Menaxheri Altin Lala, ka kritikuar ashpër Beshiktashin për situatën me Milot Rashicën.
Ai ka thënë se Beshiktashi po sillet si klub amator.
Lala të mërkurën për KOHËN ka theksuar se Beshiktashi po mundohet ta nxjerrë keq Rashicën në media.
“Janë super amatorë, pasi vijnë tre ditë para se mbyllet afati kalimtar dhe na thonë të gjejmë ekip. Ka pasur kohë të mjaftueshme për të na informuar dhe për të shikuar ekipe tjera. Zgjidhja e kontratës mund të bëhej shumë lehtë. Kanë bërë zgjidhje të kontratave me disa lojtarë. Kanë paguar 50 % të pagës në letër, te Miloti as 10-15% i thonë të paguajnë. Nëse dëshiron të heqësh lojtarin, nuk mundesh, prandaj nënshkruhen kontratat katër apo tre vjet. Është një sjellje skandaloze dhe mundohen nëpër mediat që i kanë të nxjerrin keq Milotin. Të gjithëve ua kanë paguar në gusht pagat, kurse Milotit ende nuk ia kanë paguar. Janë gjëra, me një fjalë pazar turqish”, ka thënë Lala.
Lala nuk e di nëse Rashica do të mbetet pjesë e Beshiktashit.
“Në Evropë është mbyllur, kanë mbetur edhe disa shtete. Miloti ka pasur nga Turqia, një ose dy oferta, por jo interesante. Mund të ndodh diçka ose të qëndrojmë. Në Arabi ka kohë, por edhe atje vendet janë të limituara. Të shohim me shpresë të ndodhi diçka”, është shprehur Altin Lala.
Klubi turk i ka kërkuar largimin Rashicës. Por Rashica ka refuzuar largimin.
Rashica me Beshiktashin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Por reprezentuesi kosovar nuk bën pjesë në planet e Beshiktashit.