KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Ο Τραμπ υποβαθμίζει τον κίνδυνο από την Τεχνητή Νοημοσύνη, αλλά εκφράζει ανησυχίες

Ντόναλντ Τραμπ

Deri të hënën në mbrëmje, Trumpi ka postuar gjashtë herë për këtë çështje, duke reflektuar një temë që brenda një kohe të shkurtër ka dominuar debatin politik në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump kaloi të hënën duke kundërshtuar me zemërim thirrjet e drejtuesve të industrisë së inteligjencës artificiale (AI) për më shumë rregullim nga qeveria të modeleve të avancuara të kësaj teknologjie, duke bërë të qartë, përmes një vargu postimesh në rrjetet sociale gjatë gjithë ditës, se për të përparimi ndaj Kinës dhe ruajtja e përfitimeve ekonomike të nxitura nga AI-ja kanë përparësi më të madhe, sesa adresimi i shqetësimeve në rritje të publikut.

Trumpi pretendoi se po zhvillohej një “konspiracion i sëmurë” për të minuar inteligjencën artificiale dhe tha se mbikëqyrja e tij ishte e mjaftueshme për të parandaluar që modelet e AI-së të dilnin jashtë kontrollit. 

Ai i quajti shqetësimet një “mashtrim”, duke e krahasuar teknologjinë me “mashtrimin e ngrohjes globale” dhe me hetimin për lidhjet e mundshme mes fushatës së tij dhe qeverisë ruse. Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen për qendrat e të dhënave që fuqizojnë AI-në, pavarësisht se ato nuk kanë mbështetje politike. 

“Personat që thonë se AI-ja do ta shkatërrojë botën dhe se qendrat e të dhënave janë të këqija për lagjen tuaj, janë të njëjtët njerëz që, vetëm pak kohë më parë, thanë se bota do të zhdukej nga ‘ndryshimi klimatik’”, shkroi Trumpi. “Ai mashtrim nuk funksionoi për ta dhe tani po kalojnë te tjetri”, shtoi ai. 

Deri të hënën në mbrëmje, Trumpi ka postuar gjashtë herë për këtë çështje, duke reflektuar një temë që brenda një kohe të shkurtër ka dominuar debatin politik në Shtetet e Bashkuara. 

Ai gjithashtu zhvilloi një telefonatë me Jensen Huang, shefin ekzekutiv të prodhuesit të çipave “Nvidia”, për të deklaruar se “robotët nuk do të marrin kontrollin”. Huang, i cili gjithashtu kundërshton rregullimin e industrisë dhe po merrte pjesë në një konferencë, e vendosi telefonatën në altoparlant për t’ua përcjellë të pranishmëve kundërshtimet e Trumpit.

Qëndrimi i ashpër i presidentit, pas një fundjave të kaluar në resortin e tij të golfit në Irlandë, pasqyroi një sërë bisedash që ai zhvilloi me këshilltarë dhe drejtues të industrisë, të cilët kundërshtuan thirrjet e reja të drejtuesve të AI-së për një ngadalësim global të zhvillimit, sipas personave të njohur me çështjen. Trumpi u tha gazetarëve gjatë fundjavës se e përdorte personalisht AI-në, por këshilltarët thonë se kjo kryesisht konsiston në krijimin e imazheve për t’i publikuar në faqet e tij në rrjetet sociale.
Edhe zyrtarë të tjerë brenda administratës, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, vunë në dyshim motivet që i shtynë drejtuesit, përfshirë shefin ekzekutiv të kompanisë “Anthropic”, Dario Amodei, të kërkonin më shumë mbikëqyrje nga qeveria.

