KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Μαθητές λυκείου στις ΗΠΑ πουλάνε όπλα σε καρτέλ

Εφηβος

Φωτογραφία: New York Times

Të joshur nga paratë dhe statusi, adoleshentët në Arizona po blejnë, vjedhin dhe shesin armë që përfundojnë te grupet kriminale në Meksikë.

Janë shumë të rinj për të blerë një birrë dhe mezi kanë mbushur moshën për të drejtuar makinën. Megjithatë, katër adoleshentë nga Arizona janë përfshirë tashmë në botën e krimit.

Në fundjavë, ata udhëtojnë drejt shkretëtirës Sonoran, jashtë Phoenixit. Gazetari i “New York Times” i ka parë teksa vendosnin pushkë të tipit AR-15 dhe AK pranë makinave të tyre, pozonin për fotografi dhe qëllonin në shënjestër. Në mbrëmje, ata shkonin në festa, pinin kanabis dhe kalonin orë të tëra në rrjetet sociale.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të trafikimit, këta të rinj janë pjesë e një rrjeti në rritje të nxënësve të shkollave të mesme dhe të rinjve amerikanë që furnizojnë me armë disa nga kartelet më të fuqishme dhe më të dhunshme të Meksikës.

Katër trafikantë, të moshës 16 deri në 19 vjeç, të gjithë nxënës ose ish-nxënës të shkollave të mesme në pjesën perëndimore të Phoenixit, i treguan gazetarit të “New York Times” se si sigurojnë dhe shesin armë. Bëhet fjalë për armë të ndryshme, nga pistoletat deri te pushkët e fuqishme.

Ata thanë se armët ua shesin kryesisht pjesëtarëve të karteleve që veprojnë në Shtetet e Bashkuara. Në disa raste, sipas tyre, armët i vjedhin dhe më pas i rishesin.

Të rinjtë nuk janë të lidhur me një grup të vetëm kriminal. Ata thanë se motivohen kryesisht nga paratë, statusi dhe ndjenja e përkatësisë.

Për shkak të natyrës së paligjshme të veprimtarisë së tyre, ata folën në kushte anonimiteti. Identitetet e tyre u verifikuan përmes dokumenteve zyrtare. Gazetari i “New York Times”-it vëzhgoi gjithashtu transaksione armësh përmes grupeve të koduara në WhatsApp dhe kanaleve në Telegram.
Njëri prej tyre, 18-vjeçari që përdor nofkën “El Flaco”, tha se pas shitjes së parë të një arme kuptoi se mund të fitonte para lehtësisht. Ai tha se nuk dëshiron të jetë i varfër dhe se ka gjetur një mënyrë për ta shmangur këtë.

Autoritetet amerikane thonë se grupet kriminale meksikane po mbështeten gjithnjë e më shumë te adoleshentët dhe të rinjtë në shtetet kufitare, si Arizona. Afërsia me Meksikën, prania e pjesëtarëve të karteleve në SHBA dhe mundësia për të fituar shpejt para kanë ndihmuar në zgjerimin e këtyre rrjeteve.

A.J. Gibes, agjent special i Byrosë për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët në Phoenix, tha se për të rinjtë kjo mund të duket si një mundësi për të fituar shpejt para. Ai shtoi se aplikacionet e koduara të komunikimit e kanë bërë më të lehtë këtë aktivitet.

Të dhënat federale tregojnë se të rinjtë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të trafikantëve të armëve. Nga më shumë se 11 mijë persona të identifikuar në hetimet e autoriteteve amerikane mes viteve 2017 dhe 2021, rreth një e treta ishin nën moshën 25-vjeçare. Rreth 5 për qind ishin nën 17 vjeç.

Jason Red, ish-agjent i Departamentit amerikan për Sigurinë Kombëtare, i cili hetoi rrjetet e trafikimit të armëve në Arizona, tha se në çdo rast të trafikimit të organizuar që kishte trajtuar, ishte përfshirë të paktën një adoleshent, shpesh nxënës shkolle.

