Një bloger rus që raportohet të ketë lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës, është arrestuar në Mal të Zi pas paralajmërimeve për përpjekje për të destabilizuar shtetin ballkanas.
Mikhail Zvinchuk, themelues i blogut të luftës “Rybar”, u ndalua të premten bashkë me gruan dhe tre rusë të tjerë, në një resort.
Kryeministri malazias, Milojko Spajiq, ka konfirmuar ndalimin e tij duke thënë se arrestimi pasoi paralajmërimet që shteti përballet me përpjekje për destabilizim dhe luftë hibride.
Gazeta “Vijesti” ka raportuar se Zvinchuk dhe të tjerët do të dëbohen nga shteti.
“Rybar” është një prej blogjeve më të famshme ruse të luftës. Ai ka mbi 1.5 milionë ndjekës në Telegram. Shërben si platformë për të promovuar pushtimin rus të Ukrainës.
Por aktivitetet e “Rybarit” kalojnë përtej Ukrainës, me zgjerim të narrativave ruse në Afrikë e Lindje të Mesme. Së fundmi, ky grup u përdor për të rritur narrativat e ekstremit të djathtë rreth krizës së migrimit në Ceutë, enklavën spanjolle në territor afrikan.
Britania e pati sanksionuar Zvinchukun në dhjetor të 2025 për shpërndarje të propagandës së Kremlinit. E SHBA-ja e ka akuzuar Zvinchukun për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2024-s.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Moska është në dijeni për ndalimin e Zvinchukut dhe po punon për ta liruar.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka sugjeruar se Moska mund të ndalë shtetas evropianë e amerikanë për t’i përdorur në këmbim për ta liruar Zvinchukun.
Më 2016, autoritetet malaziase patën akuzuar disa operativë rusë se bashkë me ultranacionalistë serbë kanë bashkëpunuar për të organizuar një grusht shteti. Akuzat i pati mohuar Rusia.
Mali i Zi synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ky shtet i ka vënë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë. Mali i Zi po ashtu planifikon ta ndalojë udhëtimin pa viza për rusët që nga 1 nëntori.