KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Ο Υπολοχαγός του Κοσόβου διαβίβασε αστυνομικά έγγραφα και επιχειρησιακά σχέδια στην BIA.

Μπόγιαν Γέβτιτς

Φωτογραφία: Αρχείο

Plane operative të Policisë së Kosovës, dokumente për operacionet e sigurisë dhe materiale që lidhen me situatën në veri janë në mesin e dokumenteve të konfiskuara në rastin e Bojan Jevtiqit. Sipas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këto materiale janë mbledhur dhe janë përcjellë nga Jevtiqi te përfaqësues të BIA-s së Serbisë, gjatë kohës sa ai shërbente si toger i Policisë së Kosovës. Për Gjykatën, fakti që Jevtiqi ishte zyrtar policor dhe kishte për detyrë mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, ka qenë një nga rrethanat rënduese në dënimin e tij

Nga një pozitë ku kishte detyrë të mbronte sigurinë e Kosovës, Bojan Jevtiqi, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka mbledhur dhe ka përcjellë informacione te përfaqësues të shërbimit serb BIA.

Pikërisht pozita e tij si zyrtar policor është vlerësuar si rrethanë rënduese nga Gjykata, kur Jevtiqi u dënua me gjashtë vjet burgim për veprën penale “Spiunazhi”.

Në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përshkruhet se  informacionet të cilat Jevtiqi i dërgoi te Shërbimi Inteligjent i Serbisë kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Si rrethana rënduese, gjykata vlerësoi natyrën dhe peshën e veprës penale të spiunazhit, faktin se i pandehuri ka vepruar në cilësinë e zyrtarit policor dhe ka pasur detyrë të mbrojë rendin juridik dhe sigurinë publike, ndërsa me veprimet e tij ka cenuar besimin në institucionet e sigurisë dhe ka rrezikuar sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Gjykata po ashtu mori parasysh se veprimet janë kryer në vazhdimësi dhe se kanë pasur të bëjnë me informacione dhe dokumente të klasifikuara”, thuhet në aktgjykimin e plotë t Themelores.

Përveç rrethanave rënduese, në aktgjykim thuhet se Gjykata mori parasysh edhe rrethanat lehtësuese.

Pasi i akuzuari dhe Prokuroria kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, është evituar dënimi i paraparë prej 10 vjetësh deri në burgim të përjetshëm.

“Si rrethana lehtësuese, gjykata vlerësoi pranimin e fajësisë nga i pandehuri, faktin se marrëveshja është arritur në fazë të hershme të procedurës dhe ka ndikuar në ekonomizimin e procedurës penale, bashkëpunimin e tij me organet e drejtësisë, pendimin dhe keqardhjen e shprehur, faktin se nuk rezulton të ketë qenë më parë i dënuar, gjendjen familjare dhe faktin se është baba i tre fëmijëve. Këto rrethana gjykata i vlerësoi në kuadër të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë dhe dispozitave ligjore për matjen dhe zbutjen e dënimit”, thuhet në aktgjykim.

Ish-shefi i operativës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” Bojan Jetviq, si toger i Policisë së Kosovës, i ka përcjellë Serbisë edhe plane dhe dokumente, të cilat, sipas aktgjykimit, duhej të ishin në dijeni vetëm Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Në mesin e materialeve të konfiskuara me vendim të Gjykatës janë edhe dokumente të Policisë së Kosovës, përfshirë Planin Operativ “Shënjestra” e deri te plani për zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat e veriut të vitit 2023.

“Po ashtu, konfiskohen dokumenti i Policisë, përkatësisht Plani Operativ ‘Shënjestra’, dokumenti ‘Vërtetim i llogarisë’ nga banka BPS – Beograd, gjashtëdhjetekatër dokumente dhe një CD, libreza e veteranit të Serbisë në emër të V. J., një distinktiv ‘Policia e Kosovës’, njëzeteshtatë letra/dokumente, përfshirë Planin Operativ ‘Zbatimi i vendimit të Qeverisë RKS’, Planin Operativ ‘Zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat e veriut 2023” dhe Urdhrin Operativ ‘Ngritja e vigjilencës dhe shtimi i masave të sigurisë’, si dhe një CD me mbishkrimin ‘…’ dhe një CD me mbishkrimin ‘ekzaminimi i dokumenteve’”, thuhet në aktgjykim.

Gjatë bastisjes që i është bërë shtëpisë së tij u patën gjetur edhe dokumentacione që dëshmojnë se ai të paktën nga viti 2009 ishte pjesëtar edhe i Policisë së Serbisë, drejtoria për Gjilanin me bazë në Vranjë si dhe rezervist i Ushtrisë së Serbisë.

Jevtiqit i janë konfiskuar edhe 2 mijë dinarë serbë dhe 500 franga zvicerane.

Ndërkaq, nga shuma prej 10 mijë e 220 eurosh të sekuestruara, Gjykata ka vendosur t’ia kthejë 3 mijë e 217 euro, pasi ai ka dëshmuar prejardhjen e ligjshme të kësaj shume.

Në maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.