Sipas tij, hetimet fillimisht zbuluan adoleshentë që kontrabandonin armë drejt Meksikës. Më pas, autoritetet gjetën se të rinjtë i siguronin armët edhe përmes internetit dhe rrjeteve sociale, ndërsa disa i blinin në mënyrë të ligjshme pasi mbushnin 18 vjeç.

Ndërkohë, sasi të mëdha armësh vazhdojnë të kalojnë nga SHBA-ja drejt Meksikës. Kjo lidhet me ligjet më të lejuara për armët në disa shtete kufitare, përfshirë Arizonën, si dhe me kërkesën e lartë nga grupet kriminale meksikane.

Autoritetet meksikane vlerësojnë se deri në 500 mijë armë kontrabandohen çdo vit nga Shtetet e Bashkuara drejt Meksikës. Ato përdoren në konfliktet mes grupeve kriminale dhe në përleshjet me autoritetet meksikane, duke kontribuar në dhunën që ka goditur komunitete të tëra dhe ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.

Meta, kompania që zotëron Facebookun dhe WhatsAppin, thotë se ndalon blerjen, shitjen dhe shkëmbimin e armëve në platformat e saj. Megjithatë, adoleshentët treguan se këto rregulla mund të anashkalohen lehtësisht.

Në Arizona, shitjet private të armëve mund të kryhen pa kontrolle të historikut të blerësit dhe pa mbajtje të detyrueshme të të dhënave. Kjo ua lehtëson trafikantëve sigurimin e armëve pa u zbuluar.
Për t’iu shmangur autoriteteve dhe kompanive si Meta, trafikantët krijojnë dhe fshijnë vazhdimisht grupe bisedash. Ata shmangin ndarjen e të dhënave personale dhe pranojnë anëtarë të rinj vetëm përmes rekomandimeve.

Meta tha se, kur identifikon aktivitete të tilla në WhatsApp, bllokon llogaritë e përfshira dhe u përgjigjet kërkesave të vlefshme të autoriteteve.

“Kush vritet me armët e mia nuk është problemi im”

Sipas 18-vjeçarit J.M., gjithçka nisi dy vjet më parë në banjën e një shkolle. Ai dhe dy shokë diskutuan për blerjen e armës së tyre të parë.

Ata mblodhën 700 dollarë. Njëri shiste ushqime, tjetri punonte në një restorant, ndërsa i treti, që kishte mbushur 18 vjeç, mund ta blinte ligjërisht armën te një tregtar i licencuar.

Të tre blenë një pushkë të tipit kallashnikov për 700 dollarë dhe e shitën për 1 mijë e 200 dollarë. Fitimin e përdorën menjëherë për të blerë armë të tjera.

Sot, J.M. thotë se koordinon dhjetëra nxënës nga të paktën 20 shkolla të mesme në Phoenix. Sipas tij, armët sigurohen përmes burimeve të ligjshme dhe të paligjshme dhe shumica përfundojnë te pjesëtarë të karteleve meksikane.

Gazetari i “New York Times” e takoi J.M. vjeshtën e kaluar, përmes një pjesëtari të një karteli me bazë në Arizona. Ky person i tha gazetarit se rrjeti i nxënësve ishte bërë një nga furnizuesit kryesorë të armëve, veçanërisht për armë të kalibrit të lartë.

Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të zbatimit të ligjit thonë se kartelet përdorin shpesh adoleshentë për trafikimin e armëve. Ata mund të përballen me dënime më të shkurtra nëse kapen, kanë më pak të dhëna kriminale dhe tërhiqen lehtësisht nga premtimi për fitime të shpejta.

Të rinjtë rrallë flasin për atë që ndodh me armët pasi kalojnë kufirin.

“Çfarë bëjnë me to dhe kë vrasin nuk është problemi im, për sa kohë që unë i marr paratë”, tha 18-vjeçari El Flaco. Ai tha se pjesëtarët e karteleve nuk janë njerëz të pafajshëm.

