Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një koalicion ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar nga drejtuesit e të dyja partive që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një marrëveshje për formimin e institucioneve. Ka shtuar se koalicionet e mëdha janë domosdoshmëri shtetërore.
Mustafa, përmes një mesazhi të gjatë drejtuar kolegëve dhe liderëve politikë, ka thënë se Kosova nuk ka më kohë për përplasje politike, ndërsa ka shprehur shqetësimin për faktin se Kuvendi dhe Qeveria ende nuk janë funksionale.
“Sot, kur shoh tryezën e Kuvendit bosh dhe qeverinë ende të paformuar pas më shumë se katër muajsh, më vjen rëndë. Jo për veten time, por për atë nënë në Gjakovë që nuk ka ilaçe për fëmijën e sëmurë, për atë të riun në Mitrovicë që po paketon valixhen sepse nuk sheh të ardhme këtu”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai ka përmendur si shembull koalicionin PDK-LDK, duke thënë se koalicionet e mëdha mund të sjellin rezultate të rëndësishme për vendin.
“Kur u formua koalicioni PDK-LDK, shumë thoshin se nuk do të zgjaste. Se inatet ishin të mëdha. Se diferencat ishin të pakapërcyeshme. Por ne atëherë vendosëm të mos dëgjojmë zërat e dyshimit. Vendosëm të dëgjojmë zërin e atdheut. Dhe çfarë ndodhi? E shpallëm Pavarësinë e Kosovës. Ato duar që kishin mbajtur pushkën, ato duar që kishin shkruar peticione e kishin fshirë lotët për të rënët, nënshkruan aktin më të shenjtë të historisë sonë shtetërore. Ndërtuam autostradat që sot lidhin Kosovën me bregun e Adriatikut, i dhanë frymë ekonomisë sonë dhe afruan njerëzit. Bëmë shkolla, spitale e ura. Gjurmë që nuk fshihen, gjurmë që sot fëmijët tanë i shohin dhe thonë: ‘Këtë e bënë prindërit tanë’. Prandaj e di: koalicionet e mëdha nuk janë luks, janë domosdoshmëri shtetërore”, është shprehur ai.
επίσης
Το VV με τον Konjufca στοχεύει σε μια βραχυπρόθεσμη κυβέρνηση, χωρίς εξασφαλισμένες ψήφους
Mustafa ka thënë se sot dy forcat më të mëdha politike në vend janë LVV-ja dhe PDK-ja dhe, pavarësisht përplasjeve të së kaluarës, ato duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët.
“Unë nuk po ju kërkoj të harroni të kaluarën. Unë po ju kërkoj të mos lejoni që e kaluara t’ju mbajë peng të ardhmes. Ne nuk kemi kohë për inate, nuk kemi kohë për hakmarrje dhe as për ‘nëse’ apo ‘por’”, ka deklaruar ai.
Deputeti i PDK-së ka theksuar se përplasjet politike dhe ciklet e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar, sipas tij, edhe në largimin e të rinjve nga Kosova.
Në fund, Mustafa u ka bërë thirrje drejtpërdrejt kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të takohen dhe të diskutojnë për një marrëveshje.
“Të nderuar kryetarë të PDK-së dhe të LVV-së, ju ftoj të uleni në një tryezë. Jo si kundërshtarë, jo si rivalë, por si burra shteti që kanë për detyrë t’ua lënë fëmijëve tanë një Kosovë më të mirë”, ka thënë Mustafa.
επίσης
Ο Πρόεδρος δίνει εντολή στον Glauk Konjufca να σχηματίσει κυβέρνηση
Ai ka shtuar se është i gatshëm të japë përvojën e tij për një bashkim të tillë politik.
“Unë jam gati të jap të gjithë përvojën time për këtë bashkim. A jeni gati edhe ju?”, ka përfunduar Mustafa.