KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Το μυστήριο γύρω από την πρέσβειρα των ΗΠΑ στην Ελλάδα καθώς προωθεί συμφωνίες φυσικού αερίου με τις ΗΠΑ σε όλη την Ευρώπη

Κίμπερλι Γκιλφόιλ

Ambasadorja e SHBA-së në Greqi Kimberly Guilfoyle dhe lobisti në sektorin e energjisë Christos Marafatsos

Në një artikull të The Wall Street Jurnal ngrihen pikëpyetjet mbi rolin e ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle dhe lobistit grek, Christos Marafatsosis për lidhjet mes diplomacisë amerikane, lobimit dhe interesave të sektorit energjetik grek

Teksti i plotë i The Wall Street Jurnal:

Christos Marafatsos punon si lobist në sektorin e energjisë, ndërsa njëkohësisht këshillon nga afër ambasadoren amerikane në Greqi.

Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle ish-e fejuara e Donald Trump Jr. — udhëtonte vazhdimisht drejt dhe nga kryeqyteti i Bullgarisë, në kuadër të një misioni pranverën e këtij viti. Administrata Trump dëshironte që aleatët në skajin lindor të Evropës të blinin miliarda dollarë gaz natyror amerikan.

Αλλά υπήρχε ένα πρόβλημα.

Sipas asaj që u tha njerëzve, qeveria bullgare duhej të bashkëpunonte me një kompani greke ndërtimi të quajtur “Aktor Group”, një kompani e sapoardhur në biznesin e gazit, e cila ishte bashkuar me një kompani energjetike greke të mbështetur nga shteti për të sjellë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

“Nuk ka dyshim se ky është, në njëfarë mënyre, qëndrim zyrtar i qeverisë amerikane”, tha një person i njohur me bisedimet.

Pranë ambasadores 57-vjeçare qëndronte një 39-vjeçar i quajtur Christos Marafatsos. Ai ka marrë pjesë në aq shumë prej takimeve të saj, saqë disa zyrtarë të huaj e kanë marrë për shefin e stafit të saj. Në fakt, ai është një lobist i rëndësishëm i “Aktor”, shefi ekzekutiv e së cilës e kishte transportuar Guilfoylen në vend me avion privat.

Ish-prokurore që u shndërrua në një figurë të njohur të lëvizjes MAGA, Guilfoyle po e shfrytëzon postin e saj si ambasadore në Greqi për të marrë një prej roleve më të rëndësishme diplomatike të administratës Trump. Ish-prezantuesja e Fox News ka udhëtuar nëpër Ballkan për të ndihmuar Evropën të shkëputet nga energjia ruse, përmes një “korridori vertikal të gazit”, i cili synon të marrë gazin e lëngshëm amerikan në Greqi dhe ta transportojë atë me tubacione drejt Ukrainës.

Por ajo ka habitur zyrtarët qeveritarë në të gjithë rajonin me promovimin e vazhdueshëm të një kompanie të caktuar greke — dhe me përpjekjet e saj të gjera për të përfshirë Marafatsosin, një fillestar si në diplomaci, ashtu edhe në sektorin e energjisë.

Përvoja e tij e mëparshme përfshin bashkëthemelimin e një distributori produktesh ushqimore në zonën e Uashingtonit, D.C., si dhe punën në biznese që varionin nga konsulenca në pasuri të paluajtshme deri te krijimi i asaj që e përshkruante si “përvoja më e mirë zhytëse” e Akropolit në IMAX 3-D.

Sot, Marafatsosi, i rritur në Maryland, shihet shpesh pranë Guilfoyle-, duke vepruar si një lloj portieri jozyrtar i saj dhe duke marrë pjesë në takimet e saj në rezidencën e ambasadores, si dhe në takimet me zyrtarë qeveritarë në vende të ndryshme të rajonit — një veprim tejet i pazakontë për një qytetar privat.

