Disa lagje të Prishtinës qe dy ditë kanë mbetur pa furnizim me ujë. Kjo sipas
Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, ka ndodhur si pasojë e një defekti në pompat e sistemit të furnizimit nga Liqeni i Badovcit.
KRU “Prishtina” të martën ka njoftuar se nga kjo situatë janë të prekura veçanërisht “Hajvalia”, Graçanica, “Mati”, “Bregu i Diellit”, “Veterniku”, “Lagjja e Spitalit”, zona nga Bau Market e lagjja “Qëndresa”.
Por në njoftimin e KRU “Prishtinës” nuk është specifikuar se sa kohë këto lagje do të mbesin pa ujë e as nuk ka pasur një njoftim shtesë që ujë nuk do të ketë as të mërkurën (sot).
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja e KRU “Prishtinës”, Arjeta Mjeku, ka thënë se njoftimi i së martës vlen deri në njoftimin e radhës.
Mungesën e një njoftimi tjetër, Mjeku e ka arsyetuar duke thënë se nuk e kanë ditur saktësisht se sa do të zgjasin punimet.
Ajo ka shtuar se defekti është sanuar dhe se pritet që brenda dy-tri orësh uji të arrijë te secili konsumator.
“Sapo morëm informacionin se ITU Badovc tashmë ka filluar me trajtimin e ujit dhe pritet që brenda 2–3 orëve uji të arrijë te secili konsumator”, ka thënë Mjeku.