KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Η προστασία των θυμάτων αποκαλεί τη δικαιοσύνη στο Κοσσυφοπέδιο διεφθαρμένη

Speciale

Φωτογραφία: Associated Press

Në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së kanë nisur parashtrimet për procedurat e kompensimit të viktimave pas shpalljes së tyre fajtorë për krime lufte. Mbrojtja e viktimave ka kërkuar që të mos referohen për padi civile në Kosovë me arsyetimin se sistemi i drejtësisë në vend është i korruptuar. Një pretendim të tillë e kanë kundërshtuar juristët kosovarë

Mbrojtja e cila përfaqëson 155 viktima në rastin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka kërkuar që të mos referohen për padi civile në Kosovë sa i përket kompensimeve.

Këtë pretendim, mbrojtja e ka mbështetur, duke u thirrur në konstatimet e gjyqtarëve në rastin e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, se gjoja sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë mangësi dhe është i korruptuar.

“Mangësi të tjera përfshinin: ekzistencën e mundshme të një niveli të caktuar të korrupsionit dhe ndërhyrjeve brenda sistemit juridik të Kosovës dhe mungesën e strukturave efikase të llogaridhënies për gjyqësorin; kohëzgjatjen e procedurave civile”, ka pretenduar Simon Laws, mbrojtës i viktimave.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka thënë se deklaratat e tilla për sistemin e drejtësisë në Kosovë janë paragjykuese.

“Pretendimet se mund të ketë ndërhyrje i konsideroj paushalle dhe të motivuara nga qëllime dashakeqëse, por njëkohësisht edhe paragjykuese. Kjo për faktin se, kur kemi të bëjmë me zhdëmtimin, çështja lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë penale të të pandehurve...Në asnjë mënyrë nuk mund të shmanget referimi i çështjeve për kompensimin e viktimave në gjykatat e Kosovës, vetëm mbi bazën e paragjykimeve se mund të ketë ndërhyrje eventuale”, ka thënë Hasani.

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se deklarata është e pabazuar, duke shtuar se përkundrazi DHSK-ja ka vepruar në shpërputhje me çdo parim të së drejtës ndërkombëtare.

“Vlerësoj që është deklaratë e pabazuar dhe e natyrës tendencioze dhe si e tillë është absolutisht e papranueshme prej kujtdo qoftë, aq më tepër prej personave që me letra supozohet që janë pjesë e sistemit tonë të drejtësisë”, ka thënë Bajraktari.

Përveç pretendimeve për sistem të korruptuar të drejtësisë, mbrojtja e viktimave ka thënë se kuadri ligjor në Kosovë nuk e njeh ruajtjen e anonimitetit.

Por Fejzullahu ka deklaruar se trajtimi i këtyre padive civile bëhet me kriteret që aplikohen në Kosovë.

“Nëse me një vendim të formës së prerë konfirmohet fajësia e tyre dhe më pas palët udhëzohen në kontest civil, atëherë, sipas legjislacionit të Kosovës, përcaktimi i dëmit material dhe jomaterial (moral), me të gjitha dimensionet e tij, bëhet në përputhje me standardet dhe kriteret që aplikohen në Kosovë”, ka thënë ish-kryetari i Supremes.

Ndërsa, Bajraktari ka vlerësuar se një prej elementeve bazë të shqyrtimit të këtyre kërkesave është identifikimi.

“Aktualisht ajo në sistemin tonë të drejtësisë është e pamundur, sepse një prej elementeve bazë është identifikimi i personit për me pa se mbi cilat baza në çfarë ai pretendon dhe natyrisht është detyrë dhe përgjegjësi e organeve që e zbatojnë ligjin, qoftë komisioni për kompensimin e viktimave të krimit, e qoftë sistemit të gjykatave që me e ditë se kush po kompensohet”, ka thënë avokati Bajraktari.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë dhe Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit lidhur me këto pretendime në parashtresën e mbrojtjes së viktimave, por nuk ka marrë përgjigje.

Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar me 81 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë. Ndërkohë që mbrojtja përgatitet për procedurat e Apelit, trupi gjykues në shkallë të parë ka filluar procedurat sa u përket reparacioneve ndaj viktimave.