Disa persona që janë takuar me Marafatsosin dhe ambasadoren, përfshirë zyrtarë qeveritarë, thanë se ai nuk përmendi lidhjet e tij me “Aktor Group”.

Në një konferencë të zhvilluar në fillim të këtij muaji në Selanik të Greqisë, ku zyrtarë nga nëntë vende u mblodhën për të diskutuar përparimin e tyre në lidhje me korridorin vertikal të gazit, një reporter i “Wall Street Journal” priti jashtë.

Marafatsos dhe Guilfoyle mbërritën me një BMW të zezë, në krye të autokolonës amerikane. Marafatsos hyri në “MET Hotel” të qytetit përmes një hyrjeje të veçantë, larg fotografëve.

Punonjës të Ambasadës së SHBA-së, të cilët kishin kaluar vite duke punuar për avancimin e korridorit vertikal të gazit, nuk ishin takuar kurrë me drejtues të “Aktor” dhe as nuk e kishin dëgjuar emrin e kompanisë të përmendej si një partner i mundshëm, sipas ish-zyrtarëve të Departamentit të Shtetit që ishin marrë nga afër me këtë çështje.

Robin Brooks, një zyrtare e shërbimit diplomatik me 21 vjet përvojë, e cila gjatë administratës Biden shërbeu si drejtoreshë për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha se një ambasador amerikan që promovon një kompani të huaj është “absolutisht problematik”. Sjellja e një lobisti të regjistruar në takime me zyrtarë të huaj, tha ajo, “ngre pikëpyetje nëse takimi po i shërben avancimit të interesave amerikane apo ndonjë interesi privat”.

Një zyrtar i Ambasadës së SHBA-së tha se ambasadorja udhëtoi drejt Bullgarisë “për të avancuar interesat amerikane: rritjen e shitjeve të LNG-së amerikane te partnerët evropianë dhe uljen e varësisë së Evropës nga gazi rus”. Ai tha se ajo ishte “plotësisht në përputhje me udhëzimet e Departamentit të Shtetit” për udhëtimet zyrtare.

Jesse Binnall, avokati i Guilfoyles, tha se ajo “ka punuar me kompani në të gjithë sektorin e energjisë” dhe se nuk është përqendruar te një kompani e vetme. Ai tha se takimet e saj zyrtare koordinohen përmes kanaleve të Ambasadës dhe jo përmes Marafatsosit.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në një deklaratë të dhënë nga Shtëpia e Bardhë, e quajti Guilfoylen “një avokate jashtëzakonisht efektive të agjendës së presidentit.” Ai tha se si ai, ashtu edhe Trumpi, “e vlerësojnë shumë” punën e saj.

“Jam krenar që mbështes nisma tregtare që avancojnë interesat e SHBA-së dhe krijojnë mundësi të qëndrueshme ekonomike në Greqi dhe Evropën Juglindore. Jam mirënjohës për mundësinë që të shfrytëzoj përvojën time në biznes dhe rolin tim drejtues në komunitetin greko-amerikan”, ka thënë Marafatsos në një deklaratë.

Avokati i tij kundërshtoi disa pjesë të raportimit të “Journal”, por nuk pranoi të jepte hollësi.

Në një letër, avokatët e “Aktor Group” thanë se Guilfoyle nuk po promovonte në mënyrë të papërshtatshme interesat tregtare të kompanisë dhe se përfshirja e kompanisë në korridorin vertikal kishte nisur përpara “çdo kontakti” me ambasadoren. Avokatët thanë se “Aktor” është një “kandidat tërheqës për avancimin e objektivave dhe interesave të SHBA-së, sepse nuk ka lidhje me gazin rus, ndryshe nga disa prej konkurrentëve të saj grekë”.

