KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Οι εργαζόμενοι της NPB διαμαρτύρονται ενώπιον του Ανωτάτου Δικαστηρίου για τους μισθούς τους

Διαμαρτυρία για τους μισθούς

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë protestuar të hënën para Gjykatës Supreme, duke kërkuar që lënda e tyre të trajtohet sa më shpejt. 

Ata thonë se vonesa në vendimmarrje po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre, pasi punëtorët kanë mbetur pa paga.

Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, tha se punëtorët kanë dalë para Gjykatës Supreme për të kërkuar të drejtën e tyre, duke theksuar se pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe familje që presin përgjigje.

“Jemi këtu para Gjykatës Supreme sepse pas kësaj lënde, pas kësaj dere është lënda jonë, pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe qindra familje që presin një përgjigje. Pas kësaj lënde janë fëmijët tanë, janë faturat tona, është buka jonë e përditshme, është dinjiteti jonë i çdo punëtori. Ne nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, po kërkojmë që drejtësia të mos vonohet, në mes është jeta e familjeve tona”, tha Prebreza, raportoi KSP.

Ai theksoi se, pavarësisht se nuk kanë marrë pagat, punëtorët kanë vazhduar të punojnë dhe të ofrojnë shërbime për qytetarët.

“Edhe pse jemi të lodhur nga mosmarrja e pagës, ne prapë po vazhdojmë të punojmë ashtu siç kemi punuar deri më sot. Po vazhdojmë të jemi sa më afër qytetarëve në shërbim, që shërbimet që ju ofrojmë t’i ofrojmë sa më mirë. Ne jemi dora e djathtë e qytetit, ndaj kërkojmë nga Gjykata Supreme të bëhet dora e djathtë për ne. Edhe sot duhet të presim. Edhe sa muaj duhet të pres një punëtor për pagën e tij? Sa gjatë? Të punojë një njeri dhe mos marrë atë që i takon. Pse lëndët e tjera të palës trajtohen ndërsa e jona duhet të pritet?”, u shpreh ai.

Prebreza tha se punëtorët kanë pritur mjaftueshëm dhe kërkoi që lënda të trajtohet me urgjencë nga Gjykata Supreme.

“Kemi duruar, kemi pritur, por sot kemi ardhur këtu për t’ju thënë qartë: mjaft më me heshtje, mjaft më me vonesa, mjaft më punëtorët pa paga. Po ashtu, ne kërkojmë trajtim sa më të shpejtë të lëndës sonë nga Gjykata Supreme. Ne po vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë paqësore, që kërkesa jonë nuk ka të bëjë me pavarësinë e punës gjyqësorit në këtë çështje. Nuk jemi kundër drejtësisë, ne kërkojmë drejtësi. Nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë vetëm të drejtën tonë”, tha organizatori i protestës.

Pas protestës, përfaqësues të NPB-së kanë hyrë në Gjykatën Supreme, ku kanë kërkuar informacion lidhur me lëndën e tyre. Si përgjigje, atyre u është thënë se lënda pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.