Eksperti finlandez i referimit, Jan-Peter Aravirta, ka thënë se VAR-i tregoi mëshirë ndaj Finlandës që të shtunën fitoi në shtëpi ndaj Shqipërisë me rezultatin 2:1.
Ndeshja ishte e vlefshme për Grupin C1.
Shqipëria në fundin e ndeshjes kërkoi penallti pas një ndërhyrjeje në Myrto Uzunin.
Adam Markhiyev e rrëzoi në zonë sulmuesin e Shqipërisë. Më pas, gjyqtari Robert Hennessy u konsultua me VAR-in dhe dha goditje dënimi për finlandezët, ndërsa Uzunit iu tregua kartoni i verdhë.
Sipas Aravirtas, situata ishte penallti e qartë. Arsyetimi i tij ishte që Uzuni u mundua ta shmang ndërhyrjen e Markhiyevit dhe kjo rezultoi në humbjen e balancimit të sulmuesit “kuqezi”.
“Pavarësisht se a ka kontakt apo jo, rregulli thotë se penalltia jepet edhe nëse mbrojtësi tenton të bëj ndërhyrje. Markhiyevi u shtri. Sulmuesi u mundua t’i shmangej goditjes dhe u hodh lart për ta arritur topin”, ka thënë ish-gjyqtari i UEFA-s që ishte deleguar në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe në cikle kualifikuese të Kupës së Botës dhe Kampionateve Evropiane.
Ai ka thënë se ka mbetur i befasuar me vendimin. E ka quajtur këtë rast si “situatë e veçantë”.
“Si mundet që kjo situatë të mos jetë penallti? A është tregues se VAR-i nuk është i përkryer”, ka shtuar tutje Aravirtas.
Ndeshja vazhdoi pas vendimit të VAR-it që konfirmoi se Uzuni kishte simuluar.
Finlanda me fitoren e arritur me golat e Leo Waltas, doli e para në grup me shtatë pikë, një më shumë se Shqipëria. Për Shqipërinë shënoi Rey Manaj në minutën e katërt. Nga minuta e 22-të, Shqipëria luajti pa portierin Etrit Berisha, që u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje jashtë zonës.
Në këtë grup janë edhe San Marino në vendin e tretë me katër pikë dhe Bjellorusia e fundit, pa pikë.
Shqipëria të martën luan në shtëpi ndaj San Marinos. Finlanda si mysafire luan ndaj Bjellorusisë në Budapest të Hungarisë.