Përvoja e përballjes shqiptaro-serbe – së fundi edhe përmes procesit dhe verdiktit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë – është shembulli ilustrues për pasojat e mungesës së vetëdijes reflektuese shqiptare
Eintrag
Historia nuk është vetëm hapësira në të cilën ndodhin ngjarjet. Ajo hapësira në të cilën një bashkësi e ndërton idenë për veten. Marrëdhënia ndërmjet vetëdijes, kujtesës, lirisë dhe vetes nuk është vetëm marrëdhënie psikologjike, por një marrëdhënie historike dhe politike. Një komb që nuk është në gjendje ta lidhë kujtesën e tij me vetëdijen reflektuese, rrezikon ta përjetojë historinë kryesisht si një varg ngjarjesh që i ndodhin, dhe jo si një proces në të cilin ai vetë mund të veprojë, të zgjedhë dhe të prodhojë pasoja. Përvoja e përballjes shqiptaro-serbe – së fundi edhe përmes procesit dhe verdiktit gjyqësor ndaj të krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë – është shembulli ilustrues për pasojat e mungesës së vetëdijes reflektuese shqiptare.
Projekti politik serb ndaj shqiptarëve nuk mund të shqyrtohet vetëm përmes akteve konkrete të dhunës, dëbimit, kolonizimit apo luftës. Ai duhet të lexohet edhe në dimensionin e tij historik, kulturor dhe epistemologjik: në mënyrën si është ndërtuar ndarja midis “nesh” (serbëve) dhe “atyre” (shqiptarëve) dhe si janë përdorur institucione, narrativa dhe politika të kujtesës koletive serbe për të legjitimuar dhunën dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve.
Mungesa e vetëdijes historike shqiptare
Vetëdija, liria, kujtesa dhe vetja përbëjnë një unitet dinamik, ku vetëdija krijon horizontin e idesë për veten, kujtesën dhe lirinë. Prirja për deterritorializimin e kujtesës nga hapësira e vetëdijes është pasojë e shpërfytyrimit të idesë sonë për veten. Johann Gottlieb Fichte në veprën “Themelet e gjithë shkencës së njohjes” (Johann Gottlieb Fichte: Foundations of the Entire Science of Knowledge, Oxford, Oxford University Press, 2021), bën dallimin ndërmjet Unit dhe individualitetit. Individualiteti nuk është një substancë e dhënë paraprakisht, por rezultati dinamik i vetëpozicionimit të Un-it dhe i marrëdhënies së tij me Jo-Un-in. Individi e realizon vetveten si subjekt të lirë përmes aktivitetit dhe përballjes me kufizimet që i paraqet bota. Kapacitetet e Unit mbeten në shkallën e nevojave të vetëdijes parareflektuese dhe perceptuese, e cila objektet e përvojës i pozicionon si të dhëna të së tashmes (G. Fichte, po aty, fq. 320). Për këtë arsye, ato nuk janë të afta të krijojnë unitetin ndërmjet kujtesës, vetes, arsyes dhe lirisë. Përmes Unit mund të rriten kapacitetet për mbijetesë në histori, por jo aftësitë për ta shndërruar veten në subjekt veprues të historisë.
Kuptimi ynë për lirinë, si komb, edhe pas krijimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan – pra, kur objektivisht kemi dalë nga modusi i mbijetesës historike dhe ndodhemi, më shumë se kurrë më parë, në kushte të favorshme për t’u bërë një komb unik – vazhdon të lëvizë brenda zonës së Unit, pa arritur t’i kapërcejë kufijtë e saj dhe të hyjë në zonën e individualitetit, si subjekt i vetëdijshëm për veten në histori. Në vend që kujtesën historike ta trajtojmë si një fushë që përfshin një Uni të qëndrueshëm, me kapacitete për ta unifikuar përvojën historike dhe për ta vënë atë në marrëdhënie me vetëdijen reflektuese, ne ia nënshtrojmë atë nevojave të menjëhershme të Unit. Në përshtatje me konceptin e Niçes për dëmin dhe dobishmërinë e historisë, mund të themi se, në kushtet e mbijetesës, kujtesa për vetëdijen tonë ishte barrë; në kushtet e lirisë, ajo bëhet garantuese e vazhdimësisë dhe e zhvillimit të saj. Të dhënat e kujtesës sonë kolektive, në vend se t’i trajtojmë si një forcë aktive formësuese për mënyrën se si t’i vlerësojmë opsionet e tanishme, ne ato vazhdojmë t’i trajtojmë si depo pasive. Një mënyrë e tillë e trajtimit të kujtesës i shërben dobësimit të aftësive refletuese. Për rrjedhojë, vetë lirinë ne vazhdojmë ta konceptojmë si një zgjedhje midis opsioneve fikse, duke e bërë kështu atë të paqëndrueshme brenda vetëdijes sonë si kusht i domosdoshëm i krijimit të vazhdimësisë së të jetuar të vetes tonë si një e tërë. Një kujtesë e tillë nuk mund të ofrojë mbështetje për vazhdimësinë e idesë së lirisë dhe, rrjedhimisht, nuk është në gjendje ta shndërrojë një komb në subjekt të vetëdijshëm për veten, lirinë dhe raportin e tij me botën.
