KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Arberi

35 ασθενείς με καρκίνο χωρίς το φάρμακο Avastin

Ογκολογική Κλινική

Φωτογραφία: Driton Pacharada

Medikamenti Avastinë mungon në Klinikën e Onkologjisë tash e një muaj e gjysmë. Për 35 pacientët që e kanë të përfshirë këtë terapi në trajtim, ende nuk dihet se kur do të rikthehet furnizimi. Ndërkaq, sigurimi i saj me mjete vetanake mund t’u kushtojë pacientëve deri në një mijë euro

Janë bërë më shumë se një muaj, që në Klinikën e Onkologjisë mungon medikamenti Avastinë, një terapi që përdoret në trajtimin e disa llojeve të kancerit.

Ky ilaç biologjik pengon formimin e enëve të reja të gjakut në tumore, duke kufizuar furnizimin e tyre me gjak dhe lëndë ushqyese.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) thonë se furnizimi me këtë terapi është ndërprerë dhe se aktualisht nuk mund të përcaktojnë se kur do të rikthehet.

“Aktualisht nuk ka kontratë valide për produktin farmaceutik Bevacizumab (Avastin) 25 mg/ml, 16 ml, në mungesë të ofertës nga Operatori Ekonomik. Dhe pritët që kërkesa për inicim te përsëritet për herën e tretë. Për këtë arsye, furnizimi i rregullt me këtë bar aktualisht nuk është i mundur. Për momentin nuk mund të konfirmohet një datë e saktë për rikthimin e furnizimit të rregullt, pasi kjo varet nga përfundimi i procedurave përkatëse dhe sigurimi i kontratës valide”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Çmimi i kësaj terapie arrin deri në një mijë euro.

E, të premten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka arsyetuar mungesën, me procedurat që lidhen me prokurimin. Por, ka thënë se shpejt ky medikament do të sigurohet.

“Po, kemi pasur problem me Avastinën. Ju, siç e dini, ka një kohë tash që ka hyrë në fuqi ligji për tavanin e çmimeve të barnave. Dhe tani më, dy herë në dy procedura që janë hapur për t’u blerë Avastina, kanë dështuar për shkak të çmimit tepër më të lartë ose mungesës së operatorëve ekonomikë për të konkurruar në këto procedura. Në anën tjetër, kemi pasur edhe disa mungesa të tjera për shkak se, sipas ligjeve aktuale, barnat të cilat nuk kanë pasur autorizim marketingu, nuk kanë mundur të blihen, pak çka që kanë qenë shumë të nevojshme te ne. Por kjo nuk është faj i shtetit, sepse disa kompani farmaceutike nuk e shohin tregun e Kosovës si treg të tillë për me i regjistruar këto barna”, ka thënë ministri Vitia.

Ai ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë hapa për të mundësuar furnizimin edhe me barna që nuk kanë autorizim marketingu në Kosovë, ndërsa për Avastinën tha se është ndërmarrë një hap i ri pas dështimit të procedurave të prokurimit.

“Për Avastinën, para një jave, tashmë pas dështimit të dy procedurave, kemi nënshkruar edhe me versionin e fundit nga lista e çmimeve në listën e çmimeve të barnave në Kosovë dhe besojmë që shumë shpejt Avastina do të jetë këtu te ne”, tha ai.

Ndërkaq, SHSKUK-ja ka treguar edhe numrin e pacientëve që trajtohen me këtë terapi, por nuk ka konfirmuar nëse mungesa e Avastinit ka ndikuar në shtyrjen e trajtimeve.

“Aktualisht, rreth 35 pacientë janë duke u trajtuar me skema terapeutike në të cilat Bevacizumab-i është i ndikuar si terapi shtesë. Pacientët vazhdojnë trajtimin e tyre onkologjik sipas protokolleve përkatëse. Në rastet kur Bevacizumab-i nuk është i disponueshëm, trajtimi bazë me kimioterapi vazhdon sipas vlerësimit të mjekut përgjegjës dhe gjendjes klinike të pacientit. Sa i përket sigurimit të barit nga barnatoret private dhe kostos eventuale të mbuluar nga vetë pacientët, si dhe nëse ka pasur raste konkrete të shtyrjes së trajtimit, këto të dhëna nuk janë të konfirmuara nga Klinika e Onkologjisë dhe nuk dëshirojmë të japim informacion të pasaktë”, thuhet në përgjigje.

Në raste të tilla, njohësi i çështjeve shëndetësore, Bujar Vitija, thotë se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te procedurat e prokurimit, por duhet të kërkohet edhe llogaridhënie institucionale për mënyrën se si është menaxhuar furnizimi me terapinë.

“Konsideroj që është e papranueshme që SHSKUK-ja t’i lërë pa Avastin pacientët në Klinikën e Onkologjisë, duke pasur parasysh që ky ilaç është një nga terapitë kryesore për trajtimin e disa llojeve të kancerit dhe përveç se po i lë pacientët pa terapi, ashtu po i detyron të shpenzojnë mijëra euro nga xhepi i tyre për ta siguruar këtë terapi ka thënë Vitija. “Bordi i SHSKUK-së duhet të marrë masa që të kërkojë llogaridhënie nga ekzekutivi i SHSKUK-së që këto procedura të planifikohen me kohë, të planifikohen sipas buxheteve”.

KOHA ka raportuar vazhdimisht për mungesat e barnave nga Lista e Barnave Esenciale dhe rastet kur pacientët janë detyruar t’i sigurojnë vetë terapitë që nuk janë gjetur në institucionet publike.

Më herët, juristë kanë thënë për KOHËN se, kur një terapi është pjesë e Listës së Barnave Esenciale dhe institucioni dështon ta sigurojë atë, kjo përbën, sipas tyre, cenim të së drejtës për kujdes shëndetësor të garantuar me Kushtetutë.

Sipas juristëve, qytetarët kanë të drejtë që, përmes padisë, të kërkojnë rimbursimin e shpenzimeve për këtë ilaç.