KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Από τους περιορισμούς ηλικίας μέχρι το πρότυπο Euro 5, πολλά διλήμματα σχετικά με την ασφάλεια και τη ρύπανση

ΟΧΗΜΑΤΑ

Pavarësisht kufizimit ligjor për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, në rrugët e Kosovës qarkullojnë mbi 420 mijë vetura që e tejkalojnë këtë moshë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave. Qeveria synon ta heqë kufizimin 10-vjeçar dhe ta zëvendësojë me kriterin e standardit të emetimeve Euro 5. Por, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimi i rregullave duhet të shoqërohet me kontrolle të rrepta teknike, për të garantuar sigurinë në trafik dhe për të parandaluar ndotjen e mjedisit

Rreth 78 për qind e automjeteve në Kosovë janë më të vjetra se 10 vjet, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave. 

Sipas statistikave, nga viti 2018 deri në vitin 2025, numri i përgjithshëm i automjeteve në vend, më të vjetra se 10 vjet, është mbi 420 mijë.

Krahas kësaj, kufizimi 10-vjeçar për importin e veturave në Kosovë, i cili është në fuqi që nga 1 janar i vitit 2018 pritet të hiqet dhe të zëvendësohet me kriterin e standardit Euro 5 për emetimin e gazrave.
Kjo parashihet me Projektligjin e ri për Automjete, i cili pritet të procedohet në Kuvend në dhjetor.
Deputeti i LVV-së dhe anëtari i Komisionit për Mjedis, Infrastrukturë dhe Transport, Alban Bajrami, thotë se kufizimi aktual ka ndikuar në rritjen e çmimeve të veturave në tregun e Kosovës.

“Parashikohet që ky kufizim 10-vjeçar që ka qenë deri më tani, i cili nuk ka asnjë lloj kuptimi, do të largohet dhe të vendoset standardi i ri sipas emetimit të gazrave apo, më saktë, standardi Euro 5 i emetimit të gazrave. Ashtu siç njihet në industrinë e veturave, ky kufizim ka qenë i padrejtë dhe është dashur të bëhet një ndryshim i këtij kufizimi, për shkak se kostoja e veturave, të cilat tashmë janë të nevojshme, nuk do të thotë që janë pjesë e shpenzimeve të luksit për qytetarët e Republikës së Kosovës, ka shkuar shumë lart”, ka thënë ai.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, vlerëson se ndryshimet në kriteret e importit mund të ndikojnë në përmirësimin e sigurisë rrugore.

“Duhet patjetër me punu që numri i importit të automjeteve duhet me u zvogëluar, duhet me u zvogëluar edhe dogana e automjeteve të importuara. Sigurisht, prej atyre që e fusin automjetin me rrymë elektrike, që lëviz, pastaj edhe atyre që janë me derivat të kombinuar. Siguria rrugore, sa i përket faktorit të automjetit, do të jetë shumë më e madhe. Në këtë formë, pastaj do të përcillet edhe numri i aksidenteve sa i përket faktorit të automjetit”, ka thënë ai.

Një iniciativë e tillë ishte propozuar edhe në vitin 2024, por ajo ishte kundërshtuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me arsyetimin për ndotjen e ambientit, e po ashtu nuk kishte marrë mbështetjen e shumicës as në Kuvend. 

KOHA ka kërkuar sërish qëndrimin e Odës për ndryshimet e propozuara, por deri në publikim e tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Ambientalisti Remzi Raka vlerëson se veturat e vjetra, veçanërisht ato me naftë, kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen e ajrit.

”Veturat e vjetra, sidomos ato me naftë, shkaktojnë ndotje të rëndë të ambientit dhe të ajrit përmes lirimit të gazrave të dëmshme dhe grimcave gjatë qarkullimit në rrugë. Po tani edhe te heqja e kufizimit, problemi shpesh shihet te veturat e importuara, në realitet çështja kryesore qëndron te mungesa e zbatimit të ligjit dhe e kontrolleve teknike të vazhdueshme në terren. Për pasojë, pa një mekanizëm rigoroz të mbikëqyrjes nga institucionet, legjislacioni mbetet i pamjaftueshëm për të mbrojtur cilësinë e ajrit dhe mjedisin tonë”, ka thënë Raka.

Aktualisht, në Kosovë, importi i veturave lejohet nëse ato plotësojnë së paku standardin Euro 4, i cili përcakton kufijtë e lejuar të emetimit të gazrave ndotëse.

Me Projektligjin e ri për Automjete synohet kalimi në standardin Euro 5.