KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

Δικηγόρος: Ο νόμος για την ιθαγένεια ευνόησε τους Σέρβους έναντι των Αλβανών στην Τουρκία

Πεταλούδα Χαλίλι

Avokatja Flutra Halili ka deklaruar se ndryshimet në Ligjin për shtetësi kanë favorizuar më shumë serbët që janë larguar nga Kosova më 1998 sesa shqiptarët që kanë emigruar dekada më herët.

Në shtator, autoritetet i pranuan si pozitive 119 kërkesa nga shtetas të Serbisë, duke refuzuar 204 sosh. E grupi i dytë ishte ai nga Turqia me 28 të refuzuar e vetëm katër të pranuar, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Me ndryshimin e ligjit për fitimin e shtetësisë janë bërë disa ndryshime të vogla. Ndër to, përfitojnë të gjithë ata që kanë jetuar në Republikën e Kosovës deri më 1998. Kryesisht janë shtetas të Serbisë, shqiptarë apo serbë. Mund të jetë numër më i madh i serbëve sepse shqiptarët që kanë jetuar në Kosovë atë kohë veçse e kanë shtetësinë. Por ligji nuk ka sjellë asnjë lehtësi apo benefit për shqiptarët që kanë emigruar në Turqi në vitet e 50-ta”, ka thënë ajo në emisionin “tre8tre” në KTV.

Sipas saj, shqiptarëve të Turqisë më së shumti u refuzohet kërkesa për shtetësi për shkak të ndryshimit të të dhënave personale të tyre pas emigrimit në Turqi.

Ajo ka thënë se ka raste kur edhe me vendime gjyqësore në Turqi sqarohet se ata i kanë ndryshuar mbiemrat dhe të dhënat tjera, por se “përsëri këto nuk merren për bazë dhe refuzohen”.

“Mund të themi se (ligji) i ka favorizuar serbët sepse të njëjtit janë shpërngulur më vonë e shqiptarët në Turqi në të 60-tat”, ka thënë ajo. Avokatja ka shtuar se as shqiptarët e Luginës që pas luftës kanë ardhur në Kosovë “nuk e gëzojnë privilegjin e lehtësirave që sjell ndryshimi i ligjit”, pasi atyre u duhet fillimisht të aplikojnë për lejeqëndrim e më pas të hapet rruga për aplikim për shtetësi.

Avokatja ka thënë se shqiptarët e Turqisë po duan të marrin shtetësinë e Kosovës për shkak se kanë familje këtu dhe duan ta ruajnë lidhjen, por edhe për shkak të mundësisë për të udhëtuar më lehtë.

E një qytetar të cilit i është refuzuar marrja e shtetësisë së Kosovës, Huseyin Iscan, është ankuar për padrejtësi. “Po na ndrydhin”, ka thënë ai duke shtuar se deputetë nga Kosova “po vijnë në Turqi, por puna s’po ecën”.

Në maj sivjet hyri në fuqi ligji i ri për shtetësinë. Ndër pikat më të komentuara ka qenë neni 31, që thotë se “Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë”.