Austria e Vjenës e nisi me humbje 1:0 nga Chelsea aventurën në fazën e ligës në Champions te futbollistet.
Por, skuadra austriake krijoi shumë, sidomos me sulmuesen e Kosovës, Modesta Uka.
Wieke Kaptein shënoi supergol në minutën e 11-të për fitoren e skuadrës londineze. Ndërkohë, Uka që luajti deri në mnutën e 79-të, krijoi rrezik të vazhdueshëm për Chelsean, por ishte e pafat.
Pati disa pasime të mira për bashkëlojtaret, ndërsa ishte e pafat në minutën e 76-të kur e qëlloi shtyllën me gjuajtje mjeshtërore nga zona.
Për të ka shkruar edhe mediumi i fuqishëm “The Guardian”. Liga e Kampionëve në rrjetet sociale ka postuar një fotografi të saj duke treguar për gjashtë golat e Ukës në kualifikime.
“Kosovarja shënoi në fitoren 3:2 ndaj Hajdukut të Splitit dhe i realizoi dy gola tjerë në fitoren 5:0 ndaj Farul Constantas në raundin e dytë kualifikues, para se të shënonte ‘hat-trick’ në fitoren 4:0 ndaj skuadrës norvegjeze, Brann, për ta përmbysur rezultatin e humbjes 2:1 nga ndeshja e parë në udhëtim, në raundin e tretë kualifikues kur edhe e siguroi fazën e ligës”, ka shkruar “The Guardian” pas ndeshjes.

Trajneri i Ukës dhe i Austria Vjenës, Stefan Kenesei, e ka lavdëruar Ukën për paraqitjen dhe ka thënë se ajo e meriton të luajë në nivelin më të lartë.
“Ajo është lojtarë e madhe dhe e meriton të luajë në këtë nivel, njësoj si i gjithë ekipi”, ka thënë Kenesei. “Ajo e meriton të luajë në Ligën e Kampionëve dhe e kemi parë se sa shumë potencial ka tek ajo”.
Austria Vjena ndeshjen e radhës e luan në shtëpi përballë Interit.