KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Αμερικανικό Εμπορικό Επιμελητήριο: Η έλλειψη δεξιοτήτων των εργαζομένων παραλύει το οικονομικό δυναμικό

Εργάτης

Φωτογραφία: Εικονογράφηση

Dy studime të publikuara nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë konkluduar se mungesa e fuqisë punëtore dhe shkathtësive të nevojshme është duke e rritur koston e bizneseve dhe po shkakton paralizim të potencialit ekonomik.

Në një komunikatë për media është thënë se këto studime kanë përfshirë biznese të madhësive të ndryshme nga prodhimi, shërbimet financiare, TIK-u, tregtia, shërbimet profesionale, hoteleria dhe turizmi, shëndetësia dhe sektorë të tjerë.

Sipas komunikatës, “63.7% e bizneseve e konsiderojnë të vështirë ose shumë të vështirë rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar”.

“Shkathtësitë teknike janë më të vështirat për t’u gjetur, ndërsa mungesa të theksuara evidentohen edhe në shitje, menaxhim, lidership, inxhinieri dhe shkathtësi digjitale. Pasojat reflektohen drejtpërdrejt në performancën e bizneseve: 50% raportojnë produktivitet të reduktuar, 33.3% kosto më të larta të punës dhe 21.6% investime të vonuara. Në aspektin sektorial, prodhimi del ndër sektorët më të prekur. 87.5% e bizneseve prodhuese raportojnë vështirësi ose vështirësi të mëdha në rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht për profilet inxhinierike, teknike dhe të prodhimit, ndërsa 62.5% raportojnë ulje të produktivitetit si pasojë e mungesës së punëtorëve të kualifikuar. Presion i lartë vërehet edhe në tregtinë me pakicë, ku 80% raportojnë vështirësi në rekrutim”, thuhet në njoftim.

Sipas studimit, sektori privat është duke investuar për të zhvilluar fuqinë punëtore.

“92.1% e bizneseve ofrojnë trajnime rregullisht ose herë pas here, ndërsa 84.4% investojnë deri në 20,000 euro në vit në trajnimin e punonjësve. Tek kompanitë me 250 ose më shumë punonjës, 71.5% investojnë mbi 20,000 euro në vit. Megjithatë, punëdhënësit e vlerësojnë përputhjen e shkathtësive të të diplomuarve me nevojat e biznesit mesatarisht vetëm 48.2 nga 100, duke evidentuar nevojën për lidhje më të fortë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës”, thuhet në njoftim.

Sipas studimeve, 82 për qind e bizneseve kanë raportuar për mungesë stafi ose boshllëqe në shkathtësi. Si pasojë, ato janë detyruar të shpenzojnë shtesë për rekrutim, punë jashtë orarin, punëtorë të përkohshëm dhe kontraktorë, por edhe trajnim e aftësim.

“Në tregtinë me pakicë, disa kompani raportojnë mbi 20,000 euro shpenzime vjetore vetëm për punën jashtë orarit. Njëkohësisht, 73% e bizneseve vlerësojnë se qasja adekuate në punëtorë me shkathtësitë e duhura mund t’ua rriste prodhimin ose të hyrat për të paktën 6% gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa më shumë se një e treta vlerësojnë potencial për rritje mbi 10%”, thuhet në raport.

Tek ka konkluduar se këto janë sfida që po çojnë në paralizim të ekonomisë, Oda Ekonomike Amerikane ka thënë se investimet vetëm në zhvillim të stafit nuk mund të adresojnë mospërputhjen mes shkathtësive që ofron tregu dhe atyre që kërkon ekonomia.

Kjo odë ka rekomanduar forcimin e arsimit dhe aftësimit profesional, sipas kërkesave të tregut, zgjerimin e praktikave dhe mësimit në vendin e punës, përfshirjen e bizneseve në zhvillimin e kurrikulave dhe krijimin e stimulimeve për trajnim dhe aftësim.

“Gjithashtu, nevojitet përmirësimi i informacionit për tregun e punës dhe mekanizmave të rekrutimit, si dhe mbështetja e investimeve në teknologji që rrisin produktivitetin. Një bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet sektorit privat, institucioneve arsimore dhe institucioneve publike është thelbësor që zhvillimi i fuqisë punëtore të trajtohet si prioritet i konkurrueshmërisë dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike”, thuhet në njoftim.