Adoleshentët flasin për trafikimin e armëve si sipërmarrës me përvojë. Ata diskutojnë për fitimet, furnizuesit dhe mënyrën e transportimit të armëve. Madje, flasin për pistoletat dhe pushkët me të njëjtin entuziazëm me të cilin të rinjtë e tjerë flasin për atlete apo makina sportive.

J.M. thotë se rrjeti i tij nuk i përket një grupi të vetëm kriminal. Megjithatë, ai pranon se shumica e armëve përfundojnë te karteli Sinaloa. Sipas autoriteteve amerikane, ky grup kontrollon në masë të madhe rrjetin e trafikimit të armëve dhe drogës mes Arizonës dhe Sonorës.

Armët sigurohen në mënyra të ndryshme. Disa blihen ligjërisht nga nxënës që kanë mbushur moshën e lejuar. Të tjera vidhen nga shtëpi dhe automjete, madje në disa raste edhe nga prindërit e vet.
Sipas El Flacos, trafikantët përdorin gjithashtu grupe në WhatsApp dhe Telegram për të gjetur armë. Ata organizojnë takime dhe, në disa raste, paguajnë me para të falsifikuara.

Kur sigurojnë armët, disa trafikantë u heqin numrat serialë për ta bërë më të vështirë gjurmimin e tyre.
Armët ruhen në apartamente, ambiente magazinimi ose vende të tjera të fshehta, derisa të merren nga pjesëtarët e karteleve. Në disa raste, trafikantët paguajnë nxënës të tjerë për t’i transportuar armët përtej kufirit, deri në vende të caktuara në Meksikë.

J.M. thotë se deri vonë, dyqanet e armëve ishin ndër burimet kryesore të furnizimit. Ai përshkroi marrëveshje të fshehta, në të cilat disa pronarë, menaxherë dhe punonjës dyqanesh rrisnin çmimet për të përfituar nga shitjet.

Një nga furnizuesit e përmendur prej tij ishte Laurence Gray, pronar i një dyqani armësh në Arizona. Ai u padit në mars me akuzën se kishte tentuar të furnizonte me armë kartelin Sinaloa dhe Kartelin e Gjeneratës së Re Jalisco. Gray është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ndërsa J.M. përfshihej në marrëveshje gjithnjë e më të mëdha, trafikantë me përvojë i mësuan se si t’u shmangej përgjegjësive ligjore. Ai tha se një nga mënyrat ishte raportimi i armës si të vjedhur, edhe nëse ajo ishte blerë ligjërisht.

J.M. thotë se sa më shumë armë trafikonte, aq më shumë rritej besimi ndaj tij. Më pas, kontaktet e lidhura me kartelet nisën t’i ofronin armë më të fuqishme dhe marrëveshje më të mëdha.

Kartelet rrallë i blejnë armët drejtpërdrejt. Në vend të kësaj, përdorin ndërmjetës, rekrutues dhe blerës në Shtetet e Bashkuara për të krijuar distancë mes tyre dhe armëve.

Fitimet mund të jenë të mëdha. Një pistoletë Beretta 9 milimetra, e blerë ligjërisht për rreth 700 dollarë, mund të shitet deri në 1 mijë e 500 dollarë. Një Colt .38 Super, i preferuar prej kohësh nga kartelet meksikane, kushton rreth 1 mijë e 200 dollarë në SHBA, por mund të shitet deri në 2 mijë e 500 dollarë në Meksikë.

Në Meksikë, rrjeti i J.M.-së ka marrë një nofkë mes klientëve: “Djemtë e Phoenixit”.

“Ne jemi këtu për çfarëdo që t’i duhet cilitdo grup”, tha J.M.

Paratë e falsifikuara dhe dhuratat luksoze

Një 19-vjeçar i njohur me nofkën “El Güero”, që në spanjisht do të thotë “Biondi”, i tregoi gazetarit të “New York Times” një kartëmonedhë prej 20 dollarësh.

Në pamje dukej krejtësisht e vërtetë. Por ajo ishte e falsifikuar. Në dritë, në të shfaqej shënimi se ishte prodhuar vetëm për qëllime filmike.