Telefonata me shefin e “Nvidias”

Ky qëndrim e ka vendosur Shtëpinë e Bardhë në kundërshtim me skepticizmin në rritje të publikut ndaj AI-së dhe i ka vënë republikanët të cilët janë të cenueshëm politikisht, në një pozitë të vështirë, ndërsa përpiqen t’u tregojnë votuesve se i marrin seriozisht shqetësimet e tyre. Madje disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë privatisht se janë të merakosur nga mungesa e dukshme e shqetësimit të Trumpit për rreziqet e AI-së, një qëndrim që ai e ka mbajtur prej muajsh dhe nga i cili duket se nuk është lëkundur pavarësisht paralajmërimeve të industrisë.

Për katër ditë radhazi, presidenti ka vazhduar të minimizojë nevojën për kontrolle të reja të sigurisë. Të hënën ai tha se SHBA-ja tashmë ka “fuqi të jashtëzakonshme penale dhe rregullatore mbi këto kompani!”.

“Kontrolli i vetëm ose ‘kufizimet’ që i nevojiten AI-së është një president i fortë dhe i mençur (me IQ të lartë!), dhe SHBA-ja e ka një të tillë, madje me tepricë!”, shkroi Trump në Truth Social, ku shpesh publikon imazhe dhe video të krijuara nga AI të vetes së tij.

Ai tha se administrata kishte parandaluar tashmë kompanitë e AI-së që të bënin “gjëra të këqija ose potencialisht të këqija” dhe veçoi Amodein, duke e akuzuar se “tani po shtiret si një ‘engjëll i vogël i përsosur’”.

Më vonë të hënën, Trumpi telefonoi Huangun, i cili ka shprehur publikisht skepticizëm ndaj parashikimeve për një katastrofë të shkaktuar nga AI-ja, ndërsa drejtuesi i teknologjisë po fliste në një samit në Los Anxhelos. Pasi Huang e vendosi telefonatën në altoparlant përpara të pranishmëve, Trumpi tha se ishte gjenetikisht i predispozuar për ta kuptuar këtë çështje, pasi xhaxhai i tij kishte dhënë mësim në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT).

“Unë gjithashtu kam logjikë të shëndoshë për AI-në”, shtoi Trumpi. “Robotët nuk do të marrin kontrollin. AI-ja nuk do të marrë kontrollin e pjesës tjetër të botës. E gjithë kjo është një mashtrim”, shtoi ai gjatë telefonatës.

“Pula që bën vezët e arta”

Trumpi ka promovuar prej kohësh përfitimet e AI-së dhe shumë drejtues të industrisë kanë kontribuar financiarisht në disa prej projekteve të tij prioritare, përfshirë fondin e inaugurimit dhe sallën e ballove që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Rritja marramendëse e AI-së ka sjellë gjithashtu fitime të mëdha në tregun e aksioneve dhe ka nxitur sektorin e prodhimit përmes ndërtimit të qendrave të të dhënave, të dyja këto zhvillime që Trumpi i paraqet si dëshmi të një ekonomie të fortë nën drejtimin e tij. Në një tjetër postim në rrjetet sociale të hënën, ai e quajti AI-në “pula që bën vezët e arta”.

Megjithatë, frika për potencialin e kësaj teknologjie për të eliminuar vende pune dhe ndikimin e qendrave të të dhënave të AI-së në komunitete, ka çuar në një përkeqësim të qëndrimit të publikut ndaj saj. Paralajmërimet e fundit për çështjet e sigurisë kanë forcuar thirrjet për vendosjen e kufizimeve të reja.

Zëvendëspresidenti Vance vuri në dyshim thirrjet e drejtuesve të industrisë për më shumë rregullim të AI-së, duke paralajmëruar se ato mund të shërbejnë si një “kalë trojan” nga kompani që mund të përfitojnë nga kufizimet e reja.

“Ka rreziqe të dukshme nga AI-ja, por ka edhe disa përfitime”, u tha Vance gazetarëve në bazën ajrore Andrews. 

“Duhet të them se personalisht ndihem paksa çuditshëm për faktin që ka kaq shumë kompani të teknologjisë së avancuar të AI-së që po vijnë te qeveria dhe po i luten qeverisë që t’i rregullojë”, shtoi ai.