Guilfoyle ushtron ndikim të konsiderueshëm në një pjesë të Evropës që ka kërkuar me këmbëngulje lidhje më të ngushta me administratën Trump. Kur Guilfoyle mbërriti në Athinë vjeshtën e kaluar, rajoni kishte vetëm një ambasador të konfirmuar në 10 vende, pjesë e një modeli të gjerë të vendeve diplomatike vakante që u ka dhënë në mënyrë të ndjeshme më shumë fuqi një numri të vogël të dërguarish të konsideruar si të afërt me Trumpin.

Në nëntor, “Aktor Group” njoftoi krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët, “Atlantic-SEE LNG”, e cila do të ndahej 60 me 40 mes saj dhe “DEPA-s”, një kompani greke energjetike e mbështetur nga shteti. Në muajt që pasuan, “Aktor” dhe sipërmarrja e saj e përbashkët kanë nënshkruar memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje tregtare me kompani të gazit në Bullgari, Ukrainë, Rumani dhe Mal të Zi.

Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh që Guilfoyle ndihmoi “Aktor” të siguronte në Shqipëri parashikon, nëse realizohet, që vendi të blejë gaz nga kompania deri në vitin 2050.

Nuk është e qartë nëse të gjitha këto marrëveshje do të realizohen. Të premten, kompania shtetërore e gazit të Ukrainës i tha Journal se negociatat për blerjet e ardhshme nga Atlantic-SEE janë ndërprerë.

Odiseja e ambasadores

Guilfoyle është shndërruar në një simbol të fuqishëm të shkollës së re të diplomacisë amerikane nën Trumpin: ndërthurjes së famës, biznesit dhe gjeopolitikës.

Guilfoyle, e cila dikur ishte e martuar me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, flet për lidhjet e saj të forta me familjen Trump dhe publikon video për afro dy milionë ndjekësit e saj në Instagram. Ajo ndërthur takimet me liderët e rajonit me vizitat në sfilatat e modës dhe galeritë e artit në Evropë, e veshur me fustane të zbukuruara me kristale.

Ajo është mike me yllin grek të muzikës pop, Konstantinos Argiros, i cili në një koncert të fundit e pa atë në publik duke biseduar me Marafatsosin dhe rrjetin e tij grek, të përbërë nga djem të familjeve të fuqishme.

Jefferson House, rezidenca zyrtare e ambasadores ku ajo zhvillon shpesh takime, është dekoruar me portrete të mëdha bardhezi të Guilfoyles, sipas personave që e kanë vizituar.

Disa zyrtarë grekë thonë se janë të kënaqur që vendi i tyre, i cili shpesh është anashkaluar në Uashington, tani ka vëmendjen e një ambasadoreje që mund të kontaktojë lehtësisht me presidentin e SHBA-së.

Por ata gjithashtu kanë frikë se mos e zemërojnë atë.

Në mars, gjatë një darke në Athinë ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë, Guilfoyle u përfshi në një debat me ministrin grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, përpara të ftuarve të tjerë.

Duke iu referuar rënies së afërt të qeverisë rumune, Guilfoyle u tha të pranishmëve: “Ne mund t’ia bëjmë këtë çdo... vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, tha ajo sipas një personi që mori pjesë në darkë dhe personave të tjerë që u informuan për ngjarjen.

Biseda u nxeh, ndërsa Papastavrou tha se SHBA-ja nuk mund ta zëvendësonte qeverinë e Greqisë, e cila ishte zgjedhur nga populli. Avokati i Guilfoyles e kundërshtoi këtë përshkrim të debatit.

Emërimi diplomatik i Guilfoyles erdhi në mes të një ndarjeje shumë të komentuar publikisht.

Ajo filloi të takohej me Trump Jr. në gjysmën e parë të mandatit të parë të babait të tij dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga mbrojtëset më të zëshme të Trumpit. Në fjalimin e saj në konventën e vitit 2020, ajo paralajmëroi se demokratët po përpiqeshin t’i skllavëronin amerikanët përmes ideologjisë liberale.

