KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Ο ΚΟΣΜΟΣ

Αμίαντος «σχεδόν παντού» μετά τις επιθέσεις της 11ης Σεπτεμβρίου - νέα έγγραφα αποκαλύπτουν ανησυχίες για την ποιότητα του αέρα

Ζόχραν Μαμντάνι

Φωτογραφία: Associated Press

Kryebashkiaku i Neë Yorkut, Zohran Mamdani, publikoi një sasi prej 170 mijë dokumentesh që tregojnë se zyrtarët kishin shqetësime për cilësinë e ajrit në Manhattan menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, edhe pse publikut i ishte thënë se ajri është i sigurt, raporton “BBC”. 

Kryebashkiaku tha se dokumentet zbulojnë se asbest u gjet “pothuajse kudo” ku u kryen testime pranë vendit ku kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën në vitin 2001.

“Njerëzit u sëmurën sepse liderët të cilëve u besonin gënjyen dhe u thanë se ishte e sigurt të merrnin frymë në atë ajër toksik”, tha Mamdani në një konferencë për shtyp me të mbijetuarit.

Sëmundjet e lidhura me pluhurin dhe tymin nga shembja e Kullave Binjake kanë shkaktuar më shumë viktima sesa vetë sulmet, thonë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë.

Publikimi i dokumenteve i jep fund një procesi gjyqësor të ngritur nga grupi i avokimit "9/11 Health Watch", i cili paditi qytetin për t’i siguruar dokumentet.

Zyrtarët e qytetit gjetën 68 kuti me dokumente vitin e kaluar. Më parë, zyrtarët kishin thënë se nuk i kishin ato.

“Administratë pas administrate i ka injoruar ata që kërkonin përgjigje dhe qartësi”, tha Mamdani, duke qëndruar pranë prezantuesit televiziv dhe aktivistit për të drejtat e të mbijetuarve të 11 Shtatorit, Jon Stewart. “Ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë”.

Mijëra njerëz kanë përjetuar pasoja shëndetësore, si kanceri, nga sulmet terroriste, përfshirë shumë prej tyre që kanë vdekur, pasi thithën ndotës të rrezikshëm të çliruar nga shembja e ndërtesave.

Faqet e raporteve për cilësinë e ajrit dhe dokumente të tjera u publikuan përmes një portali online, në një kohë që përkon me 25-vjetorin e sulmeve.

Mamdani tha se Bashkia e New Yorkut do të shpenzojë më shumë se 34 milionë dollarë për këtë përpjekje. Ai tha se dokumentet tregojnë se çfarë “dinte qyteti për ajrin toksik rreth ‘Ground Zero’, kur e dinte këtë dhe si veproi për ta kufizuar përgjegjësinë ligjore”.

Më shumë dokumente do të publikohen gjatë vitit të ardhshëm.

Publikimi vjen pas vitesh të tëra gjatë të cilave të mbijetuarit kanë kërkuar më shumë transparencë nga zyrtarët e qytetit.

Duke folur në konferencën për shtyp të martën, Stewart tha se dokumentet tregojnë se qyteti nuk e pranoi se ajri që të gjithë po thithnin në qendër të Manhattanit ishte toksik deri në tetor të vitit 2001.

“Pra, për të qenë të drejtë me ta, ata vetëm e fshehën atë informacion për 25 vjet”, tha ai.
Dokumentet përfshijnë një dosje të tetorit 2001, të njohur si “Memorandumi Harding”, në të cilin një ndihmës paralajmëroi ish-zëvendëskryebashkiakun Robert Harding – i cili shërbente nën kryebashkiakun Rudy Giuliani – se qyteti mund të përballej me deri në 35 mijë padi për mënyrën se si reagoi ndaj sulmeve.

Dokumenti thotë se qyteti mund të paditej sepse këshillat shëndetësore i shkaktuan individët “të ktheheshin në zonë shumë shpejt (duke shkaktuar ekspozim ndaj substancave toksike ose dëme emocionale)”.

Disa ditë pas sulmit, zyrtarët e qytetit dhe të qeverisë federale – përfshirë Agjencinë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) – deklaruan se ajri pranë Kullave Binjake ishte i sigurt, megjithëse kërkimet sugjerojnë se njerëzit po thithnin kimikate toksike.