Kujtesa që i shërben vetëm mbijetesës, e jo bërjes, e bën vetëdijen lehtësisht të ndikueshme dhe të paqëndrueshme ndaj çdo veprimi që buron jashtë saj. Në këtë mënyrë, qenia kombëtare mbetet vazhdimisht në pozitën e atij që përjeton pasojat, por nuk arrin të bëhet subjekt i shkaqeve që i prodhojnë ato. Kur përvoja shqisore nuk përvetësohet siç duhet, kujtesa humbet materialin mbi të cilin ndërtohet vazhdimësia e vetes dhe e idesë për veten. Subjekti shqiptar ashtu do ta ketë më të vështirë ta lidhë të tashmen me të kaluarën. Kur nuk është i aftë të dijë se “çfarë dhe ku ishte”, ai nuk do të mund ta dijë se “çfarë dhe ku është”, e aq më pak do të mund të dijë se “çfarë duhet të jetë, ku dhe kah duhet të shkojë për të qenë ai që dëshiron të jetë”. Në dhe përmes individualitetit, liria arrin të konceptohet si vlera supreme në vetëdijen aksiologjike të një kombi, duke i mundësuar atij të zgjedhë atë që është thelbësore në procesin e bërjes së vetes. Në këtë kontekst, mund të thuhet se themelimi, porcesi dhe vetë verdikti i Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së është jashtësia e mungesës së vetëdijes historike shqiptare: e çrregullimit dhe moskonsolodimit të marrëdhënies midis idesë për veten, lirisë dhe të kujtesës kolektive. Dobësimi i ndjeshmërisë përvojore dhe i kujtesës për luftën e UÇK-së nuk përbën vetëm një përpjekje për humbjen e aftësisë për ta kujtuar dhe përjetuar lirinë, por edhe një përpjekje serioze për zhdukjen e vetë konceptit të lirisë si bazament i përmbajtjes së vetëdijes për lirinë të subjektit shqiptar.

Dimensioni historiko-kulturor i projektit gjenocidal serb
Gjenocidin serb të ushtruar ndaj shqiptarëve nuk mund ta kuptojmë drejt nëse e shohim vetëm si akt vrasjeje brenda gjendjes natyrore të qenies njerëzore, të shkëputur nga dimensioni historik, politik dhe kulturor i shprehjes së saj në funksion të ndërtimit të identitetit shtetëror dhe kombëtar serb. Më 7 shtator 2026, Mlladiqi u varros në Topçider të Beogradit me nderime ushtarake, ndërsa arkivoli i tij u mbulua me flamujt e Serbisë dhe të Republikës Srpska. Varrimi i Ratko Mlladiqit përbën, një ritual politik të manifestimit të identitetit të politikës serbe, ku simbolet shtetërore, ushtarake, fetare dhe nacionaliste u përfshinë në procesin e transformimit të figurës së një personi të dënuar për gjenocid në një mit politik të “mbrojtësit të botës serbe”. Ceremonia e varrimit të Ratko Mlladiqit është artikulim i identitetit politik serb dhe i qëllimit të tij gati dyshekullor për krijimin e “botës serbe” në Ballkan.