Çifti u fejua përpara se Trumpi të largohej nga detyra dhe atë pranverë bleu një rezidencë në Florida me vlerë 9.7 milionë dollarë.

Guilfoyle ndërmori një sërë nismash biznesi — një linjë produktesh për kujdesin e flokëve dhe parfume të quajtur “Made for Maga”; sipërmarrje me shampanjë me emra si “1776 Liberté” dhe “Liberty Dream”; si dhe një shërbim farmaceutik për kafshët shtëpiake të quajtur “PETriot Vet”, sipas të dhënave të Zyrës së Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së. Këto marka tregtare më pas u braktisën.

Më pas ajo iu bashkua fushatës për rizgjedhjen e Trumpit, duke i bërë thirrje turmës në konventën republikane të vitit 2024 që të “ngrihej në këmbë” në mbështetje të tij.

Atë verë nisën të shfaqeshin fotografi të Trump Jr. me Bettina Anderson, një socialiste 39-vjeçare nga Palm Beach.

Trumpi, i cili kishte pasur një marrëdhënie të afërt me Guilfoylen, njoftoi në mënyrë të papritur në rrjetet sociale në dhjetor se po e emëronte atë ambasadore në Greqi.

Guilfoyle kishte pasur prej kohësh një tërheqje ndaj Greqisë. Ajo u kishte thënë miqve se i pëlqente rëndësia e vendit në skenën botërore dhe atmosfera e tij glamuroze — duke përmendur Jacqueline Kennedy Onassis, ish-zonjën e parë të SHBA-së, e cila u martua me një manjat grek të transportit detar pas vrasjes së bashkëshortit të saj.

Një zyrtar i Ambasadës së SHBA-së tha se ambasadorja kishte kaluar muajin e mjaltit në Greqi dhe se që nga koha kur kishte studiuar historinë greko-romake në universitet, ajo kishte folur vazhdimisht për dashurinë e saj ndaj vendit.

Mediet greke nxorën shpejt në pah edhe deklarata të tjera të saj, duke vënë në dukje se Guilfoyle, si bashkëprezantuese e Fox News gjatë krizës së borxhit në Evropë në vitin 2015, kishte thënë se grekët duhej të trajnoheshin njësoj si kur “një qen urinon mbi qilim.”

“Nuk ka rëndësi nëse bëni kos të shkëlqyer,” kishte thënë ajo. “Nuk më intereson”.

Trumpi u tha njerëzve se ia kishte ofruar Guilfoyles postin e ambasadores për hir të djalit të tij, duke thënë: “Duhej ta nxirrja nga këtu”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi se presidenti kishte thënë diçka të tillë.

Eksperti për Greqinë

Menjëherë pas nominimit të saj, Guilfoyle filloi të kalonte më shumë kohë me një burrë që e njeh mirë Greqinë.

Faqja personale e Marafatsosit përmban një fotografi të një shporte me perime rrënjore dhe e identifikon atë si bashkëthemelues të një kompanie që shpërndan produkte ushqimore lokale në restorantet e zonës së Uashingtonit, D.C. Ai u largua nga kompania gati dy dekada më parë dhe më pas u angazhua në sipërmarrje të ndryshme, përfshirë një firmë investimesh, një kompani tashmë të shpërbërë të quajtur “Institute of Investigative and Translational Medicine”, si dhe kompaninë e ndërtimit në pronësi të familjes së tij, ku shërbeu si nënkryetar, sipas të dhënave të korporatave dhe faqeve të kompanive.

Hyrja e tij në politikë erdhi përpara kandidimit të parë të Trumpit për president, në vitin 2015, kur ai iu bashkua fushatës së sapokrijuar. Më vonë u bë kryetar i “Greek Voices for Trump”.

Marafatsos, i cili ka një familje të re në Virxhinia, i tha një gazete greke se e kishte takuar Guilfoylen në ditët e para të angazhimit politik të Trumpit. Në muajt pas nominimit të saj, ai u bë një këshilltar i afërt i saj.

