KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Το SHSKUK παρέμεινε χωρίς απάντηση για ένα μήνα σχετικά με τη μη διενέργεια της ανάλυσης PCR στην Μικροβιολογική Υπηρεσία.

KHUCS

Për panelin gastrointestinal PCR, që mund të zbulojë një sërë patogjenësh që shkaktojnë infeksione, klinikat e QKUK-së dhe Shërbimi i Mikrobiologjisë nuk kanë kërkuar nga SHSKUK-ja furnizimin me reagjentët e nevojshëm për realizimin e kësaj analize. E as ish-drejtoresha e kësaj klinike nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse një kërkesë e tillë ishte bërë. Ndërkohë, IKSHPK-ja thotë se në disa raste ka përkrahur kolegët nga QKUK-ja. E për këtë çështje, SHSKUK-ja nuk ia ka përcjellë KOHËS përgjigjen e Klinikës së Infektives

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ia kanë përcjellë KOHËS përgjigjet e Klinikës Infektive lidhur me pyetjet e dërguara më 20 gusht, nëse kanë bërë kërkesë për sigurimin e reagjentëve për realizimin e panelit gastrointestinal PCR në Shërbimin e Mikrobiologjisë, që funksionon në kuadër të QKUK-së. 

Kjo analizë përdoret për identifikimin e baktereve dhe patogjenëve të tjerë që shkaktojnë infeksione gastrointestinale. 

Pas mungesës së përgjigjeve, KOHA iu drejtua sërish drejtoreshës së Klinikës Infektive, Vera Ndrejaj. Ajo tha se përgjigjet i kishte dërguar në drejtoritë e SHSKUK-së dhe QKUK-së. 

Vera Ndrejaj ia ka përcjellë me foto përgjigjet e saj KOHËS, të cilat i kishte dërguar edhe te Drejtoritë e SHSKUK-së dhe QKUK-së më 31 gusht, në orën 13:08, të cilat nuk i ishin përcjellë redaksisë. 

Ndrejaj nuk është përgjigjur konkretisht në pyetje, por ka thënë se nga Klinika Infektive i janë drejtuar disa herë IKSHPK-së për realizimin e kësaj analize.

“Paneli Gastrointestinal PCR është kërkuar disa herë të realizohet në IKSHP dhe na ka ndihmuar mjaft në diagnostikimin e sëmundjeve gastrointestinale. Pasi një analizë e tillë realizohet në IKSHPK, ne nuk jemi të thirrur të japim informata për sasinë, mungesën apo furnizimin me reagjentë të tillë. Theksoj se, kur ka qenë e mundur, paneli PCR është realizuar”, ka thënë Ndrejaj. 

Të njëjtat përgjigje, Drejtoria e SHSKUK-së dhe ajo e QKUK-së ia kanë përcjellë KOHËS të premten e 11 shtatorit, pasi KOHA kishte kërkuar nga këto dy drejtori të sqarojnë arsyen e mos përcjelljes së përgjigjeve. 

Ndërkohë, IKSHPK-ja për KOHËN ka sqaruar se në raste të caktuara kryen këtë testim për pacientët e shtrirë në klinikat e QKUK-së. 

“Për të përkrahur kolegët tanë në QKUK në trajtimin adekuat të pacientëve, në disa raste kryejmë këtë testim për pacientë që janë të shtrirë në klinikat përkatëse të QKUK-së, bazuar në kërkesën nga klinicistët përgjegjës për trajtimin e pacientëve, pas njoftimit të personave përgjegjës në IKSHPK për nevojën e testimit të mostrës përkatëse me panelin multiplex RT-PCR gastrointestinal, që referohet nga QKUK-ja”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Përgjigje për 19 ditë nuk kishte dhënë as Klinika e Pediatrisë, së cilës KOHA ia kishte adresuar të njëjtat pyetje. 

Edhe përgjigjet e drejtoreshës Alije Keka-Sylaj nuk i janë përcjellë televizionit deri pas insistimit të KOHËS te Drejtoritë e SHSKUK-së dhe QKUK-së, për të kuptuar arsyen pse Klinika e Pediatrisë nuk ishte përgjigjur. 

Keka-Sylaj ka thënë se për çështjet që lidhen me furnizimin me reagjentë, televizioni duhet t’i drejtohet IKSHPK-së. 

“Paneli Gastrointestinal PCR realizohet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përkatësisht në Shërbimin e Mikrobiologjisë. Për këtë arsye, për çështjet që lidhen me furnizimin me reagjentë, mungesat eventuale dhe periudhat e mungesës së tyre, informacioni përkatës mund të kërkohet drejtpërdrejt nga IKSHPK-ja”, ka thënë Keka-Sylaj.

Shërbimi i Mikrobiologjisë në kuadër të QKUK-së ishte themeluar në vitin 2021. Në krye të këtij shërbimi kishte qenë Greta Lila-Azizi, bashkëshortja e drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi. 

KOHA i ka dërguar pyetje edhe Lila-Azizit, për të kuptuar nëse gjatë kohës sa ishte në krye të këtij shërbimi kishte bërë kërkesë për krijimin e kapaciteteve për realizimin e panelit gastrointestinal PCR. 

Ajo nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse një kërkesë e tillë ishte bërë.

“Fuqizimi i Diagnostikës Molekulare (përfshirë PCR) ka qenë pikërisht prioritet i imi dhe i shërbimit, por si çdo proces në institucione publike, ai kërkon hapa të planifikuar, infrastrukturë të dedikuar dhe miratime buxhetore afatgjata nga SHSKUK-ja dhe MSH-ja, e jo dëshira apo teka vjetore individuale”, ka deklaruar Greta Lila-Azizi, ish-drejtoreshë e Mikrobiologjisë. 

Lila-Azizi është shprehur se, sipas saj, kronika e KOHËS ka qenë tendencioze dhe me qëllim siç tha ajo të minimizimit të punës së saj. Ajo ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore. 

KOHA raportoi ditë më parë se pacientë nga klinikat e QKUK-së po referohen për këtë analizë në laboratorë privatë, në të cilat ajo kushton nga 80 deri në 130 euro.