KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Ανατρέπεται η ετυμηγορία που υποχρέωσε την Εθνική Τράπεζα να καταβάλει 32.5 εκατομμύρια ευρώ σε τρεις εταιρείες

NPB Πρίστινα

Është rrëzuar vendimi i Gjykatës Komerciale që obligonte Ndërmarrjen Publike Banesore t’ua paguajë 32.5 milionë euro tri kompanive private. Sipas Gjykatës Supreme, Komercialja ka bërë shkelje procedurale e edhe gabimisht ka interpretuar normat që lidhen me fitimin e humbur të këtyre kompanive

Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim vendimin e shkallës së parë në Komerciale, i vërtetuar edhe në apel, me të cilin ishte obliguar Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) t’ua paguajë 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur tri kompanive, “Made Kos”, “Made Group” dhe “Arkos”.

Vendimi ishte arsyetuar me faktin se më 2021 kjo ndërmarrje e Komunës së Prishtinës pati lidhur kontratë për bashkinvestim, e i cili nuk është kryer. Pas vendimit, NPB-së iu bllokuan llogaritë bankare dhe punonjësit mbetën pa paga.

Por, Supremja ka konstatuar se çështja duhet të gjykohet sërish, meqë edhe shkalla e parë e edhe e dyta që funksionojnë në Gjykatën e Komerciales kanë bërë shkelje procedurale e edhe gabimisht kanë interpretuar normat që lidhen me fitimin e humbur në vlerë 21.5 milionë euro të tri kompanive.

“Gjykata, gjithashtu, është dashur të shqyrtojë se mbi çfarë të dhënash konkrete është mbështetur llogaritja e fitimit të humbur, cilat do të kishin qenë të ardhurat e pritshme dhe cilat shpenzime do të duhej të zbriteshin për të përcaktuar fitimin neto të mundshëm, gjithashtu nuk e ka vërtetuar faktin se a ka operuar veprimtaria e paditësve gjatë kësaj periudhe me ndërtime të tjera dhe a ka pas mundësi reale ta bëjë një gjë të tillë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Supremes.

Kjo gjykatë ka treguar se në cilën rrethanë mund të vërtetohet dëmi i pretenduar nga kompanitë.

“Pa u vërtetuar në mënyrë të qartë mundësia konkrete e realizimit të projektit, periudha e humbjes së pretenduar, baza e përllogaritjes së fitimit të munguar dhe pengesat për zhvillimin e veprimtarisë afariste nga paditësit përtej kësaj kontrate, nuk mund të nxirret një përfundim i qëndrueshëm lidhur me ekzistimin dhe lartësinë e këtij dëmi. Prandaj, në këtë aspekt, gjykata e dhomës së shkallës së parë nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm, duke u bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës”, thuhet në vendim.

E, në një reagim të NPB-së është mirëpritur vendimi.

“Supremja ka konstatuar shkelje thelbësore procedurale dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke ngritur po ashtu çështje të rëndësishme lidhur me mënyrën e vërtetimit të fitimit të humbur, ekspertizën financiare dhe të drejtën e NPB-së për kundërpadi. Ky vendim paraqet një zhvillim vendimtar në mbrojtjen e interesit të NPB-së dhe të pasurisë publike, ndërsa beteja juridike do të vazhdojë në rigjykim”, thuhet në një komunikatë të NPB-së. “Për më shumë se dy muaj, punëtorët tanë kanë vazhduar punën me përkushtim, pavarësisht se kanë mbetur pa paga, dhe për asnjë ditë shërbimet e NPB-së nuk janë ndalur. Sot, pas këtij zhvillimi të rëndësishëm, janë proceduar dhe ekzekutuar pagat për të gjithë punonjësit e NPB-së”.

Vendimin e ka përshëndetur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai ka thënë se prej që e ka marrë mandatin e parë, ka insistuar në hetimin e kontratës dhe procesit që lidhej me pronën publike të Kryeqytetit në Lakrishte.

“Ne as nuk e kemi iniciuar, as negociuar dhe as nënshkruar këtë kontratë. Por kemi marrë përgjegjësinë për ta mbrojtur pronën publike dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës! Dhe sot, vendimi i Gjykatës Supreme, që e kthen çështjen në pikën zero, është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë përpjekje drejt vendosjes së drejtësisë”, ka thënë Rama. “Kryeqyteti do t’i shtojë kapacitetet juridike dhe do ta forcojë mbikëqyrjen institucionale gjatë këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e plotë të interesit publik dhe të drejtave të punëtorëve të NPB-së”.

Vendimin e ka cilësuar superlajm edhe kryetari i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë kontratë dhe ka paralajmëruar për dëmet e saj para të gjithëve. Mbetemi të bindur se ajo është korruptive në vetvete dhe e dëmshme për interesin publik. Tani Komuna dhe Ndërmarrja le të përgatiten për rigjykim”, ka thënë Sveçla.

Supremja, në vendimin e saj, ka listuar një numër argumentesh pse nuk mund ta pranojë aktgjykimin e gjykatës së dhomës së shkallës së parë dhe të dytë të Komerciales, për pjesën e kërkesës lidhur me fitimin e humbur.

Ajo ka rikujtuar nenin 137 të LMD-së, i cili përcakton se: “Dëmi është zvogëlimi i pasurisë së dikujt (dëm i zakonshëm) dhe pengimi i rritjes së saj (fitimi i humbur), si dhe shkaktimi tjetrit i dhembjes fizike, vuajtjes psikike ose frikës (dëmi jo material)”.

