KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Το υψηλό κόστος ανατροφής των παιδιών επιβαρύνει τις οικογένειες, απαιτούνται συγκεκριμένες πολιτικές

Μωρά

Ονόματα μωρών

Kostoja e rritjes së fëmijëve në Kosovë po rëndon mbi familjet e reja. sipas një hulumtimi të Remitly, produktet esenciale për një foshnjë në Kosovë mund të kushtojnë deri në 71.2 për qind të pagës mesatare vjetore, përderisa kjo shifër në Gjermani është 8.7 për qind e në Britani 4.8 për qind. 

Andi Belegu, baba i dy fëmijëve, e konsideron raportin ndër më shqetësuesit e kohëve të fundit, duke kërkuar nga institucionet politika konkrete. 

“Ky ka qenë një prej raporteve më shqetësuese që kam parë kohët e fundit pasi që vazhdimisht bëjmë premtime e kërkesa që ta rrisim natalitetin, të shtohet numri i fëmijëve, kemi rrezikun e plakjes së popullsisë që shumë shpejt do të bëhet problem real, por në realitet nuk ka politika që i zbusin shpenzimet dhe kjo mund të jetë një shqetësim dhe frikë për familjet e reja dhe të rinjtë që planifikojnë të krijojnë një familje në Kosovë, sepse barra është shumë e madhe. Të dhënat janë të përpunuara deri në qershor të këtij viti dhe krahasimi bëhet me pagën mesatare të përgjithshme”, ka thënë ai të mërkurën në emisionin “tre8tre” në KTV.

Ai ka propozuar që produktet esenciale për rritjen e fëmijëve, veçanërisht gjatë vitit të parë të jetës, të trajtohen si produkte esenciale edhe në aspektin tatimor.

“Të gjitha produktet që konsiderohen esenciale për rritjen e një fëmije, sidomos në vitin e parë të lindjes duhet të kategorizohen si produkte esenciale dhe të kalojnë në kategorinë tjetër të TVSH-së, mos të tatohen me TVSH 18% sa është tash, por të kategorizohen me pjesën tjetër që është 8%”, ka shtuar ai.

Belegu ka vlerësuar se edhe zgjerimi i rrjetit të çerdheve publike duhet të jetë prioritet shtetëror.

Për sociologun Endrit Temaj ky raport mund të tregojë një problem, i cili në rast se nuk trajtohet, mund të ketë pasoja afatgjata për strukturën demografike të vendit. 

“Raporti flet dukshëm për një krizë të thellë, e cila mund të shndërrohet në krizë strukturore, efektet e saj mund të jenë afatgjata në raportet demografike. Kjo mund të sjellë një lloj frike mbi atë se çfarë është të kesh fëmijë dhe si projektohet çështja e të pasurit fëmijë në Kosovë, kjo te gjeneratat e reja mund të krijojë një ndryshim të planifikimit se ku duhet të ketë fëmijë. Sa i përket shtimit demografik, kjo ndikon sepse 71% të të ardhurave shkojnë në rritje të fëmijës, kjo është një shqetësim shumë i madh në shtresat që preken sepse kjo përpos që e cenon ekonominë familjare, cenon edhe mirëqenien e fëmijëve”, është shprehur ai. 

E doktoresha Arbenita Nimani, ka deklaruar se shpenzimet e mëdha për fëmijët po i shtyjnë disa familje të kërkojnë kushte më të mira jetese në vendet e zhvilluara.

“Kjo po kushton edhe në ikjen e trurit, duke qenë kostot e larta të rritjes së fëmijëve qiftet e reja vendosin ta lëshojnë Kosovën dhe të migrojnë në vendet e tjera të zhvilluara për të siguruar jetesën e tyre. Kjo është shumë shqetësuese... Ta rrisësh një fëmijë në Kosovë është sfidë”, ka thënë ajo. 

Ajo ka vlerësuar se ndonëse shtesat për fëmijët janë ndihmë që duhet përshëndetur, ato mbeten të pamjaftueshme përballë shpenzimeve reale të familjeve. 

“Ndihmat për fëmijë, unë për të dy fëmijët e mi që nuk e kanë kaluar as moshën 10 vjeçare marr 60 euro në muaj. Kjo është shumë pak, është një lloj lëmoshe sepse p.sh. ta zëmë një çerdhe që kushton deri në 500 euro, apo kurset që janë shumë të kushtueshme, këto nuk mjaftojnë. Duhet ta përshëndesim edhe këtë ndihmë por nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë ajo. 

Platforma “Remitly” në një publikim të muajve të fundit lidhur me të dhënat deri në qershor sivjet, ka përllogaritur shpenzimet për gjërat bazike për fëmijën në vitin e tij të parë. Aty Kosova rezultoi ndër shtetet me çmimet më të larta në Evropë, ndërsa kur u mor për bazë në krahasim me të hyrat që kanë qytetarët e Kosovës rezultoi si vendi më i shtrenjtë për të rritur një fëmijë në vitin e parë të lindjes.