Ndonëse pa adutin kryesor, Distria Krasniqin, ekipi i Kosovës në xhudo udhëton për në Itali për të fituar medaljet e radhës në Lojërat Mesdhetare.
Si zakonisht për ngjarjet shumësportëshe, shpresat më të mëdha të Kosovës për të fituar medalje janë te xhudistët. Ata kanë fituar medalje në të gjitha ngjarjet shumësportëshe, për seniorë e të rinj, dhe njëjtë pritet të jetë edhe në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” që mbahen prej 21 gushtit deri më 3 shtator.
Laura Fazliu foli të dielën në emër të sportistëve në ceremoninë e prezantimit të ekipit të Kosovës që do të garojë në Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë. Laura garon në kategorinë deri 63 kilogramë dhe është pretendente për medalje. Ajo është bartësja e katërt në kategori, që dëshmon se konkurrenca nuk do t’i mungojë.
Medalja pritet edhe nga Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë. Akili po ashtu është bartës i katërt në kategori. E pret garë e fortë në kategorinë që njihet për konkurrencën shumë të madhe.
Trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka, prej xhudistëve ka përzgjedhur edhe Dardan Cenën, që për herë të parë garon në kategorinë deri 81 kilogramë dhe Shpati Zekajn, që garon në kategorinë deri 100 kilogramë. Edhe Dardani e Shpati vlerësohen me gjasa për të siguruar medalje në ngjarjen mesdhetare.
ebenfalls
Kosovo-Athleten erhalten die Flagge für die Mittelmeerspiele.

Te xhudistet garojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë.
Suksesi i Kosovës në Lojëra Mesdhetare është ngusht i lidhur me ekipint e kryemjeshtrit Kuka. Nëntë prej dhjetë medaljeve të deritashme të Kosovës në Lojëra Mesdhetare janë fituar nga xhudoja.
Në Tarragona të Spanjës në vitin 2018 medalje të arta fituan Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova, ndërsa medalje të argjendtë fitoi Loriana Kuka. Nora e Loriana tashmë i kanë dhënë fund karrierës.
Në Oran të Algjerisë në vitin 2022, të arta fituan Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Të bronzta fituan Akil Gjakova e Flaka Loxha. Pos xhudistëve medalje ka vetëm edhe boksieri Shpëtim Bajoku, të bronztë në “Oran 2022”.
Në Tarragona, Kosova i kishte 40 sportistë. Në Oran u përfaqësua nga 38 sportistë. Dhe tani do t’i ketë plot 163 sportistë. Ekipi është rritur ndjeshëm në numër, por mbetet të shihet nëse kjo rritje do të sjellë edhe më shumë medalje.
Kjo megjithatë nuk vlerësohet e lehtë.
“Kemi punuar shumë dhe në fund rezultati ynë ka bërë shumë zhurmë. Ka bërë shumë zhurmë për t’i treguar gjithë botës se çfarë vlerash ka Kosova, çfarë rinie ka dhe sa shumë e kemi merituar lirinë”, ka thënë Driton Kuka në ceremoninë e së dielës.
Xhudistët, si zakonisht, ishin në qendër të vëmendjes në ceremoni, njëjtë siç do të jenë edhe në vetë garën në Lojëra Mesdhetare.
ebenfalls
Der Meister kehrt Nuhiu auf die Position des Trainers zurück.
“Qëllimi ynë është ta ngrisim flamurin e Kosovës sa më lartë. Premtoj se do ta përfaqësojmë shtetin e Kosovës sa më mirë që është e mundur. Jemi të përgatitur dhe besoj shumë se do të kthehemi me medalje”, ka thënë xhudistja Laura Fazliu.
Ndonëse me numër të vogël sportistësh, ekipi i Kosovës në xhudo gati një dekadë e gjysmë është prej më të mirëve në Evropë. Pesë medaljet olimpike, prej tyre tri të arta, dhjetëra medaljet botërore e evropiane, e dëshmojnë këtë. Lojërat Mesdhetare nuk janë lart në listë sa u takon sukseseve që kanë arritur xhudistët kosovarë. Medaljet evropiane, botërore e olimpike, por edhe medaljet në disa gara të tjera të xhudos, vlerësohen më të vlefshme. Megjithatë për Kosovën, Lojërat Mesdhetare kanë rëndësinë e tyre, ndër të tjera edhe për faktin se Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mbahen në Prishtinë.