Është mbajtur takimi i parë i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, gjatë të cilit ministri për Punë, Andin Hoti, bëri të ditur se sivjet janë realizuar mbi 8 mijë e 600 inspektime dhe se në rreth 300 raste janë ndalur punimet, shkaku i konstatimit të mospërmbushjes së masave që parasheh ligji. Me qëllim të rritjes së sigurisë në vendin e punës, është bërë e ditur se në proces rekrutimi janë edhe 39 inspektorë
Ministri për Punë, Andin Hoti, ka bërë të ditur se më shumë se 8 mijë inspektime janë realizuar brenda shtatë muajve të këtij viti, me fokus në vendet e punës me rrezikshmëri të lartë.
Në takimin e parë të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, Hoti publikoi të dhënat, dhe rikujtoi se, pas disa aksidenteve në vende pune, e që përfunduan me fatalitet, në prill janë ndërmarrë masa emergjente inspektimi.
“Janë ndërmarrë mbi 290 masa për ndalimin e punimeve për shkak të shkeljeve të evidentuara nga 8 mijë e 608 inspektime të realizuara brenda vetëm shtatë muajve. Asnjë kosto, asnjë interes ekonomik e asnjë afat nuk mund të vihet mbi jetën e punëtorit apo qytetarëve tanë”, ka thënë ministri Hoti.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, sivjet 20 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.
Hoti tha se aksidentet në vendin e punës mbeten shqetësuese.
“Pavarësisht masave të ndërmarra, fatkeqësisht, aksidentet vazhdojnë të ndodhin në punë dhe përfshirë edhe ato me fatalitet apo humbje jete. Prandaj kjo kërkon një angazhim edhe më të dukshëm dhe më serioz nga ana jonë. Çdo rast duhet të analizohet me kujdes nga ana jonë për të caktuar përgjegjësitë dhe të ndërmerren masat për parandalimin e përsëritjes së saj”, ka thënë ai.
Ministri Hoti tha se institucionet janë në proces të rekrutimit të 39 inspektorëve të rinj, me qëllim të shtimit të inspektimeve.
“Disa prej intervistave veç kanë kaluar, disa të tjera janë në fazën e intervistimit. Në fushën e marrëdhënieve të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, po i forcojmë kapacitetet e Inspektoratit Qendror të Punës për një mbikëqyrje më të gjerë, më efektive në terren”, ka thënë ai.
Gjatë fjalës së tij, Hoti tha se Inspektorati Qendror i Punës tashmë ka kaluar në sistem të plotë të inspektimit digjital, ndërsa për mbikëqyrjen e vendeve të punës me rrezikshmëri të lartë theksoi se po përdoren edhe dronët.
Muajin e kaluar, inspektorët zhvilluan aksion të gjerë inspektimesh, me ç’rast u ndaluan punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë-Kosovë.
Aksione të tilla zhvillohen që nga muaji prill i këtij viti. Në shumicën e rasteve, punimet në vendpunishte janë ndaluar pas konstatimit të shkeljeve të rënda të dispozitave ligjore.
Sipas Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, vdekjet dhe aksidentet në vendin e punës mbeten shqetësim serioz që kërkon reagim urgjent institucional.
Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen se rritja e numrit të aksidenteve, sidomos në sektorë me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria, lidhet drejtpërdrejt me kapacitetet e pamjaftueshme monitoruese të Inspektoratit të Punës dhe me numrin e vogël të inspektorëve në terren.
Në maj, Qeveria themeloi Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, si mekanizëm për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve. Ky Këshill parashihet të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të kontribuojë në avancimin e standardeve të sigurisë në punë.