Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Roberto Carlos, ka rrëfyer për problemet e mëdha financiare me të cilat është përballur pas përfundimit të karrierës.
Legjenda braziliane ka deklaruar se ka humbur rreth 99 për qind të të ardhurave që kishte krijuar gjatë karrierës si futbollist.
Carlos ka treguar se një pjesë e problemeve lidhej me mënyrën se si ishin menaxhuar financat e tij dhe me njerëzit të cilëve u kishte besuar pasurinë.
Carlos ka pranuar se situata kishte qenë veçanërisht e vështirë për të dhe familjen e tij, ndërsa ka theksuar se edhe vetë ka bërë gabime gjatë menaxhimit të parave.
“Kam pasur probleme me disa njerëz që ma zbrazën llogarinë bankare. Kam humbur 99 për qind të parave që kisha fituar nga futbolli. Kisha një problem shumë serioz familjar. Të enjten shkova të flija në mesnatë, ndërsa të premten mora një grumbull dokumentesh për të cilat nuk dija asgjë. Pikërisht atëherë kuptova se kisha humbur gjithçka që kisha ndërtuar gjatë gjithë jetës”, ka thënë Carlos, shkruan të hënën “Goal”.
Megjithatë, ish-futbollisti ka thënë se kjo përvojë i ka shërbyer si mësim dhe se futbollistët e rinj duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje menaxhimit të pasurisë.