KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
μπάσκετ

Ο Πέγια κάνει μεγάλες αλλαγές, θα επιστρέψει στις επιτυχίες;

KB Peja

Michalis Kakiouzis është prej emrave më të mëdhenj që ka punuar në basketbollin kosovar. Kakiouzis është legjendë e basketbollit grek, por te Peja nuk “ndezi” si trajner. Të hënën klubi pejan njoftoi se ka ndarë rrugët me Kakiouzisin, me marrëveshje të dyanshme.

Ndarja erdhi në mungesë të rezultateve. Të shtunën Peja pësoi 106:95 nga Rahoveci 029. Për skuadrën rahovecase ishte fitorja e parë në Superligë, pas katër humbjeve rresht. 

Ekipi pejan është në seri prej tri humbjeve. Pësoi edhe nga Golden Eagle Ylli në xhiron e katërt dhe nga Vëllaznimi në xhiron e tretë. Kjo bëri që të harrohet shpejt fitorja 87:81 ndaj Trepçës në “Minatori” në xhiron e dytë. Ndërkohë ndeshjen e xhiros së parë ndaj Prishtinës, Peja e fitoi me rezultat zyrtar.
Peja e nisi edicionin me synim për të fituar trofe. Por aktualisht duket larg formës që ia garanton këtë. Dhe është vendosur për ndryshime në shtabin teknik dhe po ashtu në përbërjen e lojtarëve të huaj. Por me shumë gjasë problemi te Peja, si te disa skuadra të tjera, nuk kufizohet vetëm këtu. Është mungesa e numrit më të madh të lojtarëve me nivel të vendit që po kushton shumë në basketbollin kosovar. Ndër të tjera edhe te Peja.

Klubi i verdhë reagoi menjëherë të hënën duke e prezantuar trajnerin e ri. Bëhet fjalë për ish-selektorin e Malit të Zi, Boshko Radoviq. Ai e udhëhoqi Malin e Zi nga viti 2019 deri në vitin 2025. Së fundi trajneri i Pejës ishte i angazhuar në Kinë. Ai është i vetmi selektor që e ka udhëhequr Malin e Zi në tri ngjarje të mëdha. Në Botërorin 2023 ishte i 11-ti, ndërsa në Eurobasket 2022, Mali i Zi u rendit i 13-ti.

“Me përvojën në nivelin më të lartë, njohuritë taktike dhe përkushtimin ndaj basketbollit, Radoviq përfaqëson profilin e një trajneri me standarde ndërkombëtare dhe ambicie të larta sportive”, ka shkruar Peja.

Po të hënën Peja njoftoi për ndarjen me basketbollistët Trevor Moore dhe Robert Smith. Në ndeshjen e fundit Moore i kishte 11 pikë e katër asistime në 35 minuta lojë. Ndërkohë Smith ishte bindshëm më i miri në ndeshjen në Rahovec me 28 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime.

Ndërkohë Peja e ka kthyer DaQuan Braceyn. Ai luajti për Pejën edhe edicionin e kaluar.

Peja dështoi edhe në kualifikimet e FIBA Europe Cup, duke pësuar dy humbje të thella nga Dinamo Bukureshti.

Skuadrën pejane në xhiron e ardhshme e pret punë shumë e vështirë. Do të luajë me liderin, Bashkimin, në Prizren.