Të dy u panë së bashku gjatë ceremonive të inaugurimit, përfshirë në një aktivitet në nder të komunitetit greko-amerikan, ku Marafatsos qëndronte pas saj ndërsa ajo fliste.

Në një pritje në Shtëpinë e Bardhë për Ditën e Pavarësisë së Greqisë në mars, Trumpi e ftoi Guilfoylen të fliste duke thënë se “Ajo e përfaqëson shumë mirë kulturën greke” dhe gjithashtu gjatë fjalimit veçoi Marafatsosin.

“Djalë simpatik është,” deklaroi presidenti.

Marafatsos e përgatiti Guilfoylen për seancën e konfirmimit të saj përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha një person i njohur me çështjen.

Pas seancës, ajo publikoi fotografi të saj në sallën e dëgjesës me mbështetës, përfshirë Marafatsosin, duke shkruar: “Mirënjohëse që jam e rrethuar nga miq dhe familjarë të jashtëzakonshëm”.

Ai mori pjesë edhe në ceremoninë e betimit të saj në shtator.

Ndërsa Guilfoyle përgatitej të transferohej në Athinë, si ajo, ashtu edhe Marafatsos vazhduan të ndiqnin sipërmarrjet e tyre të biznesit.

Rreth kohës së konfirmimit të saj, ajo kërkoi investime për një kompani vodka që kishte themeluar një vit më parë, të quajtur “Polished Rice”, duke i propozuar të paktën një biznesmeni greko-amerikan të investonte 3 milionë dollarë, sipas një personi të njohur me çështjen.

Linja e vodkës planifikonte të prezantohej në një “event global VIP” në Greqi më 2 korrik, sipas një padie që “Polished Rice” ngriti kundër kompanisë së saj të distilimit. Kjo ishte dita kur Guilfoyle organizoi një festë në Athinë për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.

Plani u reduktua pasi dërgesa mbërriti me dy shishe të thyera dhe të etiketuara si të dëmtuara.

Avokati i Guilfoyles e kundërshtoi pretendimin se ajo kishte kërkuar një investim prej 3 milionë dollarësh dhe tha se ajo nuk ka ndjekur sipërmarrje private biznesi që nga hyrja në shërbimin publik.

Përpara betimit të Guilfoyles, Marafatsos ofroi shërbimet e tij për kompani greke të sektorit të energjisë dhe transportit detar. Në prezantimet e tij para drejtuesve ekzekutivë, ai theksoi lidhjen e tij me ambasadoren e ardhshme dhe renditi kompani me të cilat pretendonte se punonte, përfshirë gjigantë të energjisë në rajon si “Copelouzos” dhe “Metlen”, sipas një personi të cilit i ishte bërë oferta.

Përfaqësuesit e të dyja kompanive thanë se nuk e kanë angazhuar kurrë Marafatsosin.

Një tjetër klient që ai e përmendte ishte “Aktor”.

Mbërritja në Athinë

Guilfoyle u takua për herë të parë me Alexandros Exarchou, CEO-n e “Aktor”, më 1 nëntor, ditën kur ajo mbërriti në Athinë, thanë avokatët e kompanisë.

Më 5 nëntor, Marafatsos filloi zyrtarisht të punonte si lobist për “Aktor” në SHBA, sipas të dhënave federale për lobimin. Kompania i pagoi atij 160.000 dollarë deri në qershor të këtij viti, për të “krijuar lidhje” me Zyrën Ekzekutive të Presidentit, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Energjisë.

Kjo ishte hera e parë që Marafatsos regjistrohej zyrtarisht si lobist në SHBA.

Avokatët e “Aktor” thanë se kompania filloi ta angazhonte Marafatsosin pasi Exarchou mori pjesë në një drekë në shtator 2025 me drejtues të rëndësishëm grekë të sektorit të energjisë, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Brendshëm Doug Burgum dhe ku u diskutua korridori vertikal i gazit.

