KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Έλλειψη χρηματοδότησης: Το Παγκόσμιο Πρόγραμμα Τροφίμων μειώνει την βοήθεια σε 500 Παλαιστίνιους

Γάζα

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se mungesa e fondeve po e detyron të reduktojë ndjeshëm ndihmën ushqimore në Gaza. Si pasojë, rreth 500 mijë palestinezë do të mbeten pa mbështetjen mujore me ushqime, në një territor ku dy të tretat e popullsisë kanë vështirësi të sigurojnë ushqimin e nevojshëm.

Organizata bëri të ditur se numri i përfituesve të ndihmës mujore do të ulet nga 1.6 milionë në 1.1 milionë njerëz. Po ashtu, racionet ushqimore janë përgjysmuar, ndërsa ndihma financiare është ndërprerë për 75 mijë familje.

Edhe numri i vakteve të ngrohta të shpërndara çdo ditë për njerëzit që nuk kanë mundësi të gatuajnë është ulur nga 250 mijë në 150 mijë. Në disa zona ku qasja është e vështirë, familjet do të marrin një vakt të ngrohtë vetëm një herë në dy ditë.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, rreth 1.4 milionë njerëz, ose dy të tretat e popullsisë së Gazës, përballen me nivele kritike të pasigurisë ushqimore ose edhe më të rënda. Rreth 200 mijë prej tyre ndodhen në kushte emergjente.

Një vit pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, kushtet e jetesës në Gaza mbeten jashtëzakonisht të vështira. Marrëveshja parashikonte edhe rindërtimin e territorit, por pak përparim është bërë drejt zbatimit të plotë të saj. Marrëveshja përfshin çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e trupave izraelite.

“Ka kaluar një vit nga marrëveshja e armëpushimit, por jeta këtu vazhdon të jetë brutale. Nuk ka strehim të përshtatshëm, nuk ka shërbime bazë dhe nuk ka siguri”, tha për Reuters Carl Skau, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit, gjatë një vizite në Gaza.

Ai paralajmëroi se reduktimet e ndihmës po ndodhin në prag të dimrit të katërt që nga fillimi i luftës, duke theksuar se dimrat në këtë territor janë jashtëzakonisht të ashpër.

Organizata tha se ka nevojë urgjente për 450 milionë dollarë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, për të vazhduar operacionet jetike në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

“Po i themi botës se tani nuk është koha për të kthyer shpinën. Përkundrazi, duhet të shtohen përpjekjet për të vazhduar ndihmën, për të ruajtur përparimin e arritur dhe për të nisur rimëkëmbjen”, tha Skau.

Ndërkohë, forcat izraelite vazhdojnë të kontrollojnë më shumë se 60 për qind të territorit të Gazës dhe kryejnë pothuajse çdo ditë sulme ajrore. Hamasi kontrollon pjesën më të madhe të zonës ku jetojnë mbi dy milionë palestinezë, kryesisht në strehime të përkohshme dhe me furnizime të pamjaftueshme me ndihma humanitare.

Zyra për media e qeverisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi, e cilësoi njoftimin për reduktimin  e ndihmës si “katastrofik”. Ajo paralajmëroi se kjo mund ta përshpejtojë përhapjen e urisë në territor dhe u bëri thirrje donatorëve të sigurojnë më shumë fonde për organizatat humanitare.