të vendeve mike në Kosovë janë në pension ose nuk janë më fare në politikë. E në Bruksel, sa herë që në mesin e nëpunësve të BE-së përmendet kjo Gjykatës Speciale ose nuk dinë gjë për të ose thonë “ah ajo Gjykata e organeve a?!”.