Politika shtetërore serbe, para përfundimit dhe pas Luftës Ruso-Turke në shekullin XIX, do të vihet në lëvizje për organizimin e metodave dhe veprimeve për përmbushjen e një synimi: dobësimin e fuqisë së ekzistencës së qenies shqiptare në Ballkan. Që në vitin 1844, kur Serbia ishte ende nën Perandorinë Osmane, Ilija Garashanini, i udhëhequr nga një imagjinatë politike ekspansioniste, hartoi programin “Naçertanije”. Duke e perceptuar dobësimin gjeopolitik të Perandorisë Osmane dhe mundësinë për realizimin e idesë së “Botës Serbe”, Garashanini shkruante: “Serbia patjetër duhet të orvatet që, nga godina e shtetit turk, të heqë vetëm gur pas guri e t’i marrë, që të mundet, nga materiali i mirë, mbi themelin e vjetër e të mirë të perandorisë së lashtë serbe, të ndërtojë sërish e të ngrejë shtetin serb. Qysh tani, ndërkohë që Serbia gjendet nën qeverimin turk, është e mundur që ky ndërtim të përgatitet e të parapërgatitet, sepse punët e këtilla nuk mund të ndërmerren e të kryhen në momentin e fundit.” (Ilija Garashanin: “Naçertanija (1844)”, në Rexhep Qosja, “Programet kombëtare serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”, vëllimi XVIII, Instituti Albanologjik, Prishtinë, fq. 365.)
Që një projekt i tillë të realizohet, duhet të ekzistojë një dëshirë politike e fuqishme, si entitet volitiv që synon tejkalimin e status quo-së. Garashanini shkruan: “Kur me vendosmëri dihet se çka dëshirohet dhe kur vazhdimisht e fuqishëm diçka dëshirohet, atëherë mjetet për arritjen e qëllimit të shënuar, që i nevojiten një qeverie të aftë, do të gjenden lehtë dhe shpejt, sepse populli serb është aq i mirë, saqë me të mund të arrihet, në mënyrë të arsyeshme, çdo gjë.” (Ilija Garashanin, po aty, fq. 361)
Të gjitha programet politike serbe që kanë projektuar dëbimin ose shfarosjen e shqiptarëve – Programi i Ilija Garashaninit (1844), “Programi për nevojat e ushtrisë dhe të xhandarmërisë në viset ku jetojnë shqiptarët” (1920), “Dëbimi i shqiptarëve” i Vasa Çubrilloviqit (1937), Konventa Jugosllavo-Turke për shpërnguljen e shqiptarëve (1938), projekti “Ndarja e Shqipërisë” i Ivo Andriqit (1939), projekti i Ivan Vukotiqit “Aneksimi i Shqipërisë – një nga interesat jetike të Mbretërisë Jugosllave” (1939), “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re” (1944) i Vasa Çubrilloviqit, “Kritika e konceptit sundues në politikën nacionale” (1968) e Dobrica Qosiqit dhe, deri te Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve – e imagjinojnë konsolidimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar serb përmes tjetërsimit të dhunshëm dhe eliminimit të faktorit shqiptar në Ballkan, si pengesë për realizimin e këtij projekti politik.
Nga këto dokumente shqiptarët paraqiten në mënyrë të vazhdueshme si kërcënim ndaj kufijve të imagjinatës politike ekspansioniste serbe. Këto dokumente përbëjnë një makineri diskursive që burokratizon krimin kundër, siç do të shprehej Hannah Arendt, të “statusit njerëzor” të popullit shqiptar. Në to, gjenocidi projektohet si një nga themelet e ideologjisë shtetërore serbe. Ai mbetet i qëndrueshëm në synimin e tij strategjik, ndërsa format diskursive dhe operative ndryshojnë sipas rrethanave gjeopolitike, me qëllim ruajtjen e binomit polar: “ne” kundër “atyre”, “serbët e qytetëruar” kundër “shqiptarëve primitivë”.
Imagjinata gjenocidale, si fakultet i mendjes politike serbe, do të shndërrohet në shtytësen e modeleve utilitare të politikëbërjes gjenocidale kundër shqiptarëve në Ballkan. Fillimisht, përmes propagandës, ajo do të prodhojë emocione politike që legjitimojnë diskursin e pabarazisë dhe të përjashtimit të shqiptarëve si faktorë pengues, jo vetëm për zhvillimin e kombit serb, por edhe për përparimin e qytetërimit evropian. Ideja e “Botës Serbe”, pothuajse dy shekuj pas Programit të Garashaninit, vazhdon të mbetet një nga burimet kryesore për jetësimin e imagjinatës politike të shtetit serb.
