Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë shkuar sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të thirret dhe të vazhdojë seanca konstituive, raporton Ekonomia Onlline.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet nga të gjithë dhe se asnjë shumicë parlamentare nuk mund të qëndrojë mbi aktin më të lartë juridik të vendit.
“Por Kushtetuta e Kosovës nuk është statuti i Lëvizjes Vetëvendosje, as nuk mund të imponohet si rregull e përgjithshme e shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë juridik dhe ashtu duhet të mbetet, dhe prandaj ne kemi ardhur sërish në vazhdimin e seancës konstituive për të shprehur qëndrimet tona. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë gjatë krejt vitit 2025 të një bllokade të paparë në këtë Kuvend, ku partia që nuk kishte shumicën për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit vinte dhe propononte çdo 48 orë. Sot, të nderuar deputetë, partia që ka shumicën nuk vjen me propozu emra. Logjika është e njëjtë: me e blloku Kosovën. Edhe imagjinojeni, nuk i kishte votat, vinte me propozu. Sot që i ka votat, nuk vjen me propozu fare.”
Gruda ka thënë se afatet kushtetuese nuk janë element formal, por pjesë thelbësore e normave juridike. Ai ka përdorur shembuj nga funksionimi i institucioneve dhe shërbimeve publike për të argumentuar se çfarë pasojash do të kishte në shoqëri nëse secili do të vendoste vetë se kur t’i respektojë afatet dhe detyrimet.
“Afatet e përcaktuara në Kushtetutë janë të qarta, afatet nuk janë zbukurim i normave. Ato janë pjesë thelbësore, pjesë thelbësore e çdo norme. Vetëm imagjinojeni në një moment sikur të vendosësh që të gjitha shtresat e shoqërisë të mos i respektojnë afatet. Imagjinojeni sikur shkollat të mos fillonin më 1 shtator e të thoshim se do të fillojnë diku nga mesi i shtatorit kur të jenë gati. Imagjinojeni një mësues që nuk shkon në orën e mësimit në orën 8:00 ose 9:00 ku ka me shku, por vendos me shku dy orë mbrapa. Imagjinojeni një mjek që nuk lajmërohet në spital, nuk del në punë, por del kur t’i teket atij. Imagjinojeni një polic që e lë trafikun me u bë kaos e nuk del në kohën kur është i përcaktuar. Çfarë do të ndodhte me këtë shoqëri? Do të futeshim në kaos. Ky Kuvend është modeli i përsosur për krejt shoqërinë kosovare. Kur këtu nuk respektohen afatet, si mund të presim që një shoqëri mund të funksionojë si shoqëri e bazuar në ligj dhe në rregulla?”, thotë ai.
Duke folur për raportin mes shumicës parlamentare dhe Kushtetutës, deputeti i PDK-së ka theksuar se Kushtetuta ka karakter kufizues ndaj pushtetit dhe se asnjë shumicë, pavarësisht sa e madhe është, nuk mund të veprojë jashtë kornizës kushtetuese.
Gruda ka deklaruar se një pushtet që nuk respekton kufizimet kushtetuese mund të ndikojë drejtpërdrejt në të drejtat dhe jetën e qytetarëve.
“Ju që na shikoni, ta dini, ky pushtet autoritar një ditë vjen edhe troket në derën e secilit prej jush: duke ju shkelur të drejtat thelbësore, duke ju nxjerrë prej punës, duke ju degraduar, duke ju mbyllur bizneset, duke ju mbajtur në arrest, duke ju falimentuar komunat që kanë protestuar, duke mos zhvilluar asnjë projekt, duke mos respektuar një gjykim të Gjykatës Supreme që thotë që s’mundesh me qenë edhe anëtar qeverie edhe deputet“, tha Gruda.
Deputeti i PDK-së ka përmendur edhe përvojën evropiane me Kushtetutën e Vajmarit, duke argumentuar se mbrojtja e një republike dhe e rendit kushtetues nuk mund të mbështetet vetëm te rezultati i zgjedhjeve apo te numri i votave që posedon një shumicë.
“Përvoja evropiane me Kushtetutën e Vajmarit na ka mësuar një gjë thelbësore: që republika nuk mbrohet vetëm përmes votave, vetëm përmes numërimit të votave. Prandaj, asnjë shumicë nuk ka të drejtë ta zhbëjë rendin kushtetues që e ka sjellë atë në pushtet. Ky rend kushtetues e ka sjellë Vetëvendosjen në pushtet“, shtoi ai.
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, nga salla e Kuvendit të Kosovës ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me situatën politike dhe ekonomike në vend, duke folur për Ujmanin, furnizimin me barna, krizën energjetike, ikjen e të rinjve, fondet e Bashkimit Evropian, infrastrukturën dhe sektorin privat.
Bytyqi ka thënë se deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Ujmanin nuk duhet të trajtohen si deklarata të zakonshme politike.
“Derisa shkelësi i Kushtetutës, Albin Kurti ka marrë peng institucionet e shtetit, ka harruar t’i kushtojë vëmendje e zgjidhje kërcënimeve mbi Ujmanin, andaj deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiçit për Ujmanin nuk mund të trajtohen si deklarata të zakonshme politike. Ujmani është aset strategjik i Republikës së Kosovës dhe çdo deklaratë që prek sovranitetin, integritetin territorial dhe pasuritë tona duhet të merren jashtëzakonisht seriozisht. Në të njëjtën kohë, si mund të rrinë të qetë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e si mund të na flasin për normalizim politik, ndërsa vazhdojnë të krijojnë varësi ekonomike në fusha strategjike? Kosova urgjentisht duhet të rishikojë bashkëpunimin dhe blerjet nga Serbia, sidomos aty ku ekzistojnë alternativa nga prodhuesit vendorë apo nga tregjet e vendeve mike”, ka thënë ajo.