Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
SOT

350 Schafe und 70 Kühe – ein Bauernhof in Zhegër, der täglich wächst

Në Zhegër të Gjilanit, një fermë me rreth 350 dele dhe 70 lopë është kthyer në një burim pune dhe të ardhurash për njerëzit që merren me të. Mes tyre është edhe Elton Këllezi, i ardhur nga Shqipëria, i cili prej tri vitesh jeton dhe punon në Kosovë. Përveç kujdesit të përditshëm për kafshët, në fermë përballen edhe me sfida si energjia elektrike dhe temperaturat e larta, por teknologjia ua lehtëson punën edhe me një ekip prej vetëm tre punëtorësh.

Në Zhegër të Gjilanit, puna në këtë fermë nis që në orët e para të mëngjesit, aty ku kujdesi për rreth 350 dele e 70 lopë është pjesë e përditshmërisë. 

Përveç rritjes së kafshëve, ferma merret me prodhimin e qumështit dhe mishit, ndërsa produktet e saj gjejnë blerës edhe te qytetarët që vijnë drejtpërdrejt këtu.

Një prej njerëzve që është pjesë e kësaj pune është edhe Elton Këllezi. 

Ai ka ardhur nga Shqipëria në Kosovë dhe prej rreth tre vjetësh jeton e punon këtu. 

Nga një vendim për të nisur një jetë të re, puna në fermë për të është shndërruar në një përditshmëri dhe në një rrugëtim që, siç thotë vetë, nuk do ta ndërronte lehtë.

“Këtu ja ka nisë para 3 vite, e ka pas si ëndërr me formua ketë fermë, ka pas pak lopë e tash ka shumë, më shumë merremi me mishin edhe me qumësht, punët fillojmë që në mëngjes, edhe delet i kemi ne pjesën andej, dhe ato lëshohen ne livadhe”, tha Elton Këllezi, punëtor te ferma “Zhegra”. 

“Me pëlqeu dhe mbeta këtej, dhe nuk dua mu kthye me andej, kur shkoj ne Shqipëri me duket si vendi huaj, jo qene atë nuk e dua te dyja i dua si vendet e mia”, tha ai. 

Që në orët e para të ditës, kujdesi për kafshët është prioritet. 

Pasi sigurohet se janë në gjendje të mirë, vazhdohet me proceset e përditshme të fermës, ndërsa lopët dhe viçat më pas dalin në hapësirat e jashtme për t’u ushqyer dhe qëndruar gjatë ditës, tha Këllezi. 

“Dita ime fillon si te vij këtu i hapi dyert i shikoj se a janë mire te gjitha, nëse ndonjëra e ka ndonjë problem e thërrasim veterinarin edhe ai ne çfarëdo lloj orari vjen. I mjelim lopët, i lëshojmë dhe viçat tjerë, i lëshoje lopët ne livadh, e kemi pjesën me tel i lë ato ndonjëherë shkoj i kontrolloj po ndonjëherë vijnë vetëm”, tha Këllezi. 

Punëtori i fermës tha se një ndër sfidat kryesore me të cilat përballen në fermë është furnizimi i dobët dhe i paqëndrueshëm me energji elektrike, që mund t’u shkaktojë probleme të mëdha në ruajtjen e qumështit.

“Këtu pika e pare nuk kemi energji te mjaftueshme, na vjen shumë e dobët, ndalet rryma pa na tregu askush, ne kemi 300-400 litra qumësht, me na u prish ajo është kosto shume e madhe, nuk na lajmëron asnjë njeri, e këto gjerat e tjera janë korrekt…” – deklaroi ai. 

Vera dhe temperaturat e larta sjellin vështirësi shtesë për fermën, pasi në periudhat e thata kafshët nuk mund të ushqehen mjaftueshëm në kullota dhe duhet të qëndrojnë më shumë brenda, duke kërkuar më shumë ushqim dhe shpenzime.

“Ndikon sepse kur ka thatësire shume nuk mund t’i qesim jashtë te kullosin, duhen brenda me i ushqye ka shume kosto te madhe… edhe janë te përziera lopët”, tha Këllezi. 

Qytetarët vazhdojnë t’i preferojnë qumështin dhe mishin e prodhuar në fermë, ndërsa falë përdorimit të teknologjisë dhe pajisjeve moderne, i gjithë procesi mund të përballohet edhe me vetëm tre punëtorë, tha ai. 

“Qumështi, ne kemi edhe dele shesim kingja.. vijnë njerëzit marrin. Tre punëtorë jemi, por fal teknikes me ndihmën e këtyre mundemi m’i përballu, e qoftë se s’ki teknik duhesh me marrë punëtorë. Veç me pune arrihet gjithçka pa punë s’mundesh asgjë”, deklaroi Këllezi. 

Nga një ëndërr e nisur para tre vjetësh, kjo fermë sot është rritur në një veprimtari me qindra kafshë dhe prodhim të përditshëm. 

Pavarësisht sfidave që sjell puna në bujqësi, ekipi i fermës vazhdojnë përpara, me bindjen se përkushtimi dhe puna janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme në vendin ku kanë zgjedhur të jetojnë e veprojnë.