KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
οικονομία

Μέχρι τον Ιούλιο, η διασπορά είχε επενδύσει 380 εκατομμύρια ευρώ σε ακίνητα.

ΚΤΙΡΙΑ

Në patundshmëri vazhdojnë të koncentrohen investimet e huaja në Kosovë. Deri në fund të korrikut, investimet direkte shënuan vlerën prej 587 milionë eurosh, 65 për qind e së cilës shumë janë investime në patundshmëri, kryesisht nga diaspora. Ekonomistët e kanë cilësuar këtë investim të vdekur, pasi sipas tyre investimi që gjeneron zhvillim është ai në prodhim, energji dhe sektorë të tjerë të ekonomisë

Paratë që hyjnë nga jashtë në Kosovë përqendrohen shumë më shumë në patundshmëri, sesa në sektorët që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë aktivitet ekonomik të vazhdueshëm.

Banka Qendrore ia ka konfirmuar KOHËS se nga janari e deri në fillim të gushtit, rreth 65 për qind e të gjitha investimeve direkte, janë bërë në patundshmëri.

“Deri në fund të muajit korrik 2026, investimet direkte në Kosovë shënuan vlerën 587.26 milionë euro, prej të cilave 442.89 milionë euro është kapital i ri, 64.05 milionë euro është fitimi i riinvestuar dhe 80.33 milionë euro kredi ndërmjet kompanive investuese. Nga totali i investimeve, 379.81 milionë euro janë investime në patundshmëri (kryesisht nga diaspora)”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Ekonomisti Fidan Qerimi ka vlerësuar se përqendrimi i investimeve të huaja në patundshmëri nuk garanton të njëjtin efekt afatgjatë në ekonomi sikurse investimet në prodhim, energji apo sektorë të tjerë.

“Investimet në patundshmëri domethënë janë investime të vdekura. Nuk gjenerojnë ekonomi transaksionle. Ato janë transaksionale për shembull në tregun energjetik, ose edhe në sektorët e prodhimit, dhe ato gjenerojnë për çdo ditë dhe për çdo vit, ekonomi dhe rritje të ekonomisë”, ka thënë Qerimi.

Por, sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, investimet në sektorin prodhues kërkojnë shumë kushte.

“Investimet në prodhim dhe në sektorët e orientuar drejt eksportit janë më komplekse. Ato varen nga një numër më i madh faktorësh, përfshirë fuqinë punëtore të kualifikuar, infrastrukturën, energjinë, qasjen në financim, zinxhirët e furnizimit, standardet dhe certifikimet, si dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare”, kanë thënë nga kjo agjenci.

Ndërkaq, ekonomisti Qerimi ka thënë se në mungesë veprimesh nga shteti, kapitali i diasporës orientohet në patundshmëri.

“Fatkeqësisht ne si vend, dhe si shtet nuk kemi ndërmarrë hapa të përmirësimit të ambientit investues”, ka vlerësuar Qerimi.

E, përcaktimit të mërgimtarëve që një pjesë të fitimit jashtë vendit ta sjellin në Kosovë duke blerë banesa e lokale, i gëzohen në agjencitë e patundshmërive që ndërmjetësojnë shitblerjet.

“Tregu i patundshmërisë, i shitblerjes së pronave, me aq sa unë merrem me to, sjell fitime të mëdha mbase është një fitim që vjen në një kohë të caktuar, nuk vjen menjëherë por është një fitim për kompanitë, për punëtorët sepse shton edhe vende të punës, por mandej krijon edhe hapësira për banime kolektive, për hapjen e bizneseve, për fabrika dhe gjana të tjera”, ka thënë Valentina Ahmeti, drejtoreshë e agjencionit të patundshmërive “Tina’s Estate”.

Të dhënat e BQK-së për investimet e huaja për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, tregojnë se vetëm 9.6 për qind janë përqendruar në sektorin prodhues, 2.8 për qind në tregti, ndërsa 2 për qind në energji.

Boxx: Kusari-Lila: Kosova ofron mundësi për investime e zhvillim të biznesit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se diaspora ka shumë potencial për investime në Kosovë. Ajo ka njoftuar të shtunën se gjatë vizitës dyditore në Gjermani ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, e në të cilin ka përçuar edhe mesazhin për investim. Kusari-Lila ka thënë se gjatë prezantimit para ndërmarrësve, ka folur për mundësitë që ofron Kosova për investime, zhvillim të biznesit dhe bashkëpunim ekonomik, por edhe për potencialin e madh të diasporës përmes përvojës, rrjeteve dhe njohjes së tregjeve gjermane e evropiane.

Ρεζάνα Μποζλάνι