Pas drekës, Exarchou kontaktoi DEPA-n, kompaninë e mbështetur nga shteti, dhe propozoi krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët që do të “udhëhiqte përpjekjet për furnizimin e Evropës Juglindore me LNG jo-rus”, thanë avokatët.

Më pas, Marafatsos shtoi edhe tri kompani të tjera me lidhje greke në listën e klientëve të tij të lobimit, përfshirë një kompani energjetike dhe një kompani të sektorit të transportit detar dhe infrastrukturës. Në nëntë muaj, ai deklaroi më shumë se 440.000 dollarë të ardhura nga aktiviteti i lobimit në SHBA.

Marafatsos ka qenë shpesh i pranishëm në takimet me Guilfoylen, si në rezidencën e ambasadores, ashtu edhe në vende të tjera jashtë Greqisë. Sipas personave që kanë marrë pjesë në takime me të dy, Guilfoyle shpesh e prezanton me fjalët: “Ky është Christos”, ndërsa ai rrallë flet, përveç rasteve kur ambasadorja i kërkon të japë mendimin e tij.

Ajo shpesh u kërkon personave me të cilët takohet që informacionet shtesë t’ia përcjellin përmes Marafatsosit.

Një investitor u takua me Guilfoylen dhe Marafatsosin për të kërkuar ndihmë lidhur me mundësi investimi në sektorin e energjisë — përfshirë mundësinë e investimit nga “Aktor”. Në fund të takimit, investitori u udhëzua të kontaktonte më tej Marafatsosin.

Investitori u befasua kur më vonë mësoi se Marafatsos punonte për kompaninë dhe se nuk e kishte bërë të ditur këtë gjatë takimit.

Brenda pak javësh nga angazhimi i Marafatsosit, “Aktor” u përfshi në një sipërmarrje të përbashkët mes dy kompanive.

Në një konferencë në Greqi në nëntor, ku morën pjesë zyrtarë të kabinetit, përfshirë Burgum dhe Sekretarin e Energjisë Chris Wright, sipërmarrja e përbashkët mes “Aktor” dhe “DEPA” njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje 20-vjeçare me kompaninë amerikane “Venture Global” për të blerë LNG amerikane, duke filluar nga viti 2030.

Guilfoyle pozoi me Exarchoun dhe të tjerë ndërsa sipërmarrja e re e përbashkët nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Rumaninë dhe kompaninë shtetërore ukrainase të gazit “Naftogaz”, ndër të tjera.

Një zëdhënës i “Venture Global” tha se kompania u takua me “Aktor” dhe “DEPA” për të diskutuar një marrëveshje të mundshme furnizimi pasi ishte takuar me Guilfoylen për korridorin vertikal dhe se kishte pasur marrëdhënie tregtare me “DEPA-n” prej vitesh.

Kompani të tjera amerikane të LNG-së që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me “Aktor” thanë se kanë hasur vështirësi për të tërhequr vëmendjen e Guilfoyles.

Jonathan Bass, CEO i kompanisë “Argent LNG” me bazë në Luiziana — konkurrente e “Venture Global” — tha se kompania është injoruar nga Guilfoyle. I pyetur nëse Guilfoyle e ka promovuar “Argent” në ndonjë prej bisedimeve të saj, ai u përgjigj: “Jo. Ajo ka të preferuarit e saj”.

Avokati i Guilfoyles tha se ishte e pavërtetë që ambasada e kishte injoruar “Argent”.

Në dhjetor, Exarchou mori pjesë në një mbrëmje në Kennedy Center dhe pozoi për një fotografi me Trumpin.

Në samitin e Davosit në Zvicër, në janar, Exarchou u takua me Guilfoylen dhe pozoi për një fotografi me Eric Trump, djalin e presidentit. Një zëdhënëse e Eric Trump tha se ai “nuk e ka idenë se kush është ai”.

