Drejtuesi i inteligjencës artificiale në Microsoft, Mustafa Suleyman, ka ngritur shqetësimin se zhvillimi i sistemeve autonome të AI-së mund të çojë në krijimin e një forme të re teknologjike që konkurron me njerëzimin.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e kompanisë Anthropic ndaj karakterizimit të AI-së me tipare njerëzore.
Inteligjenca artificiale e pakontrolluar mund të çojë në krijimin e një “specie silikoni” që në të ardhmen do të konkurronte me njerëzit, ka paralajmëruar Mustafa Suleyman në një intervistë për BBC-në.
Sipas drejtuesit të AI-së në Microsoft, rreziku lidhet veçanërisht me zhvillimin e sistemeve që mund të veprojnë në mënyrë autonome, të përcaktojnë objektivat e tyre, të fitojnë para, të zotërojnë pasuri dhe madje të drejtojnë biznese.
“Nëse të gjithë krijojmë AI që janë në gjendje të veprojnë në mënyrë autonome, të përcaktojnë objektivat e tyre, të fitojnë para, të zotërojnë asete dhe të drejtojnë biznese, atëherë në thelb po mbjellim një specie të re silikoni, e cila pa dyshim do të konkurrojë me ne për burime”, ka thënë ai.
Paralajmërimet e tij vijnë në një kohë kur industria e teknologjisë po debaton gjithnjë e më shumë mbi mënyrën se si duhet të zhvillohen dhe kontrollohen sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale.
Suleymani kritikoi qasjen e kompanisë Anthropic ndaj chatbot-it Claude. Sipas tij, kompania rrezikn, duke e trajtuar atë sikur të kishte karakteristika, dëshira dhe identitet të ngjashëm me atë të qenies njerëzore.
Për të, debati mbi të ardhmen e AI-së nuk duhet të zhvillohet vetëm brenda kompanive të teknologjisë.
Ai kërkoi një diskutim të hapur, rigoroz dhe konstruktiv, duke argumentuar se pasojat e zhvillimit të AI-së janë tepër të rëndësishme për t'u trajtuar në mënyrë të mbyllur ose konfliktuale.
Suleymani pranoi se shqetësimet e publikut për zhvillimin e inteligjencës artificiale janë të arsyeshme, por theksoi se ekzistojnë masa konkrete për ta mbajtur teknologjinë nën kontroll.
Ai kërkoi më shumë transparencë mbi mënyrën se si trajnohen dhe vlerësohen sistemet e AI-së, si dhe mbikëqyrje të pavarur të sjelljes së tyre dhe mjete më të fuqishme për monitorimin dhe kontrollin e tyre.
Sipas tij, sistemet e ardhshme të inteligjencës artificiale duhet të mbeten nën autoritetin e njerëzimit dhe të jenë të kontrollueshme.