Narrativat e progresit të modernitetit do ta ushqejnë ndarjen binare midis “nesh” dhe “atyre”. Kjo narrativë, në kulturën politike serbe, do të funksionojë në mënyrë holistike, si në nivelin makro (ideologjia shtetërore), ashtu edhe në nivelin mikro (motivet dhe emocionet lokale), me synim shkatërrimin e themeleve sociale, kulturore, ekonomike dhe biologjike të popullit shqiptar në Ballkan. Narrativa e ndërtuar mbi binomin “ne” dhe “ata”, përmes relativizmit epistemologjik, si dje ashtu edhe sot, legjitimon zhdukjen “negative” të viktimës dhe imponimin “pozitiv” të modelit të kryerësit të krimit. Duke rënë ndesh me imperativin moral të së drejtës dhe të së vërtetës, relativizmi epistemologjik hap shtegun për mohimin e karakterit gjenocidal të krimeve, duke vënë në dyshim autoritetin e së vërtetës dhe duke relativizuar kujtesën historike dhe shkallët e përgjegjësisë, nga niveli i ideologjisë shtetërore deri te mikroemocionet kolektive.
Dy doktrinat e kolonializmit serb
Në veprën “Doctrines of Imperialism” (John Wiley & Sons, New York, London, 1965), A. P. Thornton i klasifikon doktrinat e imperializmit në tri grupe kryesore: doktrina e pushtetit, doktrina e fitimit dhe doktrina e qytetërimit (fq. 2). Doktrina e pushtetit e shpjegon imperializmin përmes kërkimit të fuqisë politike, ushtarake dhe strategjike; doktrina e fitimit e lidh atë me interesat ekonomike, tregjet, burimet dhe investimet; ndërsa doktrina e qytetërimit e justifikon zgjerimin imperialist si një mision për përhapjen e qytetërimit, fesë, arsimit dhe kulturës. Duke mos i konceptuar si sinonime, Thornton e bën dallimin ndërmjet imperializmit dhe kolonializmit. Ai thekson se në raport me kolonializmin, imperializmi është më i gjerë në qëllime. Ndërsa imperializmi synon ushtrimin e pushtetit dhe ndikimit të një shteti mbi një popull ose territor tjetër, qoftë përmes kontrollit politik, ekonomik, ushtarak apo strategjik, kolonializmi është një formë më konkrete e dominimit, e cila lidhet me vendosjen dhe ushtrimin e kontrollit kolonial mbi një territor dhe popullsi, zakonisht duke krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme sundimi dhe kontrolli (A. P. Thornton, po aty, fq.6). Dallimi ndërmjet tyre nuk është vetëm dallim formash politike, por edhe dallim ndërmjet dy perspektivave mbi marrëdhënien e pushtetit. Ndërsa imperializmi paraqet ushtrimin e pushtetit dhe të kontrollit nga perspektiva e fuqisë dominuese, kolonializmi është “imperializmi” i parë nga perspektiva e popujve mbi të cilët ushtrohet ky pushtet. Pra, kolonializmi tregon se si dominimi përjetohet në terren nga popullsia e sunduar. Imperializmi nuk kërkon domosdoshmërisht që territori i kontrolluar të bëhet koloni; kolonializmi synon kontrollin konkret mbi një territor dhe popullsinë e tij.
Në varësi të konteksteve gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Serbia, kundrejt shqiptarëve, do të zbatojë dy doktrina politike mbizotëruese kolonialiste: (1) doktrinën kolonialiste të forcës dhe (2) doktrinën kolonialiste të fitimit, të ndërlidhur me përbërës të doktrinës së “qytetërimit”.
Që nga spastrimi etnik i shqiptarëve të Toplicës, më 1877, për të vazhduar me pastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë nga viti 1913 deri më 1966, Serbia do të zbatojë doktrinën kolonialiste të forcës. Nga viti 1966 deri në vitin 1981, Serbia do të zbatojë një doktrinë kolonialiste të fitimit të bashkërenditur me përbërës të doktrinës së “qytetërimit”. Nga viti 1987 deri më 1999, Serbia do t’i rikthehet doktrinës kolonialiste të forcës, me synimin për dëbimin përfundimtar të shqiptarëve nga Kosova. Që nga qershori i vitit 1999 e deri më sot, pas dështimit të doktrinës kolonialiste të forcës – e cila u shoqërua me investime të mëdha politike, institucionale dhe materiale në funksion të kriminalizimit të UÇK-së si subjekt antikolonial – Serbia do të përpiqet ta kompensojë këtë dështimin e doktrinës kolonialsite të forcës përmes zbatimit të një doktrine kolonialiste “qytetërimore”, duke nxitur dhe vënë në funksion mekanizma dhe sisteme të drejtësisë evropiane dhe ndërkombëtare. Në kontekstin gjeopolitik të “ekuilibrit botëror”, pas dështimit të metodës holistike të zbatimit të gjenocidit, Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përmes mekanizmave dhe sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, do të përpiqet t’i japë legjitimitet ushtrimit të gjenocidit që ajo ka ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.
