Një prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se kur është hartuar dokumenti më i rëndësishëm, nuk ka qenë e mundur të parashikohej çdo situatë e mundshme e bllokimit politik.
Në një shkrim në Facebook, akademiku Bajrami ka listuar një listë sqarimesh për 10 temat të cilat i ka vlerësuar si themelore për krizën aktuale politike. Ai ka thënë se situata aktuale rrezikon të sjellë pasoja për funksionimin normal të shtetit.
Kuvendi i Kosovës nuk e ka konstituuar ende legjislaturën e 11-të, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Edhe pse ka kaluar afti kushtetues prej 30 ditësh për konstituim, partia fituese nuk ka nxjerrë një emër për kryeparlamentar. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në dy raste ka kërkuar afat shtesë për marrëveshje me partitë tjera për presidentin, duke vlerësuar se pa këtë marrëveshje “pashmangshëm shkohet në zgjedhje të reja”, edhe po që se konstituohet Kuvendi e formohet Qeveria e re. Kushtetuta nuk parasheh sanksion po që se kalohet ky afat.
Akademiku Bajrami ka thënë se zgjidhja e krizës aktuale është politike dhe se Kushtetuta duhet të jetë korniza detyruese brenda së cilës duhet të realizohet zgjidhja.
“Në vlerësimin tim, situata aktuale duhet të emërtohet me saktësi. Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës përcakton strukturën e pushtetit, kompetencat e institucioneve dhe procedurat për funksionalizimin e tyre. Por Kushtetuta nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik. Kur kemi hartuar Kushtetutën, nuk kemi mundur dhe as nuk ka qenë e mundur të parashikonim çdo situatë të mundshme të bllokimit politik. Një Kushtetutë nuk mund të shkruhet si një manual për çdo konflikt të mundshëm ndërmjet partive politike. Ajo është ndërtuar mbi premisën e një kulture demokratike dhe kushtetuese, në të cilën subjektet politike respektojnë rregullat e lojës demokratike dhe, kur është e nevojshme, arrijnë kompromiset e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Prandaj, zgjidhja e krizës aktuale është para së gjithash politike, ndërsa Kushtetuta duhet të jetë korniza detyruese brenda së cilës gjendet dhe realizohet kjo zgjidhje. Kushtetuta përcakton rregullat; politika demokratike duhet të prodhojë vullnetin për t’i zbatuar ato”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
επίσης
Γιατί ο Agim Çeku δεν κήρυξε την ανεξαρτησία;
Tek ka komentuar vonesat për konstituim të legjislaturës së 11-të të Kuvendit, Bajrami ka thënë se një kompetencë kushtetuese s’duhet të shihet vetëm si privilegj i subjektit që e ushtron atë.
“Çdo kompetencë kushtetuese ekziston për të realizuar një funksion kushtetues dhe për t’i shërbyer funksionimit të institucionit dhe të shtetit. Nëse një subjekt politik ka mundësinë dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime që çojnë në funksionalizimin e institucioneve, por e përdor pozitën e tij për të shkaktuar ose për të zgjatur një bllokim institucional, atëherë lind pyetja nëse kemi të bëjmë thjesht me ushtrim të një kompetence politike apo nëse, në rrethana të caktuara, mund të shtrohet edhe çështja e keqpërdorimit të pozitës kushtetuese. Kjo kërkon një analizë shumë të kujdesshme dhe nuk mund të konkludohet vetëm mbi bazën e një vlerësimi politik”, ka shkruar ai. Në këtë kontekst, Bajrami ka shtruar çështjen e “ometimit kushtetues”. “Ometimi kushtetues mund të shfaqet kur mosveprimi i një organi publik krijon një boshllëk në realizimin e një detyrimi kushtetues dhe pengon funksionimin efektiv të rendit kushtetues. Megjithatë, ky koncept duhet përdorur me shumë kujdes. Ometimi kushtetues nuk mund të shpallet vetëm përmes një deklarate politike. Ai kërkon analizë juridike të detyrimit kushtetues, subjektit përgjegjës, natyrës së mosveprimit, kohëzgjatjes së tij dhe pasojave që prodhon. Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që debati mbi ometimin kushtetues të mos shndërrohet në një etiketë politike, por të mbetet pjesë e një analize serioze juridiko-kushtetuese”.
