Nuk jam e vetmja që e thotë që po të kishin punuar përditë, të gjithë: qeveri, kuvend, gjyqësor, etj. etj., ashtu siç funksionoi i gjithë cirku i 6 tetorit, a thua sa larg kishim mbërritur si shtet e shoqëri. Me siguri e kishim kaluar fazën e pubertetit në të cilën kemi ngecur qe sa e sa vjet. Mëkat.
Ishte ditë me shi. Me të përfunduar dita e gjatë e provimit (diplomoja po qe se kaloja), profesori vendosi të na i grumbullonte indekset e t’i linte mbi katedër. Ndërkohë, tekstualisht, do të ikte prej aty prej frikës se mos po sulmohej nga ndonjëri student të cilin do ta rrëzonte për të 25-tën herë.
Hymë në klasë, dhe e bëmë një rrëmujë të paparë: ishim nja njëqind, dhe të gjithë ia kishim mësyrë katedrës për ta marrë librezën e për ta shikuar notën. Bash dukeshim si pula pa kokë. Vetëm tre ia kishim dalë të kalonim. Nuk qe kujtim shumë i bukur.
Natën e 6 tetorit thuajse e përjetova të njëjtën skenë. Dallimi qe që ngarendjen e 80 e kusur vetave, që ia mësynin tavolinës për ta marrë fletëvotimin, e shikoja në televizor. Që të gjithë dukeshin si pula pa kokë. Nuk e di çfarë kujtimi do t’u ketë mbetur nga ajo natë nervaprishëse. Mbase e bukur. Ia dolën t’i mbanin mandatet e deputetit. Natyrisht, nëse Kushtetuesja nuk vendos ndryshe.
* * *
E gjithë java shkoi me takime të dështuara dhe deklarata ultimative nga të dyja anët. Me një çast u besua se ishte arritur marrëveshja: që ligji i propozuar nga PDK-ja të kalonte në leximin e parë; që kandidati apo kandidatja e propozuar e VV-së të votohej nga PDK-ja dhe më pas të votohej ligji në leximin e dytë. Por, PDK-ja ndërroi qëndrim. Tha, më së pari votohet ligji, e më pas bisedojmë për kryetarin/en. Por nuk thoshte kur. Ani që dihej se afati për zgjedhjen e shefit a shefes së shtetit përfundonte më 6 tetor në mesnatë.
Të hënën, Prishtina e përjetoi një betejë petardësh e gazi lotsjellës që zgjati deri në mesnatë, dhe e cila fort i ngjante atmosferës tepër të tensionuar që tashmë e kishim përjetuar më 2004-n, e më vonë edhe përgjatë shumë protestave të VV-së që përfundonin me thyerje, me gurë të hedhur, me shkatërrim veturash e çka mos.
Që paradite, protestuesit kishin nisur të hidhnin petardë në drejtim të Kuvendit e Qeverisë dhe kërcënonin se do t’i ndalnin deputetët që të mësynin të largoheshin nga Kuvendi. Kërkesa e tyre ishte kalimi i ligjit. Të cilin, shumica, e besoj, nuk do ta kenë lexuar, e as nuk do t’ia dinin përmbajtjen.
Situata u qetësua me ndërhyrjen e përfaqësuesve të OVL-së, kur protestuesit u shpërndanë, për t’u mbledhur sërish nesër. Nuk qe kujtim i bukur.
* * *
E nesërmja na detyroi t’i angazhonim të gjitha ekipet për ta përcjellë një ditë që e dinim se do të ishte maratonike.
Por sinqerisht, asnjëri nuk e kemi menduar se ajo do të reduktohej në këmbimin e pafund të konferencave për shtyp dhe në shndërrimin e gazetarëve në transmetues porosish te pala tjetër – sepse takimi mes krerësh partish nuk ndodhte se nuk ndodhte. Ani që, ashtu më thonë, zyrat e grupeve parlamentare në Kuvend, i paskan përballë.
Kurti doli disa herë dhe i dha disa propozime. Që fillimisht të votohej kryetari, e që ligji të votohej në shqyrtim të dytë të enjten, pasi të ketë kaluar 72-orëshi i detyruar. PDK-ja refuzoi. Më pas, propozoi që të votoheshin kryetari dhe ligji në të njëjtën seancë, duke i zotuar 62 votat e “veta”, e duke i kërkuar 22 të PDK-së. PDK-ja refuzoi. Pastaj doli me dy emra dhe me propozimin që të votohet ligji e më pas edhe njëri nga kandidatët e VV-së: Konjufca ose Feride Rushiti. PDK-ja refuzoi, dhe shtoi se me UÇK-në nuk bëhet pazar.
Koha po fluturonte, kurse gjasat që të shmangeshin zgjedhjet e reja, po zvogëloheshin. Pra, PDK-ja insistonte ta kalonte ligjin duke e ditur se moszgjedhja e kryetarit e bënte të pamundur kalimin e tij. Vështirë t’i gjendej logjika këtij qëndrimi, pos nëse do të jetë llogaritur se për moskalimin e ligjit do të mund të fajësohej Kurti dhe që kjo do të kishte ndikim te protestuesit për edhe më shumë rrëmujë në shenjë pakënaqësie.