Megjithatë, Vance pranoi se teknologjia e re shoqërohet me rreziqe dhe tha se shpreson që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi të bashkëpunojnë për të zhvilluar kufizime.

“Nuk mendoj se amerikanët duhet të kenë frikë nga asgjë. Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm se ka rreziqe, ka edhe anë negative për çdo gjë dhe kjo sigurisht vlen edhe për AI-në”, tha Vance para se të hipte në një avion për një fushatë politike.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se gjatë kësaj jave ka të ngjarë të organizohen takime me ekspertë të administratës për AI-në dhe sigurinë kibernetike, për të diskutuar rregullat e mundshme të reja për këtë teknologji. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha të dielën se shpresonte të organizonte bisedime me Trumpin, ligjvënësit dhe drejtuesit e industrisë së AI-së për të përcaktuar rrugën përpara. Të hënën ai tha se takimi ndoshta do të zhvillohej brenda një ose dy javësh, por paralajmëroi kundër nxitimit për veprime nga Kongresi.

“Do të ketë një diskutim të kujdesshëm mbi përgjegjësinë e kompanive për të garantuar sigurinë dhe mbi rolin që, nëse ka një të tillë, duhet të ketë qeveria në këtë çështje. Por përsëri, nuk duam të ndërhyjmë menjëherë”, tha republikani nga Luiziana.

“Reagimi instinktiv i organeve legjislative është t’i mbulojnë gjërat me burokraci dhe rregullim të tepruar. Nëse e bëni këtë, atëherë humbni avantazhin tuaj dhe kjo është një çështje e sigurisë kombëtare për popullin amerikan”, shtoi.

Edhe lideri i shumicës në Senat, John Thune, tha se beson se duhet të ketë “kufizime” për AI-në për të garantuar sigurinë, por preferon një qasje “të lehtë” nga Uashingtoni zyrtar, në mënyrë që SHBA-ja të mbetet konkurruese me Kinën.

Ndërsa shumë ligjvënës pajtohen gjerësisht se AI-ja mund të ketë nevojë për rregullim bazë, ata e pranojnë se përballen me një betejë të vështirë për të arritur diçka konkrete së shpejti. Senatori Bernie Sanders tha të hënën se Kongresi është “në rastin më të mirë, një institucion që lëviz ngadalë. Por shpresoj që të ngrihemi në lartësinë e situatës”.

Senatori republikan John Kennedy tha se “asgjë nuk do të ndodhë, sipas mendimit tim, deri pas zgjedhjeve të mesmandatit”. Megjithatë, ai tha se synon të prezantojë këtë javë një projektligj që do t’u kërkonte kompanive të kenë një “ndërprerës emergjent” për AI-në.

“Thjesht thotë se të gjithë duhet të keni një ndërprerës emergjent, në mënyrë që ta fikni këtë gjë nëse modeli juaj bëhet Terminatori”, u tha gazetarëve ligjvënësi nga Luiziana.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë po punojnë për një përpjekje të re për të forcuar diskutimet e planifikuara për AI-në me liderin kinez, Xi Jinping, kur ai të udhëtojë në Uashington për një vizitë shtetërore javën e ardhshme. 

Trumpi është përgatitur me entuziazëm për këtë rast, përfshirë përfundimin e punimeve të rinovimit në Hyrjen Veriore dhe ndërtimin e një piste të re helikopterësh në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë. 
Në një nga postimet e tij të hënën në rrjetet sociale, Trumpi pretendoi se Xi “ka njoftuar se Kina nuk do të bëjë absolutisht asgjë për të penguar AI-në ose të ardhmen e saj”.

Kur dy liderët u takuan për herë të fundit në Pekin në maj, ata diskutuan kufizimet për AI-në, por arritën rezultate të kufizuara. Javën e kaluar, ministria kineze e Tregtisë tha se dy liderët kishin rënë dakord të krijonin një dialog ndërqeveritar për inteligjencën artificiale.