Një pjesë e kompanive të Kosovë e kanë zgjeruar aktivitetin, duke blerë kompani të tjera private në Shqipëri. Drejtori i “Klubit të Prodhuesve” në Kosovë Astrit Panxha, investimet e tilla i konsideron pozitive, pasi thotë se nga to përfiton ekonomia e shtetit. Por, ndryshe mendon profesori i ekonomisë, Nagip Skenderi, sipas të cilit ekonomia e Kosovës humb, ngase kapitali investohet jashtë vendit.
Kompanitë nga Kosova po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin në Shqipëri. Ato janë të pranishme në disa sektorë.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka thënë se deri në vitin 2025, investimet në këtë shtet janë bërë kryesisht në patundshmëri, por nga ky vit kanë ndryshuar.
“Këtë vit ka një zhvendosje, në vitin 2025, ku më shumë janë kompanitë e Kosovës që po investojnë në Shqipëri. Kemi rastin e blerjes së rrjetit të shitjes me pakicë, domethënë nga retail-i i Kosovës”, ka treguar Panxha.
Pnaxha i konsideron përfitim për ekonominë e Kosovës, edhe një numër blerjesh të bizneseve të Shqipërisë.
“Edhe një kompani e Kosovës që investon, për shembull kemi rastin që ka hyrë në tregun e shitjes me pakicë, ajo mundet me i sjellë produktet e Kosovës më lehtë me i futë në ato. Pastaj dividenta që fitohet në atë kompani sjellët në Kosovë. Shërbimet e tjera të marketingut e shumë shërbime të tjera mundem me u centralizuar në Kosovë që të bëhen për gjithë rajonin”, ka deklaruar ai.
Por, mendim ndryshe ka profesori i ekonomisë, Nagip Skenderi.
“Ekonomia e Kosovës humb, ngase në vend që kapitali të investohet në ekonominë e Kosovës, të kthehet si “feedback” si rezultat i kthyer, punëdhënia, rritja e GDP-së dhe rritja e mirëqenies sociale në Kosovë, neve tash kapitalin po e bartim në atë kuptimin që nuk jemi të gatshëm të ju ndihmojmë shumë investitorëve, për të pasur një përkrahje më të fortë investitorët në Kosovë, prandaj terren ata po gjejnë jashtë Kosovës. Prandaj Kosova nuk përfiton këtë kontekst”, ka thënë Skenderi.
Skenderi ka listuar disa faktorë, të cilët sipas tij, ndikojnë në zhvendosjen e kapitalit të kompanive nga Kosova, në vendet e tjera.
“Kushtet e pafavorshme politike, pasiguria politike, pasiguria institucionale ka bërë që shumica e këtyre investitorëve serioz ta investojnë kapitalin e tyre në një terren që është më i sigurt, dhe në këtë kontekst ata që e gjejnë Shqipërinë jo vetëm si terren të sigurt intensiv por edhe si terren mbarëkombëtar. Por një fakt tjetër është i pamohueshëm, që Shqipërinë tani e bën më interesant si treg, atraktiv, edhe përafria e saj në integrimin e plotë të Bashkimit Evropian”, ka thënë tutje ai.
Në vitin 2025 investimet e Kosovës në Shqipëri kanë pasur vlerën 186.4 milionë euro.
Ρεζάνα Μποζλάνι