KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Η κυβέρνηση έχει τρεις μήνες για να εξοικονομήσει τα 165.8 εκατομμύρια από το Σχέδιο Ανάπτυξης

κυβέρνηση

Φωτογραφία: Driton Pacharada

Bashkimi Evropian pret që rivendosja e stabilitetit institucional në vend, pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula, t’i mundësojë Kosovës të përfitojë plotësisht nga mundësitë që i ofron, përfshirë Planin e Rritjes. Por, afatet për përmbushjen e reformave të përcaktuara janë duke rrjedhur shpejt, e kësisoj nga akterët institucionalë është duke u kërkuar që situata të trajtohet si urgjente, në mënyrë që Kosova të mos humb miliona euro që ka në dispozicion

Rreth tre muaj kohë ka Kosova që t`i përmbushë 27 hapa të reformave e t`i raportojë Bashkimit Evropian për punën e bërë në më shumë se 23 hapa të tjerë. Reformat që duhet të përmbushen deri në fund të muajit dhjetor, sipas Bashkimit Evropian, kanë vlerën 165.8 milionë euro. Derisa në një përgjigje për KOHA-n, nga Zyra e BE-së në Kosovë, thanë se përmbushja e hapave deri në muajin qershor është ende duke u vlerësuar.

“Siç e dini, Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht që të përmbushë reformat e përzgjedhura në kuadër të Agjendës së Reformave të miratuar, si dhe parakushtet dhe kushtet e përgjithshme. Disbursimi i fondeve nga BE-ja varet nga vlerësimi i përmbushjes së hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave, si dhe nga respektimi i kushteve të përgjithshme dhe parakushteve”, tha zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Nikola Gaon.

Nga BE-ja thanë që me zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula presin që të rivendoset stabiliteti institucional, që do t`i mundësonte Kosovës “të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë Planin e Rritjes”.

Por, për shkak të periudhës kohore të shkurtër të mbetur, drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Njomza Arifi, thotë se situata për implementimin e reformave është urgjente.

“Agjenda e reformave ka qenë një prej proceseve që është ndikuar në mënyrë direkte nga kriza politike. Kemi humbur kohë që nuk rikuperohet, për këto dy vjet që nuk kemi pasur institucione, tash jemi në një situatë shumë urgjente”, ka deklaruar Arifi.

Sipas saj, institucionet duhet të formojnë një task-forcë të brendshme në mënyrë që përmbushja e masave të kërkuara të bëhet në kohë e Kosova të mos humbë fonde nga Plani i Rritjes.

“Si GLPS, konsiderojmë që agjenda e reformave, për shkak të ngutisë kohore që e kemi me të, duhet të ketë një prioritet nga ana e qeverisë dhe e kuvendit. Rrjedhimisht kemi propozuar që të krijohet një task forcë e brendshme koordinuese, e cila përveç se përcakton qartë cilat janë prioritetet që janë të dedikuara, si masa në reformat e agjendave, të bëjnë edhe koordinimin jo vetëm brenda ekzekutivit por edhe me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të cilat janë përgjegjëse për implementim të masave”, ka theksuar Arifi.

Në lidhje me veprimet që janë duke u ndërmarrë, apo planifikohen në drejtim të përmbylljes së hapave të parapara në afatin e përcaktuar, KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Qeveria, por nuk ka marrë përgjigje.

E Njomza Arifi thotë se dështimi eventual i përmbushje së reformave të kërkuara deri në fund të këtij viti nuk ka për pasojë vetëm aspektin financiar.

“Nëse Kosova nuk arrin të optimizojë kohën e mbetur atëherë ne e japim edhe një sinjal shumë negativ karshi BE-së që nuk kemi qenë të gatshëm të veprojmë karshi një plani i cili nuk e lidhë Kosovën as me procesin e dialogut, as me procesin e integrimit”.

Në kuadër të fondit 6 miliardë eurosh të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosova në dispozicion ka mbi 800 milionë euro. Afati për shfrytëzimin e tyre skadon në verën e vitit 2027. Nëse shtetet nuk përmbushin reformat në kohë, mjetet i kthehen buxhetit të bllokut evropian.

Deri më tani, Kosova nuk ka marrë asnjë pagesë të rregullt, përveç parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh, të ndarë në prill të këtij viti.