19-vjeçari tha se përdorte para të falsifikuara për të blerë armë në Phoenix. Sipas autoriteteve, kjo është një metodë e përdorur shpesh nga trafikantët e armëve në Arizona.

Ai kalon orë të tëra në grupet e Telegramit duke kërkuar persona që shesin armë. Më pas negocion çmimin, cakton një takim në ndonjë parking dhe shkon me paratë e falsifikuara.

Armët më pas përfundojnë te J.M., El Flaco ose te blerës të tjerë.

Për El Flacon, gjithçka nisi kur ishte vetëm 14 vjeç dhe sapo kishte filluar shkollën e mesme. Ai tha se armët ishin të zakonshme mes nxënësve. Disa publikonin fotografi me pistoleta në Instagram dhe TikTok, ndërsa të tjerë i mbanin armët në makinat e tyre gjatë orëve të mësimit.

El Flaco tha se armën e parë, një Glock 19X, e bleu në moshën 14-vjeçare me paratë që kishte kursyer duke punuar si kuzhinier në një restorant. Më pas e shiti përmes një grupi në WhatsApp dhe me paratë bleu një pushkë, të cilën e shiti për pothuajse dyfishin e çmimit.

“E kuptova se kisha gjetur mënyrën”, tha ai.

Ai vazhdoi me këtë aktivitet edhe pasi mbushi 18 vjeç. Në nëntor të vitit të kaluar, e la shkollën e mesme.

Paratë i shpenzon edhe për një jetë luksoze. El Flaco tha se u blen të dashurave rroba dhe dhurata të shtrenjta. Ndër blerjet e tij përmendi një qen të racës bulldog francez, për të cilin pagoi rreth 5 mijë dollarë, si dhe një buqetë me trëndafila që i kushtoi rreth 1 mijë dollarë.

Ai tha se rekrutonte miq që sapo kishin mbushur 18 vjeç për të blerë armë në emër të tij, përmes tregtarëve të licencuar ose panaireve të armëve. Kështu, sipas tij, përpiqej t’u shmangej kontrolleve të autoriteteve.

Një ditë, J.M. dhe El Flaco u shfaqën në hotelin e gazetarit me një çantë të zezë. Brenda saj kishte një pushkë të tipit AR-15, të çmontuar, dhe një granatë dore. J.M. tha se e kishte blerë granatën sepse i dukej interesante.

Më vonë, El Flaco i tregoi gazetarit një grup në WhatsApp ku tregtoheshin armë. Ai ndaloi te një fotografi me dy pushkë të tipit AR-15 dhe gjashtë pistoleta. Brenda pak minutash nisi të negociojë me shitësin për njërën prej pushkëve, por në fund nuk e bleu, duke besuar se mund të gjente çmim më të mirë.

Sipas A.J. Gibes, agjent special i ATF-së në Phoenix, përdorimi i WhatsAppit, Telegramit dhe Signalit për tregtimin e armëve është rritur ndjeshëm gjatë pesë deri në dhjetë vjetëve të fundit.

Këto aplikacione e kanë bërë më të lehtë lidhjen mes blerësve dhe furnizuesve. Trafikantët nuk varen më vetëm nga rrjetet e njohjeve personale.

Megjithatë, autoritetet thonë se kanë zhvilluar mënyra për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të shkatërruar këto rrjete, edhe kur përdoren aplikacione të koduara.

Për adoleshentët, fitimet janë një arsye e fortë për të vazhduar. El Flaco tha se edhe në një muaj të dobët mund të fitonte nga 4 mijë deri në 5 mijë dollarë. Deri tani, sipas tyre, asnjëri nuk është arrestuar.

Pak më shumë se një muaj pasi gazetari u largua nga Phoenixi, ai u takua sërish me J.M., këtë herë në shtetin Sinaloa të Meksikës, ku jeton nëna e tij.

J.M. tha se kërkesa për armë ishte rritur, por po ashtu edhe vëmendja e autoriteteve. Ai besonte se policia po i afrohej dhe kishte vendosur të fshihej në Sinaloa, derisa situata të qetësohej.

“Kur të kthehem, do të ketë ende punë”, tha ai.