Dukej se futbolli ndërkombëtar do të vazhdonte qetë pas Kupës së Botës. Por ndodhi e kundërta.
Periudha e sapopërfunduar e ndeshjeve të Ligës së Kombeve në Evropë ishte dinamike dhe plot ngjarje, shkruan të mërkurën AP.
Cristiano Ronaldo u largua nga grumbullimi i Portugalisë. Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp nisën punën në krye të Francës e Gjermanisë. Tensioni nuk mungoi në ndeshjet e Irlandës me Izraelin. Dhe kishte shumë lojtarë të lënduar. E gjithë kjo ndodhi ndërsa lojtarët e Manchester Cityt, të grumbulluar me përfaqësueset përkatëse, përballeshin me lajmin se klubi i tyre ishte përfshirë në një nga skandalet më të mëdha në historinë e futbollit anglez.
Aventura e trazuar e Ronaldos
Pas më shumë se 23 vjetësh, 234 ndeshjeve dhe 146 golave, karriera ndërkombëtare e Cristiano Ronaldos duket më pranë fundit se kurrë. Një përplasje e hapur me trajnerin e ri, Jorge Jesus, është shndërruar në thuajse telenovelë. Ronaldo, tashmë 41-vjeçar, braktisi ekipin për shkak të pakënaqësisë lidhur me minutat e pakta në fushë.
Portugalia i fitoi tri ndeshjet pa Ronaldon në fushë. Zëvendësuesi i tij, Gonçalo Ramos, ashtu si në Kupën e Botës 2022 kur ylli ikonik u la fillimisht jashtë formacionit, i shënoi tre gola.
Ronaldo e mbylli këtë periudhë ndërkombëtare me një postim të gjatë, drejtuar 679 milionë ndjekësve të tij në “Instagram”. Aty janë renditur tetë gjëra që Jesusi duhej t’i thoshte në konferenë për shtyp, por që në fakt nuk i tha.
Pika e gjashtë në atë listë ishte kërkesa që Jesusi të pranonte gabimin kur i kishte kërkuar “dikujt të kalibrit të Peles apo Maradonas” të bënte ngrohje pranë fushës, për të mos e futur më pas në lojë kundër Norvegjisë.
Ronaldo shkroi se pret pezullim sipas rregulloreve të federatës, por u premtoi tifozëve të tij se “do të kemi një ose më shumë ndeshje lamtumire”.

Tensionet e pritura
Dy ndeshjet e zhvilluar brenda tetë ditëve mes Irlandës dhe Izraelit rezultuan po aq problematike sa që ishte parashikuar kur UEFA hodhi shortin në muajin shkurt.
Afërsia e irlandezëve ndaj popullit palestinez e kishte shtyrë federatën irlandeze të kërkonte vitin e kaluar përjashtimin e Izraelit nga garat e UEFA-s, për shkak të shkeljeve të statutit të Konfederatës Evropiane.
Irlanda më pas refuzoi të organizonte ndeshjen me Izraelin në Dublin. Dy ndeshjet e tensionuara u luajtën në terren neutral, në Hungari dhe Serbi. Kishte konferenca për shtyp të ngarkuara me pyetje provokuese. Fillimisht Irlanda e më pas të dy ekipet mbajtën shirita të zinj në krah. Irlandezët nuk ua dhanë dorën lojtarëve të Izraelit, kurse mbajtën kokën ulur gjatë intonimit të himnit të Izraelit.
UEFA po heton nëse një lojtar i Izraelit ka pështyrë një trajner irlandez. Nga Irlanda ka kërkesa që më mos të luajnë me Izraelin.
Klopp në vështirësi, Zidane me vetëbesim të madh
Papritur, futbolli ndërkombëtar po përjeton epokë të “supertrajnerëve”. Jurgen Klopp dhe Zinedine Zidane i janë bashkuar një grupi ku tashmë ishin emra si Carlo Ancelotti dhe Thomas Tuchel.
Pas pesë vjetësh larg stolit, Zidane u kthye dhe regjistroi tri fitore e një barazim në krye të Francës. Legjenda e fushës së futbollit, e shijoi këtë përvojë. Ai mbeti i mahnitur me golat e Michael Olise duke vrapuar pranë fushës për të festuar dhe duke goditur një top, si dhe duke treguar prekjen magjike të topit në një rast tjetër.
Ndërsa Zidane ka një ekip thuajse të gatshëm, kjo nuk mund të thuhet për Jurgen Kloppin. Nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë për ekipin e Gjermanisë që prej kohësh nuk po arrin rezultate të mira. Gjermania e fitoi vetëm një nga katër ndeshjet e saj. Humbi në shtëpi nga Greqia, por nuk mund të bëhen vlerësime të shpejta.
Kloppi eksperimentoi me dy formacione të ndryshme për të parë më shumë lojtarë në lojë. Atij do t’i duhet më shumë kohë për të implementuar stilin që ka.
ΒΛΑΒΗ
Gjithçka nisi që në natën e parë të ndeshjeve, kur Brian Brobbey i Holandës dhe Kai Havertz i Gjermanisë u larguan nga fusha të lënduar, që në pjesën e parë.
Më pas lëndimet nuk kishin të ndalur. Kylian Mbappe i Francës u largua duke çaluar. Alexander Isak, Cody Gakpo ishin të radhës, para Ferran Torresit e shumë të tjerëve.
Edhe Erling Haaland doli duke çaluar nga fusha, në ndeshjen e fundit të Norvegjisë. Ai dukej shumë i lodhur. Manchester City ka telashe të mjaftueshme dhe nuk i duhet ndonjë lëndim i lojtarit kryesor.
Periudha e gjatë e ndeshjeve ndërkombëtare
Periudha e parë e gjatë e ndeshjeve ndërkombëtare në fillim të edicionit, funksionoi mirë për përfaqësueset më të forta dhe u vlerësua nga trajnerët e rinj që po njiheshin me lojtarët e tyre.
Për shembull Anglia luajti vazhdimisht në nivel të lartë, ndonëse Thomas Tuche preferonte sistemin e vjetër me periudha prej dy ndeshjeve në shtator, tetor e nëntor.
Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, sugjeroi se kalendari i ngjeshur ishte “tepër kërkues” për lojtarët, ndërsa trajneri i Uellsit, Craig Bellamy vuri në dukje stresin që përjetoi skuadra e tij më e vogël.
“E dimë që grumbullimi me katër ndeshje është disavantazh i madh për ne”, tha ai.
Klubet evropiane prej kohësh i kishin kërkuar FIFA-s t’i grumbullonte ndeshjet e ekipeve përfaqësuese në më pak periudha, për të kufizuar ndërprerjet në sezonte e tyre dhe udhëtimet e gjata për lojtarët.
Sa u takon rezultateve, Spanja vazhdoi ku e la në Kupën e Botës. I fitoi të gjitha katër ndeshjet. Në Ligën A vetëm edhe Portugalia i kishte të gjitha fitore.
Italia duket se po del nga gjendja e plogështisë. Italia, që mbeti për herë të tretë jashtë Botërorit, fitoi dy nga katër ndeshjet e saj dhe barazoi në udhëtim ndaj Francës. Është periudha e dytë e Roberto Mancinit në krye të Italisë. Në periudhën e parë e fitoi Evropianin në vitin 2021. Ndoshta Italinë po e pret një tjetër rilindje!