Në pikat tjera, Bajrami ka thënë se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe jo mundësi politike. Sipas tij, dispozita që specifikon se seanca konstituive të mbahet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e ka logjikën e qartë kushtetuese që të nisë pa vonesë procesi i krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja.
Bajrami ka thënë se ky afat 30-ditësh duhet të respektohet. Bajrami ka vlerësuar se formulimi që specifikon këtë pikë në Kushtetutë, nuk u jep partive mundësinë e pakufizuar për ta shtyrë konstituimin. Bajrami ka thënë se ky afat është vendosur për të siguruar kalim të shpejtë, të rregullt dhe kushtetues nga procesi zgjedhor në funksionalizim të institucioneve. “Kur ky afat tejkalohet pa përfunduar procesi kushtetues, atëherë kemi një çështje serioze të respektimit të Kushtetutës”, ka thënë ai teksa ka shtuar se konstatimi për shkelje kushtetuese i ngelet për t’u përcaktuar Gjykatës Kushtetuese.
Zgjedhja e kryeparlamentarit, sipas Bajramit, nuk është dytësore apo procedurale në konstituim.
Bajrami ka thënë se ekziston konfuzioni se moskonstituimi çon në shpërndarje të Kuvendit. Megjithatë, sipas tij kjo nuk qëndron, e se për çështje të tillë duhet të nxirret një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
επίσης
Το Υπουργείο Άμυνας του Ρουγκόβα και οι τρεις επιλογές καθεστώτος...
Bajrami u ka bërë thirrje partive të ruajnë ndarjen ndërmjet juridikes dhe politikes. Siç ka shkruar ai Gjykata Kushtetuese mund të japë zgjidhje juridike brenda kompetencës, por nuk mund të krijojë marrëveshje politike kur partitë refuzojnë.
Ish-ministri u ka bërë thirrje partive që po ashtu të lexojnë secilin aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për çështjet e ngjashme. Ai ka thënë se jurisprudenca kushtetuese duhet të respektohet dhe jo të relativizohet.
Në fund, Bajrami ka përsëritur se zgjidhja është politike dhe se nuk ka nevojë për luftë të re interpretimesh kushtetuese.
“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, maturi institucionale dhe vullnet për kompromis. 1.Duhet të konstituohet Kuvendi. 2.Duhet të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit. 3.Duhet të fillojë dhe të përfundojë procedura kushtetuese për formimin e Qeverisë. 4.Duhet të krijohen kushtet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. 5.Dhe, mbi të gjitha, duhet të rikthehet funksionaliteti i plotë i institucioneve të Republikës së Kosovës. Si njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës, dua ta them qartë: Kushtetuta nuk është shkruar për të bllokuar shtetin. Ajo është shkruar për ta bërë shtetin funksional. Kushtetuta është kompromis politik i institucionalizuar. Ajo është marrëveshja themelore mbi rregullat e bashkëjetesës politike dhe institucionale. Prandaj, kur politika hyn në krizë, zgjidhja nuk mund të jetë keqpërdorimi i Kushtetutës. Zgjidhja duhet të jetë kthimi te Kushtetuta, te dialogu, te përgjegjësia dhe te kompromisi politik”, ka shkruar Bajrami.
Ai u ka apeluar partive të mos e mbajnë peng shtetin për kalkulime partiake e të mos e përdorin Kushtetutën për instrument bllokimi dhe që të respektojnë Kushtetutën e vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
επίσης
Πώς μπήκαμε στην ελευθερία απροετοίμαστοι;
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është më e madhe se çdo parti politike dhe interesi i shtetit është më i madh se çdo kalkulim elektoral. Tani është koha që politika ta rikthejë kompromisin në funksion të Kushtetutës dhe Kushtetutën në funksion të REPUBLIKËS SË KOSOVËS, shtetit tonë sovran dhe të pavarur”, ka përfunduar ai.
Bajrami ka thënë se ka qëndruar i heshtur për një kohë të gjatë në formë proteste ndaj degradimit të debatit kushtetues.