Në këtë perspektivë, dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit paraqitet, si një shkallë në përpjekjen për zvetënimin e luftës antikoloniale të shqiptarëve kundër kolonializmit serb, nga njëra anë, dhe për legjitimimin e kolonializmit dhe të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, nga ana tjetër. Si i tillë, dënimi ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë e tejkalon aspiratën për relativizim: ai paraqitet si një përpjekje për të fshehur gjenocidin real që Serbia ka ushtruar ndaj shqiptarëve.
Këto doktrina kolonialiste do të përmbajnë dy parime metodologjike dhe epistemologjike për kolonizimin e hapësirës shqiptare: (1) parimin e dualitetit dhe (2) parimin sinonimik. Veçori e parimit sinonimik të gjenocidit është se ai i njeh dhe i pranon dallimet, ndërkaq veçori e parimit të dualitetit është se ai i thekson dhe i fuqizon dallimet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, për ta përdorur vetë dallimin si logjistikë epistemologjike për justifikimin e përjashtimit të shqiptarëve nga interesi i komunikimit me qytetërimin botëror. Parimi i parë, siç e pamë më lart, do të jetë mbizotërues ndaj të dytit në orientimin e fuqisë politike serbe kundër shqiptarëve.
Ethnozentrisch-religiöser Nationalismus versus transreligiöser Aufklärungsnationalismus
Anthony D. Smith, duke e konceptuar nacionalizmin si një instrument për sigurimin e unitetit të njerëzve të të njëjtit komb si qytetarë, si dhe për integrimin e tyre në një tërësi homogjene territoriale, në veprën e tij “Identiteti Kombëtar” (CUNEUS, Prishtinë, 2023), nacionalizmin e sheh në lidhjen e tri aspekteve kryesore: të territorit, të historisë dhe të bashkësisë (f. 86). Smith, në veprën e tij, riaktualizon tipologjinë e Hans Kohnit për nacionalizmin: tipin e nacionalizmit racional dhe shoqërues, si dhe tipin e nacionalizmit organik, i cili drejtohet nga një shpirt “mistik” dhe një “mision” (Smith, f. 88–89). Bazuar në tipologjinë e Kohnit, mund të themi se, ndërsa nacionalizmi serb do të bazohet në modelin e “shpirtit mistik” dhe në “mision”, nacionalizmi shqiptar, nga gjysma e dytë e shekullit XIX, do të formësohet përmes kombinimit të përbërësve të modelit etniko-gjenealogjik të kombit me përbërës të modelit të nacionalizmit qytetar-territorial, përtejfetar.
Religjioni në politikën serbe do të ketë rol vendimtar në vetëkonstruksionin dhe vetëperceptimin e pavarur, në konsolidimin e idesë së unikalitetit dhe në agjencinë personale serbe kundrejt shqiptarëve. Shqiptarët nuk janë pikë krahasimi, por pamundësi për ruajtjen e vetëkonstruksionit dhe vetëperceptimit serb. Nacionalizmi serb, për shkak se bazën e vet do ta ketë te “shpirti mistik” ortodoks, do t’i kundërvihet çfarëdo prirjeje përbashkuese të diversiteteve kulturore, fetare dhe gjuhësore. Përkundrazi, nacionalizmi, qoftë si vetëdije kombëtare, qoftë si lëvizje politike, te shqiptarët do të përdoret si instrument për përbashkimin e diversiteteve kulturore, regjionale dhe fetare brenda botës shqiptare. I bazuar në religjionin si burim të energjive centripetale për krijimin e njësisë së kombit, nacionalizmi serb do të jetë i karakterit etnocentrik dhe i përshtrirë në masë. I bazuar në vetëdijen sekulariste, si mekanizëm për tejkalimin e forcave centrifugale në një shoqëri shqiptare tejet të fragmentuar dhe jokohezive, nacionalizmi shqiptar do të jetë nacionalizëm i inteligjencës.
Religjioni në politikën serbe do të ketë rol vendimtar në vetëkonstruksionin dhe vetëperceptimin e pavarur, në konsolidimin e idesë së unikalitetit dhe në agjencinë personale serbe kundrejt shqiptarëve. Strukturat mendore që ushqejnë arsyetimet e ndarjes dikotomike në “ne” dhe “ata”, në funksion të ruajtjes së koherencës së narrativës për të drejtën e vet në “misionin” historik kundrejt tjetrit, politika serbe, sikurse dje, ashtu edhe sot, vazhdon t’i mirëmbajë përmes institucioneve shoqërore. Kisha Ortodokse Serbe, si institucion shoqëror, së bashku me institucionet arsimore dhe mediatike, sikurse dje, ashtu edhe sot, vazhdon t’i strukturojë emocionet kolektive rreth së drejtës historike të popullit serb, kundrejt dhe në dëm të popujve të tjerë. Në vend të prodhimit të racionalitetit komunikativ humanist, ajo do të vazhdojë të prodhojë racionalitet burokratik-strategjik politik.
Modeli që do të ndjekë nacionalizmi serb do të vihet në funksion të instrumentalizimit të ndjenjës patriotike serbe. Keqorientimi i patriotizmit nga nacionalizmi serb, i bazuar në “shpirtin mistik” dhe në “mision”, qëndron në kalimin nga ndjenja konkrete e përkatësisë ndaj atdheut tek absolutizimi ideologjik i kombit. Patriotizmi, i cili në formën e tij fillestare shpreh një lidhje të natyrshme me tokën, vendin dhe bashkësinë ku individi jeton, nëpërmjet nacionalizmit që bazohet në “forcën e shpirtit mistik”, do të ndikojë në konceptimin e kombit serb si një bashkësi me identitet të veçantë, të rrënjosur në religjion dhe në një histori të interpretuar si mision. “Shpirti mistik” do t’i japë kombit serb karakterin e një “kombi të veçantë”, “të shenjtë”, ndërsa “misioni” vetidentitetin do ta shndërrojë në detyrim historik. Për rrjedhojë, dashuria ndaj atdheut do të instrumentalizohet për të legjitimuar një ndarje të fortë midis “ne” dhe “atyre”, duke e paraqitur tjetrin jo thjesht si një bashkësi tjetër, por si pengesë ndaj realizimit të misionit historik të kombit serb.
Në kushtet e “vdekjes klinike” të praktikave sociale që shqiptarët do të pësojnë nga pushtimi i gjatë osman, marrëdhënia ndërmjet patriotizmit dhe nacionalizmit është marrëdhënie transformimi dhe integrimi. Patriotizmi regjional shqiptar, si ndjenjë konkrete e lidhjes me tokën, vendlindjen dhe bashkësinë e afërt, mbetej i kufizuar në partikularen. Nacionalizmi shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XIX do të bëjë përpjekje serioze për tejkalimin e partikularitetit të patriotizmit regjional, duke e shndërruar ndjenjën konkrete të lidhjes me tokën, vendlindjen dhe bashkësinë në vetëdije kombëtare dhe në projekt politik. Në kushtet e fragmentimit fetar, regjional dhe kulturor, funksioni i nacionalizmit shqiptar nuk do të jetë homogjenizimi përmes përjashtimit të dallimeve, por integrimi i këtyre dallimeve në një ide më të gjerë të kombit shqiptar. Në këtë kuptim, nacionalizmi për shqiptarët do të jetë një mjet për universalizimin e patriotizmave të fragmentuara: ai do të synojë zhvendosjen e objektit të përkatësisë nga hapësira e ngushtë lokale drejt kombit si tërësi, duke i dhënë patriotizmit një dimension historik, politik dhe emancipues.
Abschluss
Një komb nuk bëhet subjekt i historisë vetëm duke mbijetuar brenda saj. Mbijetesa është kusht i ekzistencës, por jo ende kusht i vetëbërjes. Për të kaluar nga mbijetesa te bërja, nevojitet një vetëdije që është në gjendje ta lidhë të kaluarën me të tashmen dhe të tashmen me një ide të së ardhmes. Nëse kujtesën e përdorim vetëm për të reaguar ndaj së kaluarës, ajo nuk arrin të bëhet instrument për orientimin në të ardhmen. Kujtesa historike bëhet emancipatore vetëm atëherë kur na mundëson ta kuptojmë jo vetëm atë që na ka ndodhur, por edhe atë që jemi bërë përmes asaj që na ka ndodhur. Një shoqëri që nuk arrin ta përvetësojë në mënyrë reflektuese përvojën e vet historike mbetet e varur nga reagimi. Kalimi nga mbijetesa te bërja është, prandaj, kalimi nga kujtesa si barrë te kujtesa si fuqi; nga liria si reagim te liria si parim; nga Uni si instinkt i vetëruajtjes tek individualiteti si vetëdije historike.