Teherani ka nisur sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt, Irak dhe Bahrejn, pasi forcat amerikane rikthyen sulmet kundër Iranit të martën.
Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane tha se pesë persona, përfshirë një fëmijë, u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën kur mbetjet nga një sulm me raketa amerikane goditi një shtëpi ku po mbahej një dasmë në Sirik në Iranin jugor.
Ushtria amerikane tha se ishte në dijeni të raporteve, por se nuk ka synuar kurrë civilë.
Komanda Qendrore Amerikane tha se sulmet amerikane ndaj Iranit erdhën pas sulmeve të kohëve të fundit nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcave amerikane në rajon.
Grada Revolucionare e Iranit u zotua se “SHBA-ja do të pendohet” për sulmet.
Deri të mërkurën në mëngjes, ajo ka nisur breshëri raketash balistike drejt një baze të Marinës Amerikane në Akabën të Jordanisë në shenjë hakmarrjeje për sulmin në Sirik, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim të Iranit.
Forcat e Armatosura Jordaneze thanë se kishin kapur 13 raketa balistike, 10 prej të cilave u shkatërruan, ndërsa tri ranë në zona të largëta.
Disa shpërthime u raportuan gjithashtu në Bahrejn, sipas mediave shtetërore iraniane.
Mediat iraniane kanë raportuar po ashtu se forcat iraniane kanë goditur bazat amerikane në rajonin autonom të Kurdistanit në Irak, duke shkatërruar një qendër mirëmbajtjeje, depo dhe pajisje.