Në shkurt, Exarchou u kthye në Uashington bashkë me Guilfoylen dhe mori pjesë në një darkë me ministrat e Energjisë të Greqisë dhe Bullgarisë në “Joe’s Seafood”, një restorant në Uashington i njohur për ushqimet e detit dhe mishin, përballë Shtëpisë së Bardhë.

Sipas personave të njohur me bisedimet e zhvilluara në darkë, të ftuarve iu kërkua të tregonin me radhë se si e njihnin ambasadoren ose të bënin një dolli për të.

Në darkë ishte gjithashtu Fancy James, stilisti i Guilfoyles, i cili publikon fotografi të saj me hashtagun #ambassador.

Exarchou gjithashtu u takua me shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, gjatë kësaj vizite, tha një nga personat.

Në konferencën e ditës së ardhshme, sipërmarrja e përbashkët e “Aktor’ nënshkroi memorandume të reja mirëkuptimi me kompani gazi në Bullgari, Ukrainë, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në mars, Guilfoyle bëri një vizitë të paparalajmëruar në kryeqytetin e Shqipërisë, ku qëndroi dy netë dhe zhvilloi takime në kuadër të angazhimit të saj me administratën Trump.

Ajo nuk mori me vete asnjë punonjës të ambasadës. Mbërriti pas rënies së natës me një SUV të zi dhe, së bashku me Marafatsosin dhe Exarchoun, hyri në një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Atje, ajo promovoi bashkëpunimin energjetik me Shqipërinë.

Disa javë më vonë, qeveria shqiptare mori një email nga “National Energy Dominance Council” i administratës Trump, ku sugjeroheshin kompani që mund të ishin të interesuara të bashkëpunonin me Shqipërinë për blerjen e gazit amerikan.

E vetmja marrëveshje e ofruar ishte një marrëveshje me “Venture Global”, furnizuesin amerikan të LNG-së që kishte nënshkruar një marrëveshje me “Aktor” disa muaj më parë, tha Enea Karakçi, ministri shqiptar i Energjisë.

“Shikoni, nuk mendoj se kishte, le të themi, shumë kompani në atë email”.

Në prill, Guilfoyle u kthye në Shqipëri, këtë herë për ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje 6 miliardë dollarëshe për 20 vjet, sipas së cilës kompania shtetërore shqiptare e gazit do të blinte çdo vit 1 miliard metra kub gaz, të siguruar nga “Venture Global”, përmes një filiali amerikan që “Aktor” e kishte regjistruar disa javë më parë.

Avokatët e Aktor thanë se “Atlantic-SEE” është struktura përmes së cilës kompania realizon të gjitha marrëveshjet e saj për LNG.

Në qershor, “Atlantic-SEE” njoftoi se do të dyfishonte sasitë e gazit që do të blinte nga “Venture Global”.

“Aktor” vlerëson se të ardhurat e saj para tatimit nga marrëveshjet për LNG që ka nënshkruar ose që janë “në proces për t’u nënshkruar” do të arrijnë në 1.8 miliardë euro gjatë një periudhe 20-vjeçare.

Ndërsa Guilfoyle përgatitej për fjalimin e saj në një dhomë anësore gjatë konferencës në Selanik në fillim të këtij muaji, Marafatsos nxori kokën nga dhoma për të biseduar me delegatët.

Para se të dilte në skenë për panelin e diskutimit me titull “Siguria energjetike, bashkëpunimi rajonal dhe partneritetet strategjike”, ajo ia dorëzoi telefonin Marafatsosit.

Në fjalimin e saj, ajo përshëndeti marrëveshjen e “Atlantic-SEE” me Venture Global dhe theksoi përparimin në promovimin e korridorit vertikal, duke thënë se ishte “diçka që, sinqerisht, nuk e kemi parë kurrë më parë”.