Gazeta e madhe e Italisë, “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim mbrojtësit të Kosovës, Mërgim Vojvoda.
Në shkrimin e gazetës italiane, Vojvoda përshkruhet si “lojtar i gjithanshëm”.
“I transferuar nga Como për rreth 1.5 milionë euro, Mërgim Vojvoda, forcon mbrojtjen e Udineses. Duke shijuar edicione të mira me fanellën ‘bardheblu’, kosovari është një përforcim i rëndësishëm në krah për Udinesen. Një lojtar i gjithanshëm. Ai është një mbrojtës natyral, por luajti rol më të avancuar te Como, duke treguar aftësi veprimi në sulm. Tek Udinese ai pritet të luajë si mbrojtës i krahut”, shkruan mediumi i madh italian të hënën.
Vojvoda iu bashkua në fillim të muajit Udineses nga Como. Ai në Serie A ka luajtur 168 ndeshje. Ka pesë gola e 17 asistime.