Federata e Futbollit e Turqisë ka ndërmarrë veprimin më të rëndësishëm në futboll në vitet e fundit.
Federata turke ka njoftuar se ka suspenduar 448 ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktual për përfshirje në bastvënie. Është hap i rëndësishëm dhe i qartë se në Turqi dëshirojnë ta largojnë korrupsionin nga futoblli.
Federata nëpërmjet një komunikate ka treguar se të gjithë zyrtarët e suspenduar i ka dërguar në komitet disiplinor.
Hetuesit kanë konstatuar përfshirjen e tyre në aktivitete të bastvënieve, derisa mbanin pozita zyrtare në kategorinë e parë dhe të dytë të futbollit në Turqi gjatë edicionit 2026/27, dhe në pesë vjetët e fundit.
Ka edhe emra të rëndësishëm që janë në këtë listë. I përfshirë është edhe presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, dhe zëvendëspresidenti i Beshiktashit, Hakan Daltaban. Përmasat e hetimit janë tejet të mëdha.
Sipas mediumeve turke të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”, afro 171 persona prej emrave të përmendur, kanë punuar në klube të Superligës së Turqisë.
Dogan e ka thyer heshtjen. Presidenti i Trabzonsporit ka konfirmuar se më parë e ka pasur një llogari të bastvënieve, dhe e ka dorëzuar atë tek autoritetet.
“Këto kompani kanë qenë sponsorë në klube dhe kanë organizuar ngjarje. Askush nuk ka pritur që kjo mund të shkaktonte probleme”, ka thënë ai për televizionin “A Spor”. “Nëse ne kemi bërë gabim atëherë kërkojmë falje, por nuk kemi bërë diçka të gabuar”.
Ky vendim e forcon kontrollin e Federatës mbi çështjet e bastvënieve. Është vazhdimësi e skandalit madhor që e shokoi futbollin turk vitin e kaluar, ku afro 149 gjyqtarë dhe 1024 lojtarë, u suspenduan për periudha të ndryshme, para se shumë prej tyre, lojtarë elitarë dhe zyrtarë të lartë, u burgosën. Rasti kishte të bënte po ashtu për bastvënie ilegale dhe kurdisje të ndeshjeve në ligat profesionale.
Hetuesit tani kanë hapur një tjetër pistë të re. Autoritetet turke të martën kanë ndaluar presidentin dhe gjashtë anëtarë të bordit të gjyqtarëve të futbollit, me akuza për ndërhyrje në procedura të referimit, si shenjë që skandali mund të arrijë në çdo institucion të lojës.