Sipas Supremes, nga përmbajtja e nenit 173 të LMD-së, rezulton se fitim i humbur është një lloj i veçantë i dëmit material. Ajo ka rikujtuar se ky lloj i dëmit ekziston kur i dëmtuari pengohet për t’iu rritur pasuria. Sipas gjykatës, fitimi i humbur mund të realizohet kumulativisht me dëmin real, nëse ekzistojnë kushtet e caktuara për të, dhe se ky fitim nënkupton vetëm atë për të cilin është i sigurt se kreditori, sipas rrjedhës së rregullt të gjerave ose sipas rrethanave të veçanta të rastit do t’i realizojë.

“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se, nuk mund të merret parasysh fitimi, i cili sipas supozimit, mendohet se do të mund të ndodhë, por vetëm ai fitim i cili në bazë të rrethanave objektive, në mënyrë të bazuar pritet të ndodhë. Kështu, për të ekzistuar dëmi duhet të ekzistojë lidhja kauzale ndërmjet veprimit dhe pasojës, gjegjësisht të konstatohet ekzistimi i bazës juridike të përgjegjësisë, çka në rastin konkret, gjykatat e instancave më të ulëta nuk kanë vlerësuar se edhe përkundër faktit se sipas kësaj kontrate, nuk kanë pasur mundësi t’i vazhdojnë punimet, cilat veprime i kanë ndërmarrë paditësit në realizimin e kësaj kontrate, mosrealizimi i kësaj kontrate a ka qenë pengesë për paditësit të vazhdojnë veprimtarinë e tyre me ndërtimin e objekteve tjera pos kësaj të kontraktuar me të paditurën, në mënyrë që të konstatohet qartë dhe saktë nëse kemi të bëjmë me fitim të humbur apo jo”, thuhet në arsyetimin e Supremes. “Bazuar në ekspertizën financiare, e njëjta kalkulimin për fitimin e humbur e ka mbështetur kryesisht duke aluduar në investimet që do të rezultonin sikurse kontrata të zbatohej në tërësi, mirëpo ky konkludim bie në kundërshtim me provat që gjinden në shkresat e lëndës dhe deklarimet e palëve ku shihet se punimet fare nuk kanë filluar dhe se nuk ka prova që paditësit të kenë bërë investime përgatitore për fillimin e punimeve”.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se gjykata e dhomës së shkallës së parë dhe as ajo e dhomës së shkallës së dytë nuk kanë dhënë një konstatim të drejtë dhe të arsyetuar lidhur me kompensimin e dëmit për fitimin e humbur, sepse nga dispozitat që ka përmendur kompensimi për fitimin e munguar mund të njihet vetëm nëse ai do të realizohej gjithsej sipas rrjedhjes të rregullt të gjerave, në rast se realizimi i të njëjtit është penguar nga veprimi i dëmtuesit ose nga lëshimi që të ndërmarrë veprimin.

“Gjykata e dhomës së shkallës së parë në arsyetim është mjaftuar vetëm me faktin se palët kanë të kontraktuar kontratën në mes tyre dhe si rezultat i kësaj, i padituri është i obliguar t’ia kompensojë paditësve fitimin e humbur ashtu siç është përcaktuar në dispozitiv të aktgjykimit të dhomës së shkallës së parë”, ka rikujtuar Supremja.

Gjykata Supreme ka vlerësuar po ashtu se gjykata e dhomës së shkallës së parë nuk ka vërtetuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të gjithanshme ekzistimin e kësaj kategorie të dëmit, as lartësinë e tij, pasi, sipas Supremes, nuk janë sqaruar rrethanat thelbësore që do të mundësonin përfundimin se pala pretenduese ka pësuar realisht humbje të fitimit si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të palës tjetër.

“Gjykata e dhomës së shkallës së parë dhe ajo e dhomës së shkallës së dytë, është mjaftuar me faktin se i padituri nuk ia ka lejuar qasjen paditësve për fillimin e punimeve, mirëpo një arsyetim i tillë nuk është i mjaftueshëm për aprovimin e lartësisë së fitimit të humbur. Po ashtu, nuk është sqaruar nëse pala pretenduese i ka përmbushur paraprakisht kushtet e nevojshme për realizimin e projektit, nëse ka pasur kapacitete financiare dhe teknike për ta përfunduar atë, si dhe nëse ka ekzistuar një mundësi reale dhe e arsyeshme për realizimin e të ardhurave të pretenduara”, thuhet në arsyetim.

Gjykata e dhomës së shkallës së parë të Komerciales është udhëzuar që në rigjykim t’i evitojë shkeljet, fillimisht sa u përket shkeljeve të dispozitave të LPK-së, në atë mënyrë që fillimisht të vlerësojë kushtet nga të cilat varet zhvillimi i procedurës, pastaj të caktojë shqyrtimin kryesor dhe sipas propozimit të palëve, fillimisht të nxjerrë prova në drejtim të vërtetimit të fakteve, t’i eliminojë shkeljet e konstatuara, e pastaj përmes vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, duke aplikuar normat e të drejtës materiale, të ketë mundësi që të vendosë në mënyrë meritore lidhur me kërkesëpadinë e paditësve.

Pas verdiktit të Komerciales, me të cilin Ndërmarrja Publike Banesore u obligua të paguante 32.5 milionë euro, rreth 350 punëtorë të saj protestuan duke kërkuar rrëzimin e vendimit. Ata kërkuan edhe pagat për tre muajt e fundit.