Tashmë kishin mbetur më pak se dy orë në dispozicion, dhe Kurti doli sërish në konferencë. Në stilin që duket se e bën të lumtur dhe të ngazëllyer: “full suspense”, sikur të ishte një film që shikohet në YT, duke e shtypur ekranin me gisht me qëllim për ta mbërritur fundin me shpejtësi të dyfishtë. Dhe kështu u dukën 133 minutat e filmit të fundit “Made in Kosova”:
22:12 – Kurti kandidon Shiroka-Pulën
23:08 – Hamza e pranon kandidaten, me kundërkandidate Eliza Hoxha
23:24 – Nis seanca për Projektligjin për Specialen
23:26 – Deputetet shkojnë nëpër komisione
23:45 – Votohet projektligji në lexim të dytë
23:46 – Nis seanca për zgjedhjen e kryetares së shtetit
23:49 – Mblidhet komisioni për legjislacion
23:52 – Kthehet komisioni – votohet komisioni zgjedhor
23:54 – Nis thirrja e deputetëve
23:55 – Nis votimi
00:03 – Futet vota e fundit
00:14 – Komisioni e përfundon raportin
00:16 – Deliu-Kodra shpall rezultatet – Shiroka-Pula, kryetare
00:19 – Kryetarja e zgjedhur hyn në sallën plenare
00:20 – Kryetarja e jep betimin
00:24 – Kryetarja e nis fjalimin
00:25 – Kryetarja e përfundon fjalimin
00:25 – Mbyllet seanca
Happy ending? Nuk e di. Kanë mbetur edhe katër ditë brenda të cilave mund të kontestohet i gjithë procesi, ligji, e edhe zgjedhja e kryetares.
Te ligji, fillimisht, për shkak se nuk është respektuar afati 72 orësh për leximin e dytë. Më pas, për shkak se ky ligj i derogon dispozitat kushtetuese, shkel një marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërhyn thellë në kompetencën lëndore dhe kohore të Speciales.
Dhe përderisa është vendim sovran i Kuvendit t’i bëjë amendamentimet a votimet e ligjeve që e vlerëson se duhet, ndryshimet megjithatë, duhen bërë në përputhje me Kushtetutën, të cilën vetë e ka votuar.
Te kryetarja për shkak se Kushtetuesja e ka caktuar afatin prekluziv, që ka qenë mesnata midis 6 dhe 7 tetorit. Votimi ka nisur 5 minuta para mesnatës, kurse vota e fundit është hedhur 3 minuta pas mesnatës.
A do ta kontestojë kush këtë apo a do të merret Kushtetuesja me këtë çështje sipas detyrës zyrtare ose jo, nuk e dimë. Në rastin hipotetik se mund të merret, mbase do ta kemi rastin për ta përjetuar prodhimin edhe të një aktgjykimi “kreativ”, sikur plot të tjerë që na i ka ofruar në dekadën e fundit. E aktgjykimet e saj kanë ditur edhe të na i shmangin zgjedhjet e edhe të na çojnë në procese zgjedhore.
* * *
Se a ka mundur krejt më ndryshe?
Natyrisht se ka mundur. Ka mundur vjet, po ta kishte pranuar LDK-ja koalicionin pas zgjedhjeve të shkurtit. Besoj se edhe kishte pasur qeveri stabile, edhe ishte zgjedhur kryetari i shtetit në mars të sivjetmë edhe nuk na e kishin çarë kokën me budallallëqe dhe me skema se kush kujt ia lë kilen te dera.
Ka mundur sivjet, po ta kishte pranuar i gjithë GP i LDK-së Bekim Sejdiun për kryetar. Më së pari nuk ishte shkelur afati për konstituimin e Kuvendit; ishte zgjedhur njeriu me procedurë të rregullt, në pikë të ditës, pa pasur nevojë për filma. Dhe do të krijoheshin kushtet për marrëveshje për një strategji qasjeje të procedurës së apelit në Hagë, pa u ngutur me improvizime ligjore që duken të jenë të pazbatueshme.
Ka mundur, po të kishte pak mirëbesim mes partish.
Ajo që u vërtetua, sërish dhe kushedi për të satën herë, është se askush askujt nuk i beson; se gjithmonë dikush dikujt do që t’ia luajë lojën, dhe që asnjëri, ama bash hiç, nuk çan kokë për popullin e mjerë, që në sytë e tyre nuk është asgjë më shumë sesa një makinë votimi.
* * *
Nuk jam e vetmja që e thotë që po të kishin punuar përditë, të gjithë: qeveri, kuvend, gjyqësor, etj. etj., ashtu siç funksionoi i gjithë cirku i 6 tetorit, athua sa larg kishim mbërritur si shtet e shoqëri. Me siguri e kishim kaluar fazën e pubertetit në të cilën kemi ngecur qe sa e sa vjet. Mëkat.