Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Andere Sportarten

Wer sind Emily und Brayan Ibanez Guerrero, die sechs Europameisterschaftsmedaillen für Kosovo gewonnen haben?

Brian Ibanez Guerrero

Papritur, Kosova i fitoi plot gjashtë medalje evropiane në sportin që vazhdon të jetë thuajse i pazhvilluar në vend – peshëngritje. Medaljet e shumta për Kosovën u fituan nga Emily dhe Brayan Ibanez Guerrero në Kampionatin Evropian për juniorë dhe grupmoshën U23 që u mbajt në Durrës këtë javë. 

Emily e Brayan janë vëlla e motër. Nuk kanë ndonjë lidhje me Kosovën, pos që tashmë mbajnë pasaportat e Kosovës dhe debutuan me sukses për Kosovën në Evropian. Për Kosovën janë medaljet e parë në Kampionate Evropiane. Por me gjasë nuk do të jenë të fundit. 

Ndonëse peshëngritja vazhdon të jetë sport i pazhvilluar në vend, Federata e Peshëngritjes së Kosovës, përkatësisht pak drejtuesit e saj, po ndjekin politikën e afrimit të garuesve nga pjesë të ndryshme të botës. Iraniani Kianoush Rostami fitoi dy medalje të argjendta në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke përfaqësuar Kosovën. 

Tani Emily dhe Brayan Ibanez Guerrero fituan medalje me bollëk në Evropian. 

Por kush janë dy garuesit e rinj të Kosovës?

E kaluara e tyre dhe e familjes së tyre është dramatike, thënë më së buti. Emily e Brayani janë të lindur në Spanjë. Kryesisht kanë jetuar në Kanada, ndërsa babain e kanë nga Kuba. Nëna e tyre është nga Spanja. 

Brayan Ibanez Guerrero është pajisur me shtetësi të Kosovës më 3 qershor të këtij viti. Më 26 qershor “për arsye sportive” me shtetësi të Kosovës është pajisur edhe Abigail Gonzalez, nëna e dy peshëngritësve, që është edhe trajnere e tyre, së bashku me babain.

Emily i fitoi tri të arta në Evropian, ndërsa vendosi tri rekorde botërore dhe evropiane për të rinj dhe dy rekorde evropiane për grupmoshën U23. Në peshëngritje jepen medalje për të dy stilet dhe për peshën e përgjithshme të ngritur. Dhe Emily dominoi në kategorinë e saj.

Brayani fitoi të artën në shkëputje, madje duke vendosur rekord evropian. I kishte edhe dy medalje të argjendta, në shtytje dhe në total.

Emily Ibanez Guerrero garoi te junioret në kategorinë deri në 69 kilogramë. Ajo është vetëm 15-vjeçare, ndërsa ka fituar medalje në ngjarjet ndërkombëtare që në moshën 12-vjeçare. Është më e reja në histori që ka fituar medalje botërore në peshëngritje.

Brayan Ibanez Guerrero garoi te juniorët, në kategorinë deri 85 kilogramë. Është 19-vjeçar.

Lidhja me Kosovën duket të jetë krijuar përmes babait të tyre, Ciro Ibanez. Dikur peshëngritës cilësor, ai ishte larguar nga Kuba 40 vjet më parë. Ka jetuar mes Kanadasë, Francës e Spanjës. Është trajner i suksesshëm. 

Ciro Ibanez ka thënë se “Kosova ka ofruar të gjitha kushtet e mundshme që dy peshëngritësit e rinj të kenë sukses në nivelin botëror”. Këtë deklaratë e ka dhënë së fundi për mediumin “cubalite.com”.

“Federata kosovare ka sugjeruar që fëmijët tanë mund të garojnë për të dhe ne e kemi diskutuar këtë. Kalimi ishte i lehtë nga ana kanadeze, leja u dha shumë shpejt. Më pas filluan procedurat zyrtare dhe brenda një viti fëmijët i kishin pasaportat e tyre si dhe autorizimin ndërkombëtar për të garuar për atë shtet”, ka treguar Ciro Ibanez. 

Ai është kthyer tre muaj më parë në Spanjë për të ndihmuar peshëngritësit e rinj të përgatiten për Evropian dhe ngjarjet e tjera.

Emily dhe Brayan janë kthyer në gara ndërkombëtare pas tri vjetësh. Për Kanadanë kishin fituar medalje të shumta në grupmosha të reja, duke përfshirë medalje botërore. Në vitin 2023 peshëngritësit vendosën të garojnë për Spanjën në nivelin ndërkombëtar. Por Spanja nuk ua bëri të mundur këtë. Emily dhe Brayan janë paraqitur në gara lokale dhe nacionale në Spanjë, por jo edhe në gara ndërkombëtare. 

Sipas raportimeve, federata spanjolle nuk ka shprehur gatishmëri që të kompletojë kalimin e dy peshëngritësve nga Kanadaja, ndonëse të dy janë të lindur në Spanjë.

“Ëndrra ime është të jem kampion botëror dhe kampion olimpik duke e përfaqësuar Spanjën”, kishte thënë Brayan në një intervistë për “globalnees” në vitin 2024. Ëndërr të njëjtë kishte edhe Emily.

Një kohë kjo familje ka mbledhur fonde për betejën ligjore që Brayan dhe Emily të fitojnë të drejtën e garimit për Spanjën dhe që të vazhdojnë të paraqiten nëpër gara. Por kalimi te Spanja nuk u realizua.

Ndërkohë është paraqitur mundësia që ata të garojnë për Kosovën dhe tashmë kanë fituar medaljet e para.

“Faleminderit Kosovë. Është nder për fëmijët tanë që ta përfaqësojnë sportin kosovar me nder. Faleminderit që na pritët me dashuri dhe përkushtim”, ka shkruar Ciro Ibanez në një koment.

Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës, Ciro Ibanez është edhe trajner i iranianit Rostami, tashmë garues i Kosovës. 

Ka shumë të paqarta në kalimin e dy garuesve me potencial te Kosova. Por tashmë janë fituar gjashtë medalje dhe ndoshta mund të fitohen të tjera. 

Jo të gjithë pajtohen që Kosova të marr sportistë të gatshëm nga vendet e tjera, e që nuk kanë asnjë lidhje me vendin. Kjo rrugë natyrisht është më e lehtë se krijimi i një sportisti.  Por për organet drejtuese të sportit në vend kjo praktikë duket të jetë “në rregull”.