“Jemi mirënjohës që inteligjenca po funksionon tani dhe po flas për paralajmërimin e hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për njerëzit tanë, për fëmijët, të rriturit dhe civilët, sepse mund të dëgjojmë kur po vjen një raketë balistike”, tha Zelensky gjatë një vizite në Norvegji. “Prandaj, tani jemi mirënjohës ndaj palës amerikane që kjo po funksionon”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën se Kievi po merr sërish paralajmërime të hershme nga partnerët e tij, pas sulmeve të fundit me raketa ruse, të cilat, sipas tij, ndodhën pa paralajmërim të mjaftueshëm.
Për të paktën një javë, udhëheqësi ukrainas ka thënë se ushtria ukrainase nuk ka marrë paralajmërime të hershme për raketat balistike të drejtuara drejt kryeqytetit, Kievit. Ai tha se ky informacion i inteligjencës shpëton jetë, pasi mundëson aktivizimin e alarmeve për publikun dhe u jep njësive ushtarake kohë që të përpiqen t’i rrëzojnë raketat.
Zelensky tha se ndryshimi ndodhi pas bisedimeve me homologët e tij amerikanë, përfshirë një telefonatë me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më herët gjatë ditës.
“Jemi mirënjohës që inteligjenca po funksionon tani dhe po flas për paralajmërimin e hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për njerëzit tanë, për fëmijët, të rriturit dhe civilët, sepse mund të dëgjojmë kur po vjen një raketë balistike”, tha Zelensky gjatë një vizite në Norvegji. “Prandaj, tani jemi mirënjohës ndaj palës amerikane që kjo po funksionon”.
Zelensky shprehur gatishmëri për tatim trepalësh mes liderëve.
Duke folur për gazetarët në Indi, Rubio pranoi se ekziston pakënaqësi e ndërsjellë mes SHBA-së dhe Ukrainës lidhur me shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe furnizimin me armë, por mohoi kategorikisht se administrata e presidentit Donald Trump ka bërë ndonjë ndryshim në politikën e mëparshme për cilëndo prej këtyre çështjeve.
Në zhvillime të tjera, Rusia ndërmori një tjetër valë sulmesh masive me raketa dhe dronë në zonat civile të Ukrainës, duke vrarë të paktën nëntë persona, thanë zyrtarët, ndërsa Zelensky kërkoi më shumë ndihmë amerikane dhe evropiane.
Zelensky u shoqërua në Norvegji nga i dërguari amerikan, Steve Witkoff, i cili është përpjekur pa sukses t’i drejtojë Rusinë dhe Ukrainën drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës. Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb, u takuan gjithashtu me presidentin ukrainas në kryeqytetin e Norvegjisë.
Gahr Store tha se Witkoff planifikon të udhëtojë të mërkurën drejt St. Petersburgut për t’u takuar me udhëheqësit rusë, për të shkëmbyer idetë nga takimi në Oslo dhe për të ndarë propozimet e kolegëve evropianë dhe amerikanë.
“Sot ishte një ditë e mirë për paqen”, tha Stubb.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se Moska është e gatshme të dëgjojë propozime të reja amerikane për Ukrainën, por nuk pret ndonjë “mrekulli” nga Washingtoni.
Zelensky më herët të martën tha se ka biseduar me Rubion, i cili ndodhet në një udhëtim në Azi.
Kjo bisedë u zhvillua pasi Zelensky u tha të hënën një grupi dypartiak të ligjvënësve amerikanë se beson që “është marrë një vendim politik për ta ngadalësuar ... mbështetjen për ne”.
Sipas Zelenskyt, Ukrainës pothuajse i kanë mbaruar raketat për interceptim të sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat i nevojiten për të ndaluar raketat balistike ruse. Ai i ka kërkuar Washingtonit që të dërgojë më shumë, por tha se Pentagoni po vonon dorëzimin e raketave që vendet e tjera i kanë blerë për Ukrainën.
Zelensky tha gjithashtu se kërkoi ndihmën e Rubios për të siguruar që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të ndajnë me Ukrainën informacione jetike të inteligjencës, pasi Kievi nuk mori fare ose mori me vonesë paralajmërime për sulmet me raketa ruse gjatë ditëve të fundit.
Udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se vazhdojnë të jenë në fuqi kufizimet e shpejtësisë për përdorimin nga vendi i tij të Starshield, versionit ushtarak të shërbimit të internetit satelitor Starlink të kompanisë amerikane SpaceX, gjë që po pengon operacionet në fushëbetejë.
Presidenti amerikan Trump ka hequr gjithashtu përkohësisht sanksionet ndaj Rusisë, një veprim që Zelensky e kritikoi, duke thënë se ndihmon Putinin të vazhdojë pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, i cili në shkurt do të mbushë pesë vjet.
Rubio, i cili mbërriti të martën në Indi për një vizitë zyrtare, mohoi se SHBA-ja po ia mohon Ukrainës ndihmën.
“Asgjë nuk ka ndryshuar”, u tha ai gazetarëve.
Municionet për sistemet Patriot, për të cilat ka nevojë Ukraina, janë në mungesë dhe u nevojiten edhe pjesëve të tjera të botës, tha Rubio.
“Nuk ka pasur ndonjë udhëzim të qëllimshëm politik për të ndërmarrë veprime që dëmtojnë Ukrainën”, tha ai.
Ndërsa ushtria ruse po has vështirësi në vijën e frontit, Putini po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të nënshtrohet përmes bombardimeve, duke e privuar njëkohësisht nga mbështetja jetike amerikane, thonë udhëheqësit dhe analistët perëndimorë.
Vendet evropiane, të shqetësuara për planet e Rusisë në kontinent dhe që e shohin Ukrainën si një mburojë kundër ambicieve të Moskës, po përpiqen të kompensojnë çdo rënie të furnizimeve amerikane, por disa pajisje kyçe janë prodhim amerikan.
Vendet evropiane dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë ndarë 237 miliardë euro (266 miliardë dollarë) për mbështetjen e Ukrainës, krahasuar me 115 miliardë euro (129 miliardë dollarë) nga SHBA-ja, sipas Institutit Kiel të Gjermanisë, i cili përcjell ndihmën për Kievin.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, vuri në pikëpyetje të martën nëse negociatorët amerikanë kanë qenë ndërmjetës të paanshëm në përpjekjet për paqe. Zyrtarët ukrainas thonë se administrata Trump e ka nxitur Kievin t’ia dorëzojë Rusisë territoret në këmbim të paqes.
“Megjithëse negociatorët amerikanë janë përpjekur ta shtyjnë Ukrainën drejt dorëzimit për një vit e gjysmë tani”, Ukraina nuk është dorëzuar sipas kushteve të Putinit, “sepse Evropa e ka mbështetur Ukrainën”, tha Kallas.