Kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka vendosur përgjegjësinë mbi qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, për bllokimin e llogarive të Ndërmarrjes Publike Banesore. Kjo ndërmarrje nga gjykata komerciale është e obliguar që tri kompanive t’u paguajë 32 milionë euro, në emër të fitimit të humbur. Rama ka thënë se atë kontratë e kishte nënshkruar qeverisja para tij, derisa gjatë qeverisjes së tij, ishte kërkuar hetimi i kontratës.
Për të hequr përgjegjësinë nga vetja, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, bashkë me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, kanë dalë në konferencë shtypi të shtunën ku kanë folur për gjendjen e Ndërmarrjes Publike Banesore, së cilës i janë bllokuar llogaritë.
Rama e ka akuzuar Vetëvendosjen, se gjatë qeverisjes së saj në Prishtinë, NPB-ja ka nënshkruar kontratë me operatorët privatë, për të lejuar ndërtimin e lartë në pronën e saj.
“Dua të bëj të qartë që gjithë ky proces ka filluar dhe është zhvilluar gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, në Prishtinë pra jo gjatë qeverisjes sonë, prandaj vendimet janë mare në vitin 2021 kur unë kam qenë kryetar i kryeqytetit, pra nuk janë marrë me datë 27 prill të vitit 2021 është marrë vendimi nga komisioni i atëhershëm komunal i aksionarëve të ndërmarrjes publike banesore. Më 17 maj të vitit 2021 është nënshkruar kontrata, me 16 gusht të vitit 2021 është lëshuar leja e ndërtimit”, ka thënë Rama në konferencë.
Rama ka pretenduar se gjatë mandatit të tij është kërkuar hetim mbi këtë çështje, ashtu që prona publike të mbrohet nga dëmet.
Por Rama është sfiduar në konferencë se pse nuk e ka ndaluar kontratën që me fillim, por ka lejuar të kalojnë 6 vjet dhe niveli i fitimit të humbur të rritet. E Rama ka thënë se “kanë marrë masa” duke “qenë aktivë që nga fillimi”.
E nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka kërkuar nga Gjykata Supreme të marrë masa për mbrojtje të pronës së NPB-së.
Ndërsa nënkryetarja Besiana Musmurati, e ka mbajtur përgjegjëse qeverinë e Albin Kurtit, ngase sipas saj ka lejuar shpronësimin e parcelës në Lakërishtë, ku pritej të realizohej projekti për kompleksin banesor afarist me pesë objekte.
“Më datë 12 gusht, Qeveria e Kosovës merr vendim për shpronësim të pikërisht kësaj parcele në Lakërishtë. Pra në mes të një procesi shpronësor e të një lënde që ende nuk ka marrë epilog, qeveria e Kosovës ka marr vendim për shpronësim. E këtu nuk mundemi pa i shtruar disa pyetje, rrjedhimisht se çka e ka shtyrë qeverinë e Kosovës t’i ndihmojë një grupi abuzues që po tenton ta falimentojë një ndërmarrje publike duke krijuar shpronësim të pikërisht kësaj prone. Pra këtu duhet një investigim më i thellë dhe të gjitha pyetjet tona të marrin përgjigje”, ka thënë Musmurati.
Ramës dhe pushtetit komunal, i ka reaguar shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla. Ai ka thënë se Vetëvendosja ka bërë paralajmërime, denoncime, padi e ka kërkuar debat për këtë marrëveshje, teksa ka akuzuar Ramën për heshtje ndër vite e PDK-në se e ka pasur nën menaxhim NPB-në dhe mbrojtjen ligjore të NPB-së.
“Komuna nuk e dërgoi fare përfaqësuesin ligjor në seancë, ndërsa avokati i PDK-së, në rolin e mbrojtësit të NPB-së, nuk e kundërshtoi lartësinë e ekspertizës financiare dhe nuk kërkoi ekspertizë të re. Dhe sot, pasi dëmi ka ardhur te dera, pasi ky dëm është mundësuar edhe nga mosveprimet e tyre, Përparimi dhe Besiana po kërkojnë fajtorë gjithandej. Edhe një herë po dëshmohet se, kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë pa problem. E çmimin, përsëri, e paguan pasuria e përbashkët e qytetarëve të Prishtinës. Drejtësia dhe përgjegjësia mund të vonojnë. Por historia do ta mbajë mend shumë qartë se kush e mbrojti pronën publike dhe kush e solli qytetin deri këtu”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Në vitin 2021, Ndërmarrja Publike Banesore hyri në një marrëveshje bashkinvestimi me tri kompani private për zhvillimin e një projekti banesor dhe afarist në parcelat e NPB-së në Lakrishtë. Projekti parashihte ndërtimin e pesë objekteve, por nuk u realizua dhe mosmarrëveshja mes palëve përfundoi në gjykatë.
Gjykata Komerciale e obligoi NPB-në t’u paguajë kompanive mbi 32.5 milionë euro, kryesisht në emër të fitimit të humbur. Pas këtij vendimi, në gusht të këtij viti, llogaritë bankare të NPB-së u bllokuan në kuadër të procedurës përmbarimore.
Ρεζάνα Μποζλάνι