Duke humbur gjithnjë e më shumë terren në luftën kundër ndryshimeve klimatike, njerëzimi po shkon drejt një bote më të nxehtë nga sa parashikonin ekspertët vitin e kaluar, dhe një nga arsyet kryesore për këtë janë Shtetet e Bashkuara, thuhet në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Nëse të gjitha vendet i përmbushin premtimet për të reduktuar emetimet që mbajnë nxehtësinë në atmosferë, Toka ka të ngjarë të ngrohet prapë se prapë me 1,2 gradë celsius mbi temperaturat aktuale, sipas përditësimit të publikuar të mërkurën nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, i cili përmban llogaritjet më të fundit klimatike.
“Ky është një rezultat më i keq nga sa pritej vitin e kaluar, si pasojë e tërheqjes zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Marrëveshja e Parisit dhe rishikimit të vlerësimeve për emetimet historike”, thuhet në raport.
Raporti fajëson gjithashtu Shtetet e Bashkuara për rritjen e emetimeve vitin e kaluar, duke theksuar se të gjitha ekonomitë e tjera kryesore, që përfshihen në 20 vendet me ekonomitë më të mëdha në botë, e reduktuan ndotjen me karbon ose, të paktën, ngadalësuan rritjen e sasisë së dioksidit të karbonit të çliruar nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit.
“Për nga përmasat, rritja e emetimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e tejkaloi ndjeshëm atë të të gjitha vendeve të tjera dhe u shkaktua nga rritja e kërkesës për energji elektrike dhe rikthimi i prodhimit të energjisë nga qymyri”, thuhet në raport.
Sipas raportit, 124 vendet që rritën emetimet, pa përfshirë 63 vendet që i ulën ato, siç bënë shumica e vendeve evropiane, shtuan 189 milionë tonë dioksid karboni në vitin 2025. Rreth 70 për qind e kësaj rritjeje ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara po përpiqen me të gjitha forcat të pengojnë përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, ndërsa në mënyrë aktive promovojnë dhe subvencionojnë qymyrin ndotës. Edhe diplomacia e tyre po përpiqet t’i bindë vendet e tjera që të tërhiqen nga masat për mbrojtjen e klimës. Është sikur të shohësh zjarrin, të mohosh se ka zjarr dhe më pas të hedhësh edhe më shumë benzinë mbi të”, ka thënë shkencëtari australian i klimës, Bill Hare, drejtor ekzekutiv i organizatës Climate Analytics, e cila vlerëson planet e vendeve për luftimin e ndryshimeve klimatike.
Llogaritjet e reja tregojnë se, nëse vendet i përmbushin të gjitha premtimet e bëra në planet për luftimin e ndryshimeve klimatike, të paraqitura pranë Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2100 temperatura globale do të jetë 2,6 gradë celsius më e lartë se në periudhën para industrializimit. Nëse bota vazhdon në rrugën aktuale, pa marrë parasysh premtimet kombëtare, temperatura do të jetë 2,8 gradë celsius më e lartë se në gjysmën e dytë të shekullit XIX, njësoj si në parashikimin e vitit të kaluar.
Të dyja këto temperatura e tejkalojnë ndjeshëm objektivin e përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit për klimën, të miratuar në vitin 2015, për kufizimin e ngrohjes globale në më pak se 2 gradë celsius dhe, mundësisht, në 1,5 gradë celsius.
Aktualisht, temperatura globale është rreth 1,4 gradë celsius më e lartë se në periudhën para industrializimit.
Në fillim të këtij viti dhe sërish në këtë raport, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara pranuan se nuk ka asnjë mënyrë për ta kufizuar ngrohjen globale në objektivin prej 1,5 gradësh celsius.
Në vend të kësaj, zyrtarët po mbështeten te mundësia e kufizimit të ngrohjes globale në rreth 1,8 gradë celsius dhe më pas në një mënyrë apo tjetër, të largojnë nga atmosfera një sasi të mjaftueshme të dioksidit të karbonit, në mënyrë që temperaturat të ulen sërish në nivelin prej 1,5 gradësh celsius.
Bota po mbetet “rrezikshëm larg” edhe këtyre objektivave, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke shtuar se “ne i kemi mjetet për të ndryshuar drejtimin dhe për t’u tërhequr nga pragu i katastrofës”.