Vedat Muriqi u paraqit për herë të parë në përbërjen bazë të Fenerbahçes, pas kthimit te gjiganti turk i futbollit. Por Feneri luajti vetëm 1:1 me Lyonin të martën mbrëma në Stamboll, në ndeshjen e parë të plejofit kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Muriqi luajti 82 minuta dhe kishte paraqitje të mirë. Rezultati e lë të hapur sfidën për ndeshjen e kthimit, që zhvillohet më 26 gusht nga ora 21:00 në Lyon.
Muriqi ka falënderuar tifozët për përkrahjen. E çmon faktin se Fenerbahçe luan në stadium të mbushur, pavarësisht nëse rezultatet janë të mira apo të këqija.
“I çmoj të gjithë ata për përpjekjet dhe përkrahjen. Mendoj se kemi bërë ndeshje të mirë. Pranuam gol në fund të pjesës së parë dhe pjesën e dytë e kemi nisur mirë. Pas golit të barazimit morëm kontrollin. 1:1 është gjithnjë rezultat më i mirë se humbja. Do të donim të kishim rezultat më të mirë për të pasur avantazh për ndeshjen e kthimit, por nuk ndodhi. I presim tifozët tanë edhe në Francë. Duam ta dëgjojmë himnin e Ligës së Kampionëve, të cilin po e presim për shumë vjet, këtu në Kadikoy, duke fituar në Francë”, ka thënë Muriqi, shkruan faqja zyrtare e Fenerbahçes.
Muriqi ka thënë se e kishte startin më të keq të mundshëm “si transferim i ri”, për shkak të lëndimit të pësuar në ditët e para të fazës përgatitore. Ai pësoi lëndim të hamstringut.
επίσης
Μετά από πέντε χρόνια, το Κόσοβο φιλοξενεί τη Σλοβενία, τώρα υπό διαφορετικές συνθήκες
“Pasi ndodhi në fazë kritike, procesi i rikuperimit duhej të ishte më i gjatë, por mendoj se jam kthyer shumë më herët se që është pritur. Falë fizioterapeutëve, masazherëve, mjekëve, trajnerit të fitnesit dhe gjithë stafit isha në gjendje të luaja për 80 minuta. Jam sulmues dhe duhet të shënoj gola. E di këtë, por kam luajtur më parë këtu dhe ata që më njohin e dinë se synimi im parësor është të jem i vlefshëm për ekipin. Nëse isha i vlefshëm, nëse kam bërë presion në ekipin kundërshtar me përpjekjet, kjo mjafton për mua, do të jem i lumtur. Nëse ka gol, do të jem dyfish i lumtur. Por golat do të vijnë. Mendoj se jemi ekip shumë, shumë i mirë”, ka thënë Muriqi.
Romelu Lukaku e zëvendësoi Muriqin në minutën e 82-të. Lukaku u transferua ditë më parë te Fenerbahçe.
32-vjeçari Muriqi ka thënë se do të mësojë shumë nga Lukaku.
“Lukaku ka arritur, mund ta quajmë yll botëror. Do të mësoj shumë prej tij. Mendoj se e plotësojmë njëri-tjetrin. Ai gjithashtu është person me qëllime shumë të mira. Fenerbahçe duhet t’i ketë gjithnjë dy-tri opsione të mira në sulm, mbrojtje e mesfushë. Mendoj se e kemi këtë tani. Luajmë 40-50 ndeshje në vit. Nuk ka rëndësi nëse luan Lukaku apo Vedati, nëse Lukaku aktivizohet apo Vedati aktivizohet. Jemi të fokusuar te synimi kryesor. Duam të kualifikohemi në Champions fillimisht dhe më pas të bëhemi kampionë”, ka thënë Muriqi.
επίσης
Εννέα χρόνια μετά το ντεμπούτο, το Κόσοβο ελπίζει σε ένα επιτυχημένο ξεκίνημα
Plejofi është faza e fundit kualifikuese para fazës së ligës në Champions League. Faza e ligës e zëvendëson fazën grupore.
Muriqi luajti dy ndeshje si zëvendësues, para se të startonte të martën mbrëma.