Ρεζάνα Μποζλάνι
Përdorimin e rrjeteve sociale si: Facebook, Twitter, Linkedln dhe platformave të tjera, gjyqtarët tash e tutje do ta bëjnë me disa kufizime.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes Komitetit Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore, ka nxjerrë rregullore të re, e cila e vë në pikëpyetje paanshmërinë e një gjyqtari në rast se ndërvepron me një avokat apo politikan në rrjetet sociale, me pëlqime, komente apo miqësi virtuale.
Rregullorja është mirëpritur nga shoqëria civile.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se një nismë e tillë ka qenë e nevojshme të ndërmerret shumë më herët.
“Është një ndër rregulloret më të rëndësishme që Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të duhej t’i miratonte ndoshta kohë më parë, ne e dimë se sot kemi një numër të madh të stafit gjyqësor, të gjyqtarëve që përdorin rrjetet sociale, kemi parë rast kur gjyqtaret jo rrallëherë bëjnë komente, bëjnë pëlqime, domethënë në postime të cilat kanë karakter politik, motive politike, biznesmenëve apo çështjeve të tjera të cilat në radhë të parë e cenojnë integritetin e gjyqtarit”, ka thënë Miftaraj.
E sa i përket lirisë së shprehjes në rrjetet sociale, Miftaraj ka thënë se nevojitet kujdes i shtuar nga ushtruesit e detyrës së gjyqtarit, që të mos cenohet integriteti i punës.
“Liria e shprehjes padyshim është e drejtë kushtetuese, dhe e drejtë e çdo qytetari të Kosovës, por kur je gjyqtar ose prokuror nëse komenton te një politikan, te një parti politike, dhe pastaj pas tre katër muajve vjen një rast gjyqësor ndaj atij politikani apo ndaj partisë politike të njëjtë, atëherë publiku e humb besimin se je i pavarur dhe i paanshëm dhe se do ta trajtosh këtë rast si të themi me syrin e një gjyqtari”, ka thënë ai.
Miftaraj është shprehur se nuk është e mjaftueshme që të miratohet një ligj apo rregullore, sipas tij është e rëndësishme, që të njëjtën, këshilli gjyqësor ta zbatojë, dhe të sigurohet që gjyqtarët t’i zbatojnë ato rregulla e parime.
E gjatë mbledhjes së KGJK-së më kryetaret e gjykatave në Kosovë, të enjten, kryesuesi i këtij institucioni, Rrustem Thaqi, nuk ka pranuar të japë përgjigje lidhur me opinionin nga Komiteti Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore.
Sipas Komitetit Këshillëdhënës Gjyqësor, gjyqtarëve u ndalohet të shfaqin kritikë apo përkrahje ndaj partive politike.
Por opinioni përfshin edhe mënyrën se si gjyqtarët paraqesin jetën private. Sipas dokumentit, nuk lejohen publikime të fotografive apo videove që paraqesin sjellje të pahijshme, konsum të tepërt të alkoolit, pjesëmarrje që konsiderohen të papërshtatshme për funksionin e gjyqtarit apo një stil luksoz jetese që nuk përkon me